E Diel, 1 Nëntor 2026

La Stampa: Përgjigjet e pyetësorit kërkojnë dy vjet

Mediat “Progresi i Shqipërisë drejt BE-së është frenuar nga kriza parlamentare”

Në një shkrim të sajin, në numrin e sotëm në lidhje me dorëzimin e pyetësorit nga ana e Kryeministrit Berisha në Bruksel, e përditshmja italiane “La Stampa” shkruan se përgjigjja e Komisionit Europian mund të vonojë edhe dy vjet dhe se mundësia për pranimin e Shqipërisë në vitin 2014 mund të quhet një tezë jorealiste. Në shkrimin e përgatitur nga redaksia e korrespondentëve, jepet një kronikë e takimeve të Berishës me komisionerin e zgjerimit, Stefan Fule. Ndërsa shprehet optimist për liberalizimin e vizave në fund të vitit 2010, gazeta e dytë italiane për nga tirazhi thekson se mund të vonohet integrimi.

Në shkrimin e saj “La Stampa” shkruan: “Pyetjet e komisionit për të cilat Tirana është dashur të përgjigjet, u përkasin sektorëve me interes për BE-në. Veçanërisht stabilitetit demokratik të institucioneve, ekzistencës së një ekonomie në gjendje të mbështesë rregullat e konkurrencës dhe të një tregu unik, respekti për të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e pakicave, por edhe shteti i së drejtës dhe gjyqësori, korrupsioni e kriminaliteti”.

Duke cituar Kryeministrin Sali Berisha, “La Stampa” thekson se “lufta ndaj kriminalitetit e ka sjellë Shqipërinë në treguesit më të ulët të krimit, duke u krahasuar në mesataren komunitare”.
Ndërkaq, duke cituar komisionerin e BE-së për zgjerimin, Stefan Fule, gazeta italiane thekson se “do të bëjmë kujdes të veçantë për arritjen e kritereve të Kopenhagenit, pasi këto kritere bëjnë të ditur se për t’u bërë pjesë e BE-së një vend kandidat duhet të arrijë tri kritere kryesore. Në radhë të parë, në fushën politike: duhet të ketë institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Në radhë të dytë, vendi duhet të demonstrojë ekzistencën e një ekonomie tregu duke respektuar konkurrencën brenda unionit dhe në fund është kriteri i acquis comunitare, që është pranimi i të gjitha obligimeve që rrjedhin nga aderimi dhe në mënyrë të veçantë objektivat e bashkimit politik, ekonomik e monetar”. Ndërkaq, e përditshmja italiane, duke cituar Fulen, thekson më tej se “për kohët e duhura për analizimin e dosjes voluminoze Brukseli nuk ngutet. Do të varet në pjesën më të madhe nga cilësia e përgjigjeve të furnizuara nga Shqipëria. Por disa ekspertë besojnë se do të duhen rreth dy vjet për të formuluar një vlerësim të parë, ndërsa objektivi i aderimit në vitin 2014, siç është theksuar disa javë më parë nga disa qeveri europiane, duket jorealist.

Kriteret që duhen respektuar, nënvizojnë ekspertët e komisionit, janë të vështira dhe janë të njëjta për të gjitha vendet aspirante. Shqipëria ka nevojë për kohë që t’i arrijë, por nuk ka asnjë motiv për të dyshuar mbi kapacitetin e vendit për të marrë vendimet e duhura dhe për të ecur me sukses drejt anëtarësimit, edhe pse kjo do të kërkojë vite këmbëngulje dhe sforcim të madh”, thekson më tej e përditshmja italiane “La Stampa”. Ndërkaq, në shkrimin e gjatë të botuar në numrin e djeshëm të gazetës që ka qendrën e saj në qytetin e madh të Torinos dhe është pronë e grupit FIAT, theksohet se “momentalisht progresi i Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian është frenuar nga kriza parlamentare që rëndon për të ardhmen e vendit. Komisioneri i zgjerimit ka shprehur sërish shqetësimin e tij për situatën politike, kur tha se punimet parlamentare pa praninë e opozitës nuk respektojnë standardet demokratike europiane.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›