E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rikthimi i heshtur i “Kostandinit”

18/03/2005  Pas 12 vitësh emigracion, aktori Bruno Shllaku swrish pranw teatrit “Migjeni“

SHKODËR - Ardhja e tij, pas një emigrimi të gjatë në Greqi, duket se e ka gjallëruar më tepër teatrin e Shkodrës. Nga populli i mbarë trojeve shqiptare njihet si Kostandini, për shkak të famës që mori drama “Gjaku i Arbërit”, ku Bruno Shllaku ishte figura më e spikatur. Së fundmi, ai është rikthyer qetësisht në qytetin e tij të lindjes, në teatrin e tij, pranë spektatorëve që për vite e kanë kërkuar e pritur imazhin e tij në skenë. Shllaku, lindi në qytetin e Shkodrës në vitin 1956, në një familje artistësh të shquar. Ngjitja e shkallëve të skenës filloi që në moshën 11- vjeçare në teatrin “Skampa” të Elbasanit, në një pjesë ruse e vënë në skenë nga i ati, Leci, i cili në atë kohë punonte në atë qytet. Në vitin 1977 megjithëse fiton pikët maksimale për të studiuar në Institutin e Lartë të Arteve, atij i mohohet e drejta për shkak të “biografisë së keqe”. Deri në 1982, merr pjesë në trupa amatore dhe me ndihmën e të atit dhe të aktorëve të tjerë të shquar, ai bëhet një aktor profesionist. Në vitin 1982 aktivizohet në skenën e teatrit “Migjeni”, duke u dalluar për rolet e tij, aktivizim ky që vazhdoi deri në 1993. Ndër dramat më të spikatura, ku ai tregoi vlerat e tij si aktor, përmenden: ”Gjaku i Arbërit”, “Hetimi”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ”Çështja e Blertës”. Në një intervistë për gazetën “Metropol”, Bruno Shllaku ka rrëfyer vitet e tij të mungesës, rikthimin e planet si aktor.

Rikthimi pas 12 vjetësh, a ka ndonjë domethënie për ju?

Rikthimi në teatrin “Migjeni” ka një domethënie të madhe për mua, sepse rikthehem në një teatër madhështor, në të cilin nuk kam pasur asnjëherë dështime dhe për 12 vjet skena e këtij teatri më ka munguar jashtë mase, sa mund ta krahasoja me një lloj vetëvrasjeje shpirtërore dhe artistike. Rikthimi më ka mbushur me emocione dhe me përgjegjësi të mëdha njëkohësisht, pasi ishte kjo skenë që më dha emër në të gjitha trevat shqiptare, ishte pikërisht kjo skenë që më lidhi për 10 vjet rresht me aktorët e shquar Tinka Kurti, Lec Bushati, Bep Shiroka, Ndrek Prela, Ymer Bala, bashkëshorten time Paskualinën (Gruda) etj., me të cilët kemi dhënë shumë shfaqje, që u ngulitën thellë në mendjet jo vetëm të shkodranëve, por të të gjithë shqiptarëve. Prandaj e them me bindje të plotë se jam i kënaqur që jam kthyer dhe nuk jam penduar aspak.

A keni qëndruar i lidhur me artin edhe gjatë 12 vjetëve në Athinë?

Patjetër që po. Bashkë me gruan time, Paskualinën, menduam dhe themeluam një teatër për fëmijë, në një qytezë me 80 mijë banorë që asnjëherë nuk kishin parë skenë teatri me sy. Përveç kësaj pata fatin e rrallë për të ndjekur nga afër provat dhe shfaqjet e jashtëzakonshme, të pakrahasueshme me asnjë prej skenave të tjera, shfaqjet e teatrit antik grek dhe të tragjedisë greke. Një ndihmë të madhe më dha mësimi i gjuhës së mrekullueshme greke, që më lejoi të studioj dhe të fitoj një përvojë të madhe nga teatri dhe komedia greke, që njihen nga të gjithë si bankoprova për

teatrot më të famshme në botë.

Kujt ia dedikoni futjen dhe suksesin në skenë?

Ka qenë durimi dhe përkushtimi i vetë babait tim, aktorit dhe regjisorit, Lec Shllaku, që filloi punën me mua për të më formuar si artist që në moshë të vogël. Prej tij, kam mësuar të gjitha sekretet e skenës, duke filluar nga kostumografia, skenografia e deri te puna e fundit të marangozit. Pastaj ishte pjesëmarrja me trupat amatore, që ishte një shkollë më vete, ku ishe i detyruar t’i bëjë të gjitha vetë, sepse nuk kishte staf. Me kalimin e viteve, ndihmën e vërtetë profesionale ma dha pa u kursyer i madhi dhe i pakrahasueshmi Serafin Fanko, që u bë për mua zëvendësuesi i ILA, që m’u mohua pa të drejtë.

Cila ka qenë drama e parë me trupën profesioniste?

Drama e parë me trupën profesioniste ka qenë “Gjaku i Arbërit”, që pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe ngjalli emocione të mëdha sa herë që shfaqej jo vetëm te shikuesit, por edhe te ne aktorët. Drama ishte shkruar nga kolosi i dramaturgjisë shqiptare Fadil Kraja, që për mua është obelisku i dramaturgjisë shqiptare dhe regjisor ishte Serafin Fanko. Interpretimi në këtë dramë krahës aktorëve profesionistë të teatrit “Migjeni”, për mua ishte një nder i madh, një vlerësim dhe sidomos një bankoprovë për karrierën time.

Rezervat

“Jo teatrit modern, artëdashësit

kanë nevojë për teatër shqiptar”

Bruno Shllaku, pas rikthimit të tij, nuk është aspak i kënaqur me gjendjen e teatrit në përgjithësi.

“Teatrot sot po lënë shumë për të dëshiruar, aq sa mund të thuash se ka mbetur në vendnumëro. Për mendimin tim, teatri është një nga profesionet më të vështira ndër të gjitha të tjerat. Të qenurit aktor është me të vërtetë një barrë e madhe, që ta ngarkon jo vetëm qyteti, por mbarë kombi, gjë që të bën të mendosh se para se të dalësh në skenë, duhet ta dish mirë se kë do të përfaqësosh.” Me keqardhje, ai vë re se ky element sot ka ardhur duke u zbehur. Teatri ynë, sipas tij, po kalon një periudhë të vështirë, të cilën e kaloi Evropa para nesh në vitet ‘60. “Unë, personalisht - ka thënë ai - për “Metropolin”, jam kundra dhënies përparësi të teatrit absurd, abstrakt, surrealist etj., në një kohë që përparësia duhet t’i jepet dramave me taban kombëtar e të shkruara nga autorët shqiptarë, në mënyrë të tillë që të kënaqen të gjitha kategoritë e njerëzve e jo vetëm aktori apo regjisori. Sot për sot është ende herët që të kuptohet arti i huaj, ose mund të kuptohet nga një pakicë”. Teatri shqiptar, sipas aktorit Shllaku, duhet mbështetur fuqishëm te vlerat dhe tradicionaliteti i dramës shqiptare. Përveç kësaj, pas rikthimit, ai ka ndjerë se duhet të stimulohen artistët e vërtetë dhe forcat krijuese, në mënyrë që trupat e teatrove të furnizohen me materiale cilësore. Nga ana tjetër, Bruno Shllaku mendon se po veprohet gabim që, për hir të ofrimit të brezit të ri, të mënjanohen e të nxirren në pension artistët dhe krijuesit e vjetër, që i kanë dhënë tonin teatrove tona. “Problemet e mësipërme nuk i vuan vetëm Shkodra, por të gjithë teatrot e vendit dhe e gjitha kjo si pasojë e reformave institucionale që kanë sjellë, me dashje ose pa dashje shumë anomali”, ka mbaruar dje Shllaku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›