E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, mungojnë dhomat në reanimacion pranë Spitalit Infektiv



Ndërsa gripi i derrit është i pashmangshëm, spitalet gjenden ende të papërgatitura. Duket se mungesa e kushteve në spitale do ta vështirësojë edhe më tepër situatën në vend. Në Spitalin Infektiv, ku do të priten edhe rastet e para të të prekurve nga virusi H1N1, nuk ka dhoma të mjaftueshme për rastet e gripit. “Mund të mbulojmë 10 veta ditën e parë. Jemi përgatitur që rastet e para t’i hospitalizojmë, por popullata duhet të jetë e përgatitur për rastet që do të menaxhohen në shtëpi”,- u shpreh, Mjeku Pëllumb Pipero, në Spitalin Infektiv. Specialistët thonë se kanë kapacitete për të pritur 10 persona, Por sipas vëzhgimeve të bëra janë gati vetëm dy dhoma, ku do të qëndrojnë të prekurit e parë. Personeli sqaroi se godina e reanimacionit është në rikonstruksion dhe rastet emergjente të infektivit priten në ambiente më të kufizuara. Mjekët specialistë pohojnë se në Shqipëri edhe mund të ketë raste të prekura me virusin H1N1, por janë të pakonfirmuara. Shenjat e para nuk janë vetëm temperatura e lartë dhe kolla, por edhe të vjellat dhe diarreja. OBSH-ja rekomandon që strukturat e shëndetësisë të jenë të pajisura me një sasi tamifluje që përbën 25 % të popullsisë, por është e domosdoshme edhe marrja e vaksinës, e cila është e kushtueshme.
Specialistja e ISHP-së, Silva Bino, bëri të ditur 2 ditë më parë se ndonjë person mund të jetë prekur nga virusi. “Ndonjë person mund të ketë qenë prekur nga ky grip, ndërkohë që në tetor dhe nëntor do të kemi raste të tjera të këtij virusi”, -u shpreh specialistja, Silva Bino. Megjithëse specialistët bëjnë të ditur se masat për përballimin e situatës janë marrë, ata u bëjnë apel qytetarëve që të drejtohen në spitale nëse vënë re simptomat e para. Në të kundërt, virusi do të gjejë terren për t’u përhapur më gjerë në popullatë. Gjendja duket alarmante dhe e pashmangshme, tashmë që të gjithë vendet fqinjë konfirmojnë dhjetëra raste. Bino theksoi se në periudhën tetor-nëntor do të ketë raste të tilla. Ndërkohë që në të gjitha qendrat shëndetësore kanë krijuar kapacitetet në spitale për të pritur rastet e para. Në çdo qendër shëndetësore është krijuar një dhomë e posaçme për rastet e prekura dhe janë shpërndarë të gjitha pajisjet për personelin shëndetësor, siç janë dorezat, maskat etj. Në çdo qendër shëndetësore janë shpërndarë broshura për t’u bërë të njohur qytetarëve simptomat e sëmundjes.

Greqia shpall situatën pandemike në vend nga gripi i derrit

Shteti fqinj Greqia ka shpallur situatën pandemike në vend nga prekja e madhe që ka përfshirë virusi H1N1. Rreziku në vendin tonë ndihet edhe më i afërt pas kësaj situate të krijuar në Greqi, si dhe në shtetet e tjera fqinje me vendin tonë. Kështu, me 6 rastet e reja të ditës së djeshme, numri i përgjithshëm i të prekurve nga gripi i derrit në Greqi shkon në 222, prej të cilëve 102 janë shëruar krejtësisht. Për këtë arsye, du parë një rritje të përditshme të numrit të të infektuarve nga virusi H1N1 ministri grek i Shëndetësisë deklaroi se tashmë vendi ka kaluar në fazën e pandemise dhe kjo periudhë do të vazhdojë rreth 12 deri në 15 muaj. Parashikimet e specialistëve grekë, të bazuara edhe në statistikat globale bëjnë të ditur se ndoshta një në tre persona në Greqi do të kalojnë gripin e derrave dhe nëse virusi ndryshon gjenetikisht dhe bëhet më veprues, atëherë kjo shifër mund të shkojë deri në 53% të banorëve.

11 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›