Sa pak Shqipëri në Champions!
Që legjionarët shqiptarë janë në periudhën e tyre më negative gjatë dy dekadave të fundit kjo shihet edhe nga pjesëmarrja në Kupën e Kampioneve. Asnjë skuadër, ku aktivizohen lojtarët shqiptarë (me pasaportë shqiptare) nuk ka mundur që të kualifikohet për në raundin e "play-off"-it, i cili të çon më pas në ndeshjet në grupe të kompeticionit më prestigjioz të kontinentit evropian. Nëse sezonin e shkuar Shqipëria prezantohej nga Atin Haxhi, APOEL-i i të cilin arriti të shkonte deri në fazën e grupeve, për këtë vit mjaftohemi me një përfaqësim në rang zv/trajneri. Anderlehti, ku trajner i dytë është ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Besnik Hasi, ka shansin që të luajë kualifikimin ndaj kampionëve të Serbisë, Partizanin e Beogradit. Sfida pritet të jetë mjaft e fortë edhe për faktin se serbët njihen për lojën e ashpër sidomos në fushën e tyre. Veç Hasit, Shqipëria mund të krenohet, ndonëse jo totalisht edhe me kosovarët e Bazelit, skuadër kjo që do të ndeshjet ndaj Sherif Tiraspolit, ekipi moldav i cili eliminoi në turin e dytë kampionen e Superiores, Dinamon (3-1, ndeshja e parë në Moldavi, 1-0 për blutë, në Tiranë). Me zviceranët aktivizohet talenti shqiptar, 17-vjeçari Granit Xhaka (2 ndeshje, 5 minuta në total, 1 gol), por dhe Beg Ferati dhe Xherdan Shaqiri (2 ndeshje, 1 gol). Ky i fundit ishte edhe pjesë e Kombëtares së Zvicrës në Botërorin e Afrikës së Jugut.