E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dykuptimësia e një “pothuaj” lajmi

18/03/2005  Solidariteti ynë, i pakushtëzuar, shkon tek ambasadorët e SHBA dhe Britanisë së Madhe në Romë. Ata, më shumë se çdokush tjetër, janë vënë shumë në siklet, kur u është dashur të raportojnë, a ka ndryshuar apo jo strategji qeveria Berluskoni në lidhje me Irakun. A do të nisin apo jo të tërhiqen forcat italiane në shtator. A ka të drejtë ministri Fini, kur përjashton çdo zhvillim të ri. Nëse është më i dukshëm çorientimi i një mazhorance të zënë në befasi në kundërsulm, apo ai i një opozite që trembet se mos i kanë rrëmbyer nga duart argumentin më të fuqishëm. Dy ambasadorëve u urojmë punë të mbarë, që nga momenti kur kontaktet telefonike të Uashingtonit dhe Londrës me Pallatin Chigi nuk duhet të mjaftojnë për të qartësuar.

Në televizion, në bashkëbisedimin me Bush, si dhe në një artikull të djeshëm, Berluskoni nuk thotë thuajse asgjë të re. Mundësia e një tërheqjeje graduale ushtarake italiane duhet të diskutohet me autoritetet irakene dhe ato të koalicionit, dhe mund të ndodhë vetëm kur të demonstrohet aftësia e qeverisë së re të Bagdadit për të marrë në duar sigurinë dhe rendin publik. E gjitha dihej. Por është “pothuajse”: është përmendja e paprecedentë e shtatorit, dhe pohimi që mund të “fillojmë të flasim për mision të përfunduar”. Menjëherë, Italia e sheh veten përkrah Holandës, Ukrainës, Polonisë, Portugalisë, Hungarisë dhe Bullgarisë, të cilat në kohë dhe mënyra të ndryshme po bëjnë gati valixhet.

Bler, që është realisht në fushatë elektorale dhe po paguan tashmë një çmim të lartë për luftën në Irak, ka reaguar, duke i thënë zëdhënësit që fjalët e Berluskonit ishin keqkuptuar: mungesë delikatese mes vendeve që respektojnë njëri-tjetrin. Bushi, nga ana tjetër, është mjaftuar duke theksuar me zë të lartë sigurinë e marrë nga Kavalieri, duke injoruar përmendjen e shtatorit. Për të dy, deklarata e aleatit të ngushtë, Silvio Berluskoni duhet të ketë qenë zhgënjyese.

Dhe zhgënjimi do të rritet, kur të mbërrijnë raportet e ambasadorëve. Kush e ka mbështetur luftën në Irak, përkundër atyre që e kanë konsideruar gjithnjë gabim, duhet të përputhen të paktën në një pikë: në një vend serioz, shefi i qeverisë nuk mund të bëjë deklarime të dykuptimëta për një temë që prek jetën dhe vdekjen e shumë qenieve njerëzore, nuk mund të shpallë në TV një datë, ndërkohë që nuk ka lajmëruar as ministra e as autoritetet ushtarake. Lufta dhe paqja nuk janë instrumente që mund të shfrytëzohen, si për shembull shkurtimi i taksave apo ndërtimi i një ure.

Edhe pse, për shkak të këtyre llogaritjeve, politika e jashtme e një vendi mund të dëmtohet seriozisht në besueshmërinë e saj, për të tashmen dhe të ardhmen. Mbi të gjitha, për t’iu kundërvënë përkeqësimit të sondazheve pas ngjarjes Capilari-Sgrena, Berluskoni gjeti ditën më të papërshtatshme. Në Bagdad, një ditë më pas u mblodh Asamblea e përkohshme, dhe u konstatua se shtatë javë nuk kanë mjaftuar për të zgjedhur qeverinë e re. Shiitët grinden me kurdët, ende pa folur për përfshirjen e domosdoshme të sunitëve. Gjë kjo që konfirmon se zgjedhjet kanë hapur, në Irak ashtu si kudo tjetër, një sfidë të pasigurtë mes demokracisë dhe deligjitimimit të saj.

Dhe bëhet gjithnjë e më konkret rreziku që kalendari politik i fiksuar nga OKB deri në fund të 2005 nuk mundtë respektohet. Mbi këtë rrjedhë ngjarjesh, bie iniciativa e pasigurtë berluskoniane programuar për në shtator.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›