Gjykata, procedure të shkurtuar për gjykimin e të pandehurve të “Kredisë së keqe”
TIRANË - Tetë të pandehurit e operacionit “Kredia e Keqe”, të cilët akuzohen për mashtrime me kartat e kreditit, do të procedohen me gjykim të shkurtuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Gjatë seancës së sotme, gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes së të pandehurve, kërkesë që ka të bëjë me procedimin e tyre me gjykim të shkurtuar. Për këtë çështje janë në proces hetimi Taip Çelaj, 26 vjeç, ish oficer i kredisë pranë një banke, Sotiraq Vito, 42 vjeç, Mahmut Barziu, 40 vjeç, Arben Beqiri, 40 vjeç, Astrit Graceni, 66 vjeç, Luan Gjika, 47 vjeç, Blendi Sharra, 32 vjeç dhe Selman Mici, 44 vjeç. Në seancat në vijim, pritet që prokuroria të paraqesë konkluzionet përfundimtare të hetimit për procesin në ngarkim të këtyre shtetasve. Këta persona u arrestuan në janar të këtij viti, gjatë operacionit policor “Kredia e Keqe”, me akuzat: “mashtrim më shumë së një herë” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Sipas të dhënave hetimore, personat e sipërpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet, se kanë kryer veprime të kundërligjshme për pajisjen e individëve të ndryshëm në disa qytete të vendit me kredi bankare, pranë një banke të nivelit të dytë, në shuma të konsiderueshme.
Arrestohet 15 vjeçari, tentoi të vriste të miturën dhe shokun e saj
TIRANË - Një 15 vjeçar për pak sa nuk është bërë autor i një vrasjeje të dyfishtë në Tiranë. Adoleshenti me inicialet F. N ka tentuar të vrasë me armë pushkë gjysmë automatik 14 vjeçare me iniciale A.B dhe 24 vjeçarin Fadil Rushani, të dy banues në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite rreth orës 18.30 minuta në kryeqytet, dhe dyshimet e para të policisë janë se “mollë sherri” mund të ketë qenë 14 vjeçarja me inicialet A. B. Policia e komisariatit nr 4 të Tiranës arrestoi 15 vjeçarin duke parandaluar kështu vrasjen dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pushkë gjysmë automatike, si dhe 16 fishekë pushke. U dërguan të gjitha materialet hetimore të dosjes në Prokurori, për konsumim të veprave penale të “Vrasjes me dashje e mbetur në tentativë”, “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Kanosjes”.
Mbante në kroskotin e makinës pistoletën pa leje, ndalohet pas kontrollit të policisë
Tiranë – Udhëtonte me pistoletë në kroskotin e makinës, ndalohet 38 vjeçari. Burimet policore thanë për gazetën se shërbimet e Komisariatit Nr. 1 bënë të mundur kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të Ramadan Doçit, 38 vjeç, lindur dhe banues Tiranë.
Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit në mjetin e tij veturë tip “Benz 250”, me targë NOH 04801, në kroskot, ju gjet një pistoletë tip “TT”, e prodhimit kinez dhe një krehër me 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i mbante pa leje dhe që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
9 Shtator 2008