A po ndahet Kosova?
SHËNIM I REDAKTORIT:
Prej disa ditësh, në "Shekulli",keni lexuar opinione të faktorëve politikë në Prishtinë lidhur me zbatimin eventual të planit gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë.
Sipas këtij plani, policia, doganat dhe gjyqësori në Kosovën Veriore, të banuar me shumicë serbe, do të funksionojnë sipas sistemit juridik të UNMIK-ut, ndërsa lihen jashtë ligjet e Kosovës. Plani i z. Ki Moon, besohet se do të ketë ndikim më të madh në qytetin e ndarë të Mitrovicës, ku problemet janë më të mprehta.
Gjithashtu, mandati i misionit evropian, EULEX, me këtë plan vendoset nën ombrellën e OKB-së, duke qëndruar i paanshëm ndaj statusit të Kosovës. Ky ka qenë një nga kushtet që Serbia i ka paraqitur në këmbim të dhënies së pëlqimit për funksionalizimin e misionit të BE-së në Kosovë.
Udhëheqësit e Kosovës e kanë kundërshtuar atë duke thënë se elemente thelbësore të tij cenojnë tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Kosovës.
Zyrtarë të qeverisë së Serbisë, ndërkaq e shohin planin e z. Ban ki Moon si një zgjidhje të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, thotë se plani është hartuar në bashkëpunim mes Beogradit dhe UNMIK-ut, prandaj, sipas tij, UNMIK-u duhet të garantojë jetësimin e këtij projekti.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë me BBC-në, gjatë vizitës së ditëve të fundit në Londër, (pjesë e opinioneve - në këtë forum) kërkoi nga BE-ja dhe nga komuniteti ndërkombëtar që të tregohet më i ashpër me Beogradin. Dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar ndërkaq në Prishtinë, në kundërshtim të planit gjashtëpikësh.
Por jo vetëm në Prishtinë ka reagime. Zyrtarë të lartë të partive politike shqiptare, si dhe ekspertë të pavarur në Maqedoni, janë gjithashtu të shqetësuar. Rajoni i trembet një efekti domino dhe përsëritjes së Bosnjes.
Misioni Evropian për Polici dhe Drejtësi, EULEX, ka paralajmëruar se do të fillojë punën në fillim të muajit dhjetor.