E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjall e shëndosh në shtëpinë e tij,i del emri si i vdekur “në shtyllë”

18/03/2005  Shaka “pa kripë”, enigmë autori

LAÇ - Një shaka “pa kripë” ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në një familje të fshatit Zhejë. Një njoftim vdekjeje i rremë ka pështjelluar gjatë ditës së djeshme jetën e një familjeje, mbiemri i së cilës nuk bëhet i ditur, vetëm për arsye etike. Megjithëse për familjen çdo gjë është sqaruar brenda pak orëve, akoma ka ngelur mister personi që i ka ndjellur vdekjen me njoftimin e rremë 50-vjeçarit nga fshati Zhejë.

Njoftimi

Djali i “të vdekurit” është ndarë me të atin në shtëpi në mëngjes dhe ka dalë në qytet. Ndërsa në këndin e lajmërimeve të vdekjes ka parë njoftimin, ku lajmërohej vdekja e tij një ditë më parë dhe që njoftonte se varrimi bëhej ditën e djeshme. Kjo ngjarja e paprecedentë në rrethin e Kurbinit, ka bërë që mjaft banorë të mblidhen dhe të nisën për ngushëllim te familja e personit që ishte vendosur në lajmërim si i vdekur. Dje në mëngjes në këndin e lajmërimeve në qytetin e Laçit ishte vendosur nga persona të paidentifikuar akoma lajmërim së bashku me fotografinë. “Njoftojmë vdekjen e parakohëshme të babait tonë T.T, 50 vjeç. Varrimi bëhet ditën e mërkurë, në orën 14.00”. Ka qenë ky teksti i lajmërimit të vendosur së bashku me fotografinë në këndin e njoftimeve.

“Ringjallja”

Të afërm të tij, por edhe të njohur, janë nisur në drejtim të shtëpisë të personit, që i ishte vendosur lajmërimi i vdekjes. Të gjithë personat që kanë shkuar për t’i dënë lamtumirën T.T., kur kanë parë që ai iu ka dalë përpara, duke i pritur, janë shtangur, duke thënë në jo pak raste dhe me zë të lartë, jemi në “rregull” ne, apo kemi gabur fotografinë dhe emrin e vendosur në lajmërim apo ky ka vdekur dhe është ngjallur? Ndërkohë që një nga të afërmit e “viktimës” i ka treguar atij çfarë ishte shkruajtur në këndin e njoftimeve të personave që vdesin në Laç. Përsoni i “vdekur”, megjithëse ishte nga fshati Zhejë i rrethit Kurbin rreth pesë kilometra larg qytetit, njihej nga të gjithë banorët e zonës dhe ishte një njeri me reputacion. Rreth orës 11.00, lajmërimi është hequr nga këndi i njoftimeve, duke u zhdukur dhe duke hequr çdo mundësi që edhe organet e policisë të vijojnë një hetim, për të parë shenjat e gishtërinjëve të personit që ka vendosur lajmërimin e rremë, ose për të gjetur vendin ku është shtypur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›