E Diel, 1 Nëntor 2026

Thumanë, mes familjeve që jetojnë në qiell të hapur

Komuna nis verifikimin e dëmeve. Pushteti vendor i konsideron arbitrare prishjet e banesave

Nën agun e një dite të re, krejt të pazakontë, gërmadhat e shtëpive në Thumanë dergjen si trupa të copëtuar nga korbat e territ. Pleq e fëmijë të drobitur shfaqen në to, ndërsa burrat e gratë përpiqen të sajojnë me fletë llamarine ndonjë barake provizore për të kaluar netët e ardhshme. Kanë ngelur në qiell të hapur. Shpresa që kishin te gjyqësori u ka vdekur. Po ashtu dhe ajo te pushteti qendror e vendor. Mes gërmadhave të objekteve që deri një ditë më parë ishin shtëpi banimi dëgjohet kakarisja e një pule. Duken orendi të dëmtuara dhe sy grash që lotojnë. Një vërshim fadromash e skafandrash policore i la në pikë të hallit, pa tokë, pa shtëpi, pa një çati mbi kokë. Dhe ato pak para që u kanë akorduar për shpronësim nuk i kanë marrë. E mbi të gjitha kanë ngelur pa ushqime, pa ujë për t’u larë. Natën e parë e kanë kaluar keq e mos më keq. Disa me batanije hedhur krahëve, disa kanë sajuar kthina të vogla prej plastmasi, ndërsa fëmijët i kanë sistemuar nëpër makina. Mbi 50 frymë janë në hall. Mes gërmadhash shfaqen tre burra dhe një kameraman me kamera dhe aparat fotografik në dorë. Nis të fiksojë në celuloid pamjet e trishta. Janë zyrtarë të Komunës Thumanë të kryesuar nga nënkryetari Dashamir Hidri. Kanë nisur verifikimin e dëmeve të shkaktuara në orenditë shtëpiake nga prishjet e një dite më parë. Prania e tyre irriton disa prej burrave. Kur u përleshën me policinë asnjë prej përfaqësuesve, të votuarve të tyre nuk u duk. Dhe kur gjithçka shkoi, ata u futen në oborret pa dyer e pa shtëpi si për t’u qarë hallin. “Kur një Bojaxhi nuk ndërton, patjetër që do prishë me të keq“, thotë një e moshuar ndërsa rrufit kafen në gërmadhat e asaj që deri dje ishte një shtëpi. Vlerësimet e banesave dhe tokës truall ku ngriheshin janë thuajse qesharake për ta. Të gjithë të dëmtuarit janë vendas. Me përjashtim të një familjeje dibranësh që deklaron se ka ardhur 25 vjet më parë nga Kalaja e Dodës. Faslli Caka është një nga kryefamiljarët e prekur nga shembjet. Ndihet i pafuqishëm. Janë 15 milionë lekë të vjetra me të cilat nuk mund të blejë as tokë truall, jo më të ndërtojë shtëpi. Pak metra më tutje të rinjtë e familjes së madhe Caka diskutojnë për dëmet e mëdha që u janë bërë. Miliona lekë të hedhur, 8 vjet jetë në emigracion në Angli dhe gjithçka e shkërmoqur në një çast nga një vendim i panjoftuar më parë. “Na gjetën në befasi. Ne nuk ishim kundër zgjerimit të rrugës, po kundër vlerësimit të padrejtë që iu bë pronës tonë dhe për këtë kishim kërkuar drejtësi në gjykatë. Askush nuk e mori parasysh këtë dhe na lanë në rrugë. Na dogjën shpirtin. Ne nuk e dinim që ato do të vinin më datën 16 të na prishnin shtëpitë. Kryetari i komunës Gëzim Keqi na siguroi se vijnë thjesht për presion”, tregojnë kushërinjtë Agim e Hamit Jangozi. Me kryet nga rruga, që u bë sebep, pjesëtarë të familjeve Keqi, Dika, Jangozi, Caka, Muzhaqi, etj. kanë mbetur të pashpresë, nën qiell të hapur. Disa prej tyre, më të kthjellët në këtë fatkeqësi që u ra e dinë se shteti ka detyrime ndaj tyre. Kërkojnë të paktën çadra dhe mbështetjen financiare të shtetit për t’u sistemuar për disa muaj në banesa me qira. Jeta qenka një luftë. Një luftë e madhe kur mbi kokë të udhëheqin njerëz që nuk duan t’ia dinë për ty, ndërsa vetë mbyllen në kulla të fildishta dhe lëvizin me makina luksoze e avionë. Ata janë atje, buzë rrugës dhe presin ndihmë. Sot është një tjetër ditë e re, ndonëse jo për ta.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›