E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në fund të afatit të legalizimit,dyndje në sportelet e bashkisë

18/03/2005  Ndërhyn policia pë të disiplinuar radhën

DURRËS - Afrimi i mbylljes së afatit për legalizimin e ndërtimeve pa leje në Durrës ka shtuar radhët e qytetarëve në derën e zyrës së legalizimit.

Formulari

Megjithëse procesi, sipas ligjit nr.9304 të dhjetorit 2004, ka dy muaj që ka nisur të zbatohet, vetëm në dy ditët e fundit, kur nuk ka mbetur veçse një javë për të mbyllur procesin, radhët e gjata dhe pritjet me orë të tëra ka shtyrë policinë bashkiake të ndërhyjë për të vendosur rregull.

Sipas nëpunësit të kësaj zyre, mësohet se gjatë kësaj jave çdo ditë paraqiten më shumë se 400 qytetarë me formularë të plotësuar, por që pjesa më e madhe e tyre do të duhet të presin së paku dy ditë që t’u vijë radha për dorëzimin e tyre.

Zyra e legalizimit është vendosur në parcelën e parë të ish-Kënetës së Durrësit, pasi aty është edhe numri më i madh i ndërtimeve pa leje, pas dyndjeve qytetare nga rrethe të ndryshme në drejtim të Durrësit ku edhe kanë ndërtuar shtëpitë. Qytetarët dorëzojnë në njësinë e legalizimit mandatin që vërteton se kanë paguar shumën prej 500 lekë në bankë, katër fotografi të ndërtesës së tyre dhe dy kopje formulari të plotësuar.

Një javë pas dorëzimit të këtyre materialeve, njësia e legalizimit, e cila përmes specialistëve verifikon saktësinë e plotësimit të formularit, i jep qytetarit dokumentet që vërteton se ata kanë bërë deklarimin e ndërtimit pa leje.

Shifrat

Në ndërtesën dykatëshe. ku është vendosur njësia e legalizimit prej disa ditësh ka filluar fluksi i qytetarëve.

Përgjegjësi i zyrës së legalizimit, Aleks Prenga, ka thënë se, deri më tani janë plotësuar afro 4000 dojse që nga koha e çeljes së procesit për deklarim.

Në zyrën e legalizimit punojnë 4 specialistë, por ky numër tashmë me afrimin e datës 24 mars është shumë i vogël për të përballuar fluksin.

Prenga ka thënë se zyra është e hapur për 12 orë, por, megjithë

përkushtimin e tyre, ata nuk mund të kalojnë më shumë se 200 dosje në ditë. Nga të dhënat paraprake rezulton se në Durrës ka rreth 15000 ndërtime pa leje, ndërkohë që deri në 24 mars, ditë që është edhe afati i fundit i dorëzimit të formularëve, numri i dosjeve të plotësuara nuk mund të shkojë më shumë se 6000-6500

dosje të plotësuara dhe të kaluara në duart e specialistëve.

Për këtë arsye, përgjegjësi i zyrës, Prenga, tha se “kemi kërkuar nga bashkia e qytetit të Durrësit që të ketë edhe një mjedis tjetër, që të merret me procesin në fjalë dhe zyra e re të hapet në rajonin nr.4 të qytetit”.

Kërkesa është bërë në fillim të javës, por deri më tani bashkia nuk është shprehur nëse do të shtojë numrin e punonjësve si dhe hapjen e zyrës tjetër.

Korrupsion edhe me dorëzimin e formularit

Nën dorë 1000 lekë dhe mbaron punë shpejt

Në zyrën e legalizimit bie në sy se një pjesë e qytetarëve qëndrojnë në radhë për orë të tëra, ndërsa një pjesë tjetër kanë mundur të kryejnë punë në pak minuta. Në dy ditët e fundit në portën kryesore, ku gjendet zyra e legalizimit, e vetmja në qytetin e Durrësit e që mbulon Durrësin, Kënetën, Spitallën, Shkozetin e Plazhin, qëndrojnë në radhë të gjitha moshat. Ata madje detyrohen të presin të nesërmen deri sa t’u thërritet emri për të kaluar pragun e portës së hekurt. Por ngjitur me këtë portë të ruajtur nga policia bashkiake, gjendet një tjetër e tillë edhe kjo me hekura. Ajo që bie në sy është se ata që zënë radhë në portën tjetër janë qytetarë, të cilët fusin 1000 lekë në zarfin me formularë, fotografi e mandat-arkëtimi për të mbaruar punë më shpejt. Banorët pohojnë se zarfat merren nga njëri prej katër punonjësve të zyrës së legalizimit, ndërsa në këtë lojë janë angazhuar edhe disa uniforma të policisë, si dhe një pjesë e personelit të qendrës së fëmijëve “Delfinët e vegjël”, ku edhe është vendosur zyra. Por qyetarët i shqetëson edhe orari i funksionimit të zyrës, pasi ndryshe nga pohimet e Prengës, ata

deklarojnë se zyra nis të punojë pas orës 10.00 dhe mbyllet në orën 16.00.

E detyrueshme saktësia e të dhënave

Penalizim për mashtruesit

Në bazë të ligjit nr.9304, të datës 28.12.2004, qytetarët që bëjnë vetëdeklarim duhet që ndërtesën e tyre ta kenë të përfunduar, ose së paku të jetë e ngritur si karabina. Lidhur me qytetarët që mashtrojnë në momentin që hedhin të dhënat në formular, neni 12 i ligjit për legalizimet e zonave informale parashikon që këta qytetarë të përjashtohen automatikisht nga procesi i legalizimit.

400 formularë

dorëzohen në javë

4000 formularë

dorëzuar deri tani

15000 ndërtime

pa leje në qytet

500 lekë

çmimi zyrtar i formularit

1000 lekë

çmimi i dorëzimit ”nën dorë”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›