Dymbëdhjetë marinarë shqiptarë, "peng" në Peskara
Bllokohet një anije shqiptare në portin e Ravenës në Itali. Në mënyrë të çuditshme, pa asnjë urdhër dhe pa asnjë problem, anija "Vega", së bashku me marinarët e saj, po mbahet "peng" në portin italian dhe nuk lejohet që të lëvizë nga moli edhe pse mund të rrezikohet jeta e njerëzve që janë në të. Sipas dokumenteve, anija është bllokuar në mënyrë të padrejtë, pasi pala nuk po legjitimohet për të bërë lëvizjen, edhe pse nuk është pronare e mallit që ndodhej në anije, por thjesht po transportonte për një palë të tretë. Siç thuhet dhe në dokumentet portuale, anijes i janë marrë në mënyrë të padrejtë dokumentet dhe po mbahet "peng" duke krijuar një situatë mjaft të rrezikshme veçanërisht për 12 marinarët shqiptarë, të cilët që nga data 6 nëntor mund të konsiderohen të izoluar edhe më keq se në një burg të sigurisë së lartë për vetë faktin se nuk lëvizin dot në asnjë shtet. Por në krahasimin me burgun, jeta e tyre është në rrezik nga momenti në moment, pasi situata e motit është vështirësuar shumë veçanërisht ditët e fundit. Gjithashtu, autoritetet italiane nuk i kanë lejuar marinarët shqiptarë që të furnizohen me ushqime të domosdoshme. Gjithçka është kthyer në kaos, sepse marinarët për efekt të motit nuk mund të furnizohen me mjetet e nevojshme jetike, gjë që e çon situatën në një përkeqësim dramatik, ndërkohë që autoritetet nuk u japin përgjigje. Gjithashtu, mësohet se nuk është hera e parë që në portin e Ravenës ndodhin ngjarje të ngjashme. Ndërkaq, mosndërhyrja e autoriteteve italiane për 12 marinarët që gjenden në rrezik, duket mjaft e çuditshme. Nuk rezulton të jetë dërguar ose të jetë marrë ndonjë masë nga Gjykata e Ravenës, e cila mund të ketë urdhëruar tërheqjen e dokumenteve të anijes, si dhe të ketë dërguar një listë të këtyre dokumenteve. Ndërkohë që në Peskara nuk ka pasur asnjë urdhër për konfiskimin e anijes, apo mallit që është në të. Sipas letërkëmbimit të bërë nga ana e pronarëve të anijes dhe autoriteteve portale, është bërë e ditur se, përderisa nuk ka një urdhër, në këtë situatë, kapiteni i anijes ka të drejtë të largohet menjëherë nga gjiri i Peskarës, edhe pa pasur nevojë (sipas ligjeve ndërkombëtare të lundrimit) për dhënien e lejes së nisjes, duke u drejtuar drejt portit të parë që e sheh më të arsyeshëm, duke shmangur kështu rreziqe më të rënda për marinarët dhe për anijen. Problemi i tyre në fakt është më i rëndësishmi, pasi janë familjarë, në rrezik. Dëmet aktuale si dhe humbja e përfitimeve për një anije të tonazhit të madh siç është "VEGA", kapin shifrën rreth 5 mijë euro në ditë. Anija është ndaluar në 6 nëntor 2009 dhe kanë kaluar njëzetekatër ditë. Të paktën shteti shqiptar të ndërhyjë që marinarët, të kenë mundësi të bëjnë festat pranë familjeve.
Re.kro