Kristin Scott Thomas, një amerikane në Paris
Çasti kur Kristin Scott Thomas e kuptoi se dëshira e saj nuk ishte që të shndërrohej në një yll kinemaje tipike përkoi me momentin kur vendosi që të mos luante më role romantike. Kjo ndodhi ditën kur një regjisor i tha se kishte ardhur koha që t‘i bënte personazhet e saj më ndjellëse dhe më interesante. "Pas kësaj këshille vendosa që të mos isha më personazhi bukurosh me drama dashurie. Në fakt ky stereotip kishte kohë që më kishte lodhur, vetëm se nuk ia kisha pranuar vetes", rrëfen aktorja. Që nga ai çast ka kaluar shumë kohë dhe ajo ka interpretuar në shumë role. Sot njihet jo për fytyrën e bukur dhe tiparet fine, por pikërisht për një seri rolesh karakterialë që kanë lënë gjurmë në kinema. Për këtë arsye shpesh e kanë quajtur edhe "mbretëresha e ftohtë", "copë akulli", por ajo është e vetëdijshme për "butësinë" e së shkuarës që e ka humbur në këmbim të forcës dhe ftohtësisë të së tashmes. I tillë është edhe roli i fundit i interpretuar në filmin "Askund, djalë", në të cilin ajo luan tezen e Xhon Lenonit, Mimin, një grua që karakterizohej nga ashpërsia dhe ftohtësia me njerëzit. Gjatë pjesës më të madhe të filmit nuk del i qartë pozicioni i saj, pra nëse i interesonte mbi të gjitha pozicioni dhe mirëqenia e të nipit, apo ajo e miklimit të egos së saj të përmasave të jashtëzakonshme. Kur e pyesin se çfarë e tërhoqi më shumë në një rol të tillë, ajo përgjigjet: "Njerëzit shpesh kanë natyra të dyfishta. Mund të kenë një dukje të ashpër e të ngurtë dhe të gjykohen si inatçinj e grindavecë, por në fakt thellë-thellë mund të ndodhë që fshehin thesare të vërteta dashurie. Unë e kam studiuar personazhin tim dhe doja që të nxirrja në pah pikërisht këtë anë të brendshme e të panjohur".
Filmi flet për Lenonin gjatë viteve të tij të adoleshencës, kur jetonte me tezen e tij dhe po përpiqej që të rivendoste një marrëdhënie me të ëmën, Julia. Të dyja motrat përfaqësojnë dy tipa krejtësisht të ndryshëm. Ndërsa Mimi është përfaqësuesja e gruas strikte dhe shumë të përgjegjshme, Julia është vajza që nuk njeh kufij, nuk ka paragjykime, që i pëlqen të jetojë e lirë e pagjykuar dhe pa gjykuar askënd. Këtij roli ajo i është dedikuar shumë dhe e ka bërë me skrupulozitetin e një profesionisteje që tashmë e di se ku i kanë kleçkat rolet dhe kërkon që të japë maksimumin. Është 49 vjeçe dhe e di se pas pak nuk do të ketë më mundësinë e zgjedhjes së personazheve, por do t‘i duhet të pranojë ato që do t‘i propozojnë. Në fund të fundit bëhet fjalë për një botë si kinematografia, që vërtet të ngre në qiell dhe të pasuron në një moment të caktuar, sikundër të përplas dhe të braktis kur nuk i duhesh më. "Megjithatë, personazhi im më pëlqeu dhe nisa ta studioj me zellin e një fillestareje. Isha e lumtur që më erdhi një rol i tillë, pasi që prej disa kohësh po më vinin vetëm propozime limonadë. Unë si natyrë mërzitem shumë shpejt me gjërat, me njerëzit dhe punët. Por ky rol më tërhoqi pikërisht se nuk po më krijonte mërzi". Kur flet të lë përshtypjen se është një njeri që ka edhe ajo si gjithë të tjerët shumë pasiguri. E të mendosh që kjo është gruaja, të cilën producenti i famshëm i Hollivudit, Harveym Winstein, e ka konsideruar si një nga artistet më të mëdha të brezit të saj. Ajo është nominuar për një "Oskar", ka fituar një çmim "Bafta" dhe ka pasur suksese të jashtëzakonshme në shumë filma të mirë. Ndër ta mund të përmendim "Katër martesa dhe një funeral", "Pëshpëritësi i kuajve", "Të kam dashur kaq shumë", "Pacienti anglez", "Gosford Park".
Por, ndërsa kujton shumë mirë momentin kur vendosi që të bëhej aktore serioze, Scott nuk mban mend se kur vendosi që ta zgjidhte këtë profesion. "…Sepse mund të kem qenë rreth 4 vjeçe dhe po luaja me kaubojsa. Fqinji im bëri sikur më qëlloi me pistoletë dhe unë rashë në tokë si të isha goditur me të vërtetë. Ndërsa rashë, më kujtohet se u përpoqa që të dukesha sa më shumë si e vdekur, duke u përpjekur që të mos merrja frymë. Fqinji, me të cilin po luaja, më bëri një lëvdatë të madhe, duke më thënë se dukesha si një aktore e vërtetë me krahët e hapur dhe në atë çast ka të ngjarë që të kem ndarë mendjen për herë të parë që të bëhesha aktore". Ajo, katër motrat dhe vëllezërit e saj jetonin në një shtëpi në qendër të Amerikës. "Fëmijëria ime ka qenë e lirë dhe e lumtur deri ditën kur vdiq im atë. Gjashtë vjet më pas vdiq edhe njerku im. Të dy ishin pilotë dhe të dy pësuan aksidente ajrore. Këto vdekje të njëpasnjëshme të njerëzve të dashur më dhanë një sens mortor në jetën time dhe nisa të mendoj që herët për vdekjen dhe për atë që mund të vinte pas saj. Kam nxituar gjithmonë duke dashur të bëj sa më shumë gjëra që është e mundur, pasi e dija që hershëm që jeta është e shkurtër dhe ndonjëherë vdekja të vjen pikërisht atëherë kur e pret më pak. Megjithatë vdekjet e fëmijërisë më bënë që të më humbiste vetëbesimi. Ishin goditje nga të cilat e mora veten shumë vonë. Ishin ndjenja ndaj të cilave më duhej që të luftoja, që më bënë të mos i besoja shumë njerëzit, të mos i doja me gjithë zemër, sepse ata iknin duke më lënë mua me zemër të thyer". Më pas Scott shkoi në një shkollë me konvikt. Pikërisht këtu nisi për herë të parë të merrte pjesë në teatro të vegjël dhe të luante në pjesë të shkurtra teatrale. Studimet universitare zgjodhi t‘i bënte në degën e Dramës, edhe pse i kishin thënë që në fillim se nuk e kishte talentin e duhur. Por, gjithsesi, luftoi shumë për rolin e zonjës Makbeth në punën e diplomës, me të cilin pati mjaft sukses dhe tërhoqi vëmendjen e atyre që më parë e kishin nënvleftësuar. Më pas shkoi në Paris për të perfeksionuar frëngjishten dhe për të punuar në botën e teatrit. Ndërkohë nisi që të frekuentonte shkollën e lartë të artit dhe teknikave të teatrit, ku edhe takoi një mësues dhe mentor të madh të sajin, Francois Olivennes. Kur e takoi për herë të parë, ai ishte student mjekësie e më vonë u shndërrua në aktor. Më pas u martuan dhe sollën në jetë 3 fëmijë. Por, pas përfundimit të shkollës, në moshën 16-vjeçare ajo pati edhe rolin e parë të rëndësishëm "Nën Hënën e qershinjtë", në të cilin luante rolin e një princeshe franceze. Aty interpretonte edhe këngëtari i famshëm Prince. Filmi doli një dështim i plotë dhe më e keqja ishte se në këtë mënyrë Kristin pësoi një goditje të madhe në vetëbesimin e saj si aktore. Iu duk sikur gjithë paragjykimet që kishte dëgjuar për talentin e saj iu rikthyen dhe këtë herë për ta dërrmuar përfundimisht. "Unë nuk është se jam shquar ndonjëherë për ndonjë vetëbesim të madh, por ajo goditje ishte e rëndë. Kur je në fillim të karrierës ke nevojë për inkurajime dhe nëse në vend të tyre përballesh me një dështim, atëherë rruga vështirësohet akoma më shumë", thotë aktorja kur kujton dështimin e saj të parë. Po çfarë e bëri që të vazhdojë dhe të mos e linte gjithçka përgjysmë? Unë mendoj se ishte një ndjenjë mazoiste që më nxiste dhe më shtynte përbrenda me shumë forcë. Teksa lëndohesha kisha kënaqësi dhe vendosa që ta vazhdoj për hir të dëshirës për të ndier sërish këtë lloj kënaqësie". Pas dështimit erdhi gjithsesi një rol që e bëri të njohur dhe i riktheu në një shkallë të konsiderueshme vetëbesimin. Filmi ishte "Katër martesa dhe një funeral", një komedi tipike britanike me humor e sarkazëm dhe me një dozë të pamungueshme romance. Në këtë film ajo luajti rolin e një trashëgimtareje aristokrate. Po ndërsa ky ishte roli që e risolli në vëmendje, ai ku ajo fitoi vëmendjen e të tjerëve ishte filmi që fitoi edhe çmimin "Oskar", "Pacienti anglez". "Ka qenë një film në të cilin doja të luaja pa tjetër. U tregova jo ngulmuese, por gati e pafytyrë me regjisorin e filmit. Ai kishte plane të tjera dhe nuk më besonte shumë fillimisht, por unë e binda dhe roli doli një sukses i jashtëzakonshëm. Madje, për këtë rol mora edhe një nominim për çmimin ‘Oskar‘". Më pas vjen filmi romantik "Pëshpëritësi i kuajve", në të cilin luan përkrah të famshmit Robert Redfort, apo filmi i Sidney Polak "Luftë zemrash", ku interpreton me Harrison Ford. Pas kësaj aventure kinematografike la gjithçka për t‘iu rikthyer teatrit, këtë herë teatrit francez, ku për disa vjet iu kushtua shfaqjeve të ndryshme të luajtura në teatrot më të mëdha të të gjithë Francës. Por cili ishte vendimi që e bëri të tërhiqej nga karriera kinematografike? "Pata një ngopje dhe mbi të gjitha isha për një kohë të gjatë larg shtëpisë, larg familjes. Kur ke fëmijë dhe duhet të xhirosh për javë të tëra larg tyre shumë shpejt vjen një moment që frustrohesh. Kjo më ndodhi edhe mua. Doja që të isha në shtëpi. Doja që të kisha një jetë normale, një jetë të vërtetë. Mua dukej sikur kisha dhënë trupin me qira për të prezantuar jetë të tjera, ndërkohë që me jetën time nuk po ndihesha mirë".
Në Francë Kristin ka bërë një karrierë të jashtëzakonshme në fushën e teatrit. Duke qenë se jeton dhe punon në Francë ka shmangur të gjitha efektet anësore negative që përjetojnë aktoret e famshme të Hollivudit, të cilat jetojnë në Kaliforni. E ndien se është me shumë këmbë në tokë dhe për më tepër që ka bërë zgjedhjen e duhur edhe për karrierën. "Ndryshe nga Hollivudi që kur mbush 45 vjeç si femër nuk ke shumë shanse për të punuar në kinematografi, në Francë ndodh e kundërta. Kinemaja dhe teatri francez i kanë shumë të preferuara gratë e moshës së mesme dhe kjo ka bërë që në Francë të jem shumë e kërkuar, gjë që nuk ndodh në Shtetet e Bashkuara. Mendoj që aktoret amerikane duhet të mësojnë frëngjisht nëse duan të punojnë edhe pas 45 viteve të jetës. Në vitin 2005 ajo u nda nga i shoqi dhe tani është divorcuar. Është e lumtur me fatin që ka pasur dhe me rrugëtimin që bëri me të shoqin për kaq e kaq vjet, kohë në të cilën sollën në jetë dhe rritën fëmijët. "Amerika është një vend i bukur, por ka ca zakone që mua nuk më kanë pëlqyer shumë. Sot, për shembull, të jesh aktore në moshën time ndodhesh nën presionin e vazhdueshëm për të bërë operacione plastike, apo për të fryrë buzët dhe mollëzat e faqeve. Unë nuk dua të jem pjesë e kësaj bote, sepse nuk dua që të jem fotokopja e askujt. Koleget e mia janë bërë aq të ngjashme me operacionet që kanë bërë, sa nuk dallohen më nga njëra-tjetra. Kanë të njëjtat buzë, të njëjtat mollëza, të njëjtin gjoks të hedhur edhe kur janë mbi 50 vjeç", thotë Kristin. Por jo se ajo nuk ka pasur tentativë që të bëjë ndërhyrje. "Kur njerëzit më telefonojnë dhe më thonë se jam shumë e aftë që të luaj rolet e plakave, më vjen që të marr telefonin e të thërras për ndihmë doktorin, por pastaj mendoj se si do të dal nga një ndërhyrje e tillë dhe pranoj më mirë realitetin se sa një ndryshim që do të më denatyralizojë".
Megjithatë Kristin duket e mrekullueshme edhe në prag të 50-ave. Kur u nda nga i shoqi pati disa artikuj revistash që e lidhnin me një aktor më të ri në moshë, por vetë Kristin nuk pranon kurrsesi të flasë për jetën e saj private. Edhe sikur të kishte një dashuri, ajo nuk do të rrëfehej kurrë. Fëmijët e saj janë të rritur. Vajza e madhe është 20 vjeçe dhe djemtë në adoleshencë. Të gjithë kanë ikur për të studiuar jashtë, ndërsa ajo vazhdon që të jetojë në Paris. Tashmë është sërish vetëm si dikur kur vendosi që të lërë Amerikën e të jetojë në Paris, kur kishte me vete vetëm ëndrra dhe shumë plane. "Po kush tha se tani nuk i kam?" - thotë Kristin, duke buzëqeshur me nënkuptim.