Dymbëdhjetë ndërtues pa leje denoncohen në prokurori nga inspektorati
Fieri, si një qendër e zhvilluar urbane, vijon të shënojë gjithnjë e më shumë ndërtime pa leje. Inspektorati Ndërtimor pranë bashkisë ka identifikuar me dhjetëra raste të tilla, ndërkohë që burime zyrtare të tij shprehen se, “edhe pse kontrollet për verifikimin e objekteve pa leje janë të shumta, shihet tendenca e ndërtimit të tyre edhe në ditët e sotme”. E preferuar për ndërtime pa leje është si qendra e qytetit ashtu edhe pjesët e brendshme të tij. Ndërsa në pjesën e periferisë është kthyer në fenomen “lulëzimi” i ndërtesave pa leje. Vetëm për tremujorin e parë të vitit 2010 numri i ankesave të qytetarëve, të cilët kanë denoncuar se në pronat e tyre po ngrihen ndërtime pa leje, që janë depozituar pranë Inspektoratit Ndërtimor të bashkisë është 80.
Sabaudin Alliaj, kreu i Inspektoratit Ndërtimor pranë bashkisë ka thënë se ritmi i denoncimeve për objektet pa leje është po i njëjtë me atë të një viti më parë. “80 banorë kanë kërkuar ndërhyrjen tonë, pasi në pronat e tyre kanë parë që po ndërtohen objekte pa asnjë leje ndërtimi. Nga këto 80 ankesa është dhënë zgjidhje për 62 prej tyre, ndërkohë që pjesa tjetër është në shqyrtim. Nuk bëhet fjalë për dosje të mbartura gjatë vitit të shkuar, por për 80 raste të regjistruara gjatë periudhës janar-mars 2010”, ka thënë Sabaudin Alliaj, kreu i Inspektoratit Ndërtimor në bashki.
Alliaj shpjegon gjithashtu se rruspa ndërtimore ka hedhur në shesh 60 ndërtime pa leje, por paralel me këtë ndërhyrje ka aplikuar edhe sanksione të tjera. “Jo vetëm kemi shembur ndërtime pa leje, por kemi aplikuar edhe gjoba të rënda për disa shkelës. Madje, kemi arritur deri në ndjekje penale të disa të tjerëve. Janë dërguar për ndjekje penale 12 raste”, ka thënë për gazetën Sabaudin Alliaj, kreu i Inspektoratit Ndërtimor.
Natyra e ndërtimeve të hedhura në shesh nga rruspa ndërtimore ka qenë e larmishme. Nga shqyrtimi i dosjeve të rasteve të këtij viti del se një pjesë e madhe kanë qenë ndërtime ku realizoheshin shërbime të ndryshme tregtimi. Ndërkohë që pjesa tjetër ka qenë garazhe dhe mure rrethues.
#