Gjykata pranon pendesën e prostitutës për vrasjen e berberit 6 muaj më parë
Luan Kondi
Tiranë - Albana Zenelaj, prostituta nga Vlora që vrau në mars të këtij viti berberin nga Durrësi, 57 vjeçarin Gëzim Shullani, kërkoi mëshirë para gjykatësve për gjithçka kishte bërë. 37 vjeçarja mes lotësh ka mundur të thotë para trupit gjykues se ajo ishte vrasësja, por u justifikua se e kishte realizuar gjithçka në momentin që mendoi se 57 vjeçari ishte person me të meta mendore dhe kishte pasur frikë nga ai. Duke dëgjuar dëshminë e gruas togat e zeza vendosën që ta gjykojnë shkurt duke i dhënë mundësinë të përfitojë një të tretën e dënimit.
Ngjarja
Ngjarja për të cilën akuzohet Zenelaj ka ndodhur mbrëmjen e 2 marsit të vitit 2008. Pas një telefonate policia mbërriti në afërsi të ambasadës Jugosllave dhe gjeti atje trupin e pajetë të një burri rreth të 55-tave. Më pas u mësua se kufoma i përkiste Gëzim Shullanit, 57 vjeç nga qyteti i Durrësit. Sipas uniformave blu viktima ishte goditur në kokë më mjete të forta çka i kishte shkaktuar edhe vdekjen. Në lidhje me këtë ngjarje hipotezat e para ishin për një vdekje të shkaktuar nga ndonjë përplasje. Ndërkohë pas kërkimeve të mëtejshme burime të policisë së Tiranës thanë se hetimet ishin përqendruar për të zbuluar një vrasje të mundshme. Nisur nga një dyshim i tillë, efektivat policore nisën të kontaktojnë me familjarët e viktimës për ndonjë konflikt të mundshëm për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes.
Zbardhja
Krim me qëllim grabitjen e ka cilësuar policia e kryeqytetit vrasjen e Shullanit, ndërsa arrestoi dy autoret e dyshuar, një burrë dhe një grua, që së bashku grabisnin klientët. Albana Zenelaj, 37 vjeçe, nga Vlora, luante rolin e një prostitute, por sipas policisë në të vërtetë pas aktit seksual ajo grabiste klientët e siguruar prej mikut të saj, Petrit Lazaj, 38 vjeç. Viktima Shullani kishte zgjedhur të qëndronte disa orë me 37-vjeçaren Albana Zenelaj, por ai takim ishte i fundit për të, pasi gjeti vdekjen. Burime nga policia bënë të ditur se dy bashkëpunëtoret kryenin aktivitetin në afërsi të ish- ambasadës Jogusllave, në një ndërtesë të braktisur. Pasi e grabitën dhe plaçkitën 57 vjeçarin duke i marrë sendet personale dhe shumën e parave prej 4 mije lekesh, Lazaj dhe Zenelaj, e kanë qëlluar atë me mjete të forta në kokë, duke e lënë të vdekur. Policia ka ngritur ndaj tyre dhe akuzat e “vrasjes me dashje” dhe “ushtrimit të prostitucionit”. Madje më pas u mësua se Petrit Lazaj ishte person i shpallur në kërkim nga Gjykata e Beratit, e cila, me vendim të datës 14 dhjetor 2007, e kishte dënuar në mungesë me 6 muaj burg për veprën penale të vjedhjes me armë.
9 Shtator 2008