Dyfytyrësi politike
SHËNIM I REDAKTORIT:
Prej disa ditësh, në “Shekulli”, keni lexuar opinione të faktorëve politikë në Prishtinë lidhur me zbatimin eventual të planit gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë.
Sipas këtij plani, policia, doganat dhe gjyqësori në Kosovën Veriore, të banuar me shumicë serbe, do të funksionojnë sipas sistemit juridik të UNMIK-ut, ndërsa lihen jashtë ligjet e Kosovës. Plani i z. Ki Moon, besohet se do të ketë ndikim më të madh në qytetin e ndarë të Mitrovicës, ku problemet janë më të mprehta.
Gjithashtu, mandati i misionit evropian, EULEX, me këtë plan vendoset nën ombrellën e OKB-së, duke qëndruar i paanshëm ndaj statusit të Kosovës. Ky ka qenë një nga kushtet që Serbia i ka paraqitur në këmbim të dhënies së pëlqimit për funksionalizimin e misionit të BE-së në Kosovë.
Udhëheqësit e Kosovës e kanë kundërshtuar atë duke thënë se elemente thelbësore të tij cenojnë tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Kosovës.
Zyrtarë të qeverisë së Serbisë, ndërkaq e shohin planin e z. Ban ki Moon si një zgjidhje të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, thotë se plani është hartuar në bashkëpunim mes Beogradit dhe UNMIK-ut, prandaj, sipas tij, UNMIK-u duhet të garantojë jetësimin e këtij projekti.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë me BBC-në, gjatë vizitës së ditëve të fundit në Londër, (pjesë e opinioneve - në këtë forum) kërkoi nga BE-ja dhe nga komuniteti ndërkombëtar që të tregohet më i ashpër me Beogradin. Dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar ndërkaq në Prishtinë, në kundërshtim të planit gjashtëpikësh.
Por jo vetëm në Prishtinë ka reagime. Zyrtarë të lartë të partive politike shqiptare, si dhe ekspertë të pavarur në Maqedoni, janë gjithashtu të shqetësuar. Rajoni i trembet një efekti domino dhe përsëritjes së Bosnjes.
Misioni Evropian për Polici dhe Drejtësi, EULEX, ka paralajmëruar se do të fillojë punën në fillim të muajit dhjetor.
Për ne është shumë e rëndësishme të theksojmë dhe riargumentojmë atë që e kemi thënë edhe më herët që, Beogradi luan me politikë dyshe. Luan politikën që dëshiron, po e them si proklamim që të jetë pjesë dhe e BE-së, dhe e NATO-s, dhe e politikës pro perëndimore, duke marrë mbështetje nga vendet e perëndimit për të pasur pozicione të brendshme në qeverisje dhe, në anën tjetër, luan kartën tjetër të shembjes së sovranitetit të Kosovës.
Këto dy çështje nuk mund të shkojnë bashkë. Për ne është me shumë rëndësi që edhe vrojtimi evropian të jetë i vëmendshëm ndaj të gjitha lëvizjeve që bëhen në Beograd karshi Kosovës dhe karshi proceseve të brendshme që kanë brenda vetvetes.
Ne kemi vlerësuar që vendet perëndimore kanë mbështetur ardhjen në fuqi të një qeverie të cilësuar pro perëndimore. Po e marr z.Tadiç për të fituar zgjedhjet presidenciale dhe që të fitojë dhe në zgjedhjet parlamentare dhe të ketë një qeveri, në të cilën ai do të jetë personi kryesor. Por, në të njëjtën kohë, mendoj se duhet të jepen prova paralele pikërisht për këtë qasje të investuar nga ana e perëndimit që Beogradi të heqë dorë nga një rrugë, e cila nuk është e drejtë. Unë them, dhe e them me përgjegjësi, se çdo qeveri e Beogradit, nga koha e Millosheviçit e deri më tani, e dinë se ku janë kriminelët e luftës, që jetojnë në Serbi, që kanë bërë krime ne Kroaci, që kanë bërë krime në Bosnjë, që kanë bërë krime në Kosovë dhe që jetojnë lirshëm, dhe asnjë nga këto qeveri nuk ka bërë asnjë përpjekje për t'i dorëzuar këta njerëz.
Prandaj them që kjo është një lojë dyshe, një lojë që shpreh një identitet jo të qëndrueshëm në një kornizë apo në një vertikale, e cila do ta shprehte identitetin e një shteti. Nga ana tjetër, Kosova nuk është më temë që duhet ta shtrëngojë Beogradin.
Unë them të vazhdojë me konstruktivitetin dhe me konsistencën në plotësimin e kritereve të çdo vendi që duhet të jetë i përputhshëm dhe të hyjë vala dhe zhvillimi i atyre që i quajmë kritere të përbashkëta të BE-së.
Unë nuk mund ta kuptoj një vend që fsheh kriminelët e luftës të jetë në BE, unë nuk mund ta kuptoj një vend që cenon sovranitetin e një vendi tjetër të jetë në BE, unë nuk mund ta kuptoj një vend, i cili konsideron gjithë botën tjetër armiq të vetvetes. Kjo është një filozofi e tmerrshme, që zë fill jo vetëm me Millosheviçin, por edhe më herët.*President i Kosovës