“Do investojmë më shumë se Reali”
Biznesmeni Kinez, Keni Huang, i cili
është një ndër blerësit potencial të Liverpulit ka deklaruar se në rast se ai arrin të marrë pronësinë mbi klubin atëherë shuma e të hollave që do të shpenzohet për klubin do të jetë më e madhe se ajo e Mançester Sitit apo e Realit të Madridit. “Ne kemi shprehur dëshirën tonë për të përfunduar marrëveshjen në një kohë sa më të shkurtër. Kemi deklaruar gjithashtu se jemi të gatshëm të ndërtojmë stadiumin e ri të klubit së bashku me rikonstruksionin e të gjitha mjediseve të saj. Në rast se marrëveshja arrihet atëherë do të investohen shuma tepër të mëdha për të sjellë në Liverpul lojtarët më të mirë që do të jenë të lirë në treg. Nuk më pëlqen të marr si njësi matëse klubet e tjera por megjithatë mund t’ju siguroj që sasia e investimeve do të jetë më e madhe se ajo e Mançester Sitit apo Realit të Madridit”, është shprehur për mediat zëdhënësi për shtyp i Huang, i cili ka bërë publike edhe strategjinë për përhapjen e imazhit të ekipit në Azi. “Sigurisht që ne nuk duam vetëm të shpenzojmë. Qëllimi jonë kryesor është të rrisim të ardhurat e klubit dhe për këtë jemi të vetëdijshëm që fillimisht duhet të shpenzojmë. Futja e imazhit të Liverpulit në tregun aziatik është një ndër strategjitë tona për të korrur fitime. Kemi besim që përpjekjet do të jenë frytdhënëse dhe se shumë shpejt klubi do mund të zërë vendin që i takon si brenda Premier Ligës ashtu dhe në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar komentin zëdhënësi për shtyp i Huang. Biznesmeni i cili sipas burimeve ka mbështetjen edhe të Qeverisë kineze do t’i duhet fillimisht të mund konkurrencën e biznesmenit Sirian, Jahia Kirdi, i cili pak ditë më parë deklaroi se është mjaft pranë zyrtarizimit të kontratës dhe blerjes me pronarët Hiks dhe Xhillet.