E Diel, 1 Nëntor 2026

Rektori i Vlorës: “Nuk kemi pedagogë dhe mjedise për mësimdhënie”

Flet rektori i “Ismail Qemalit”, Tanush Sashka, në prag të vitit akademik. Ai deklaron se mungon pavarësia e universiteteve shqiptare

Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, Universiteti i Vlorës përballet me mungesa të theksuara në stafin pedagogjik dhe mjedise për të realizuar mësimdhënien. Përmes një interviste dhënë për gazetën “Albania”, rektori Tanush Sashka flet për problemet me të cilat përballet ky universitet, i cili këtë vit do të pranojë rreth 2700 studentë, që ulen për herë të parë. Tashmë, numri i të gjithë studentëve ka arritur rreth 15 mijë dhe problemet janë të shumta. Sashka flet edhe për pavarësinë e universiteteve, cilësinë e mësimdhënies dhe binjakëzimet e Universitetit të Vlorës dhe ato amerikane apo italiane.
Tashmë ka mbetur më pak se një muaj për të filluar viti i ri akademik. Zoti rektor, sa do të jetë numri i pranimeve të studentëve me kohë të plotë në universitet? Po part-time? Krahasuar me vitin e kaluar, a do të ketë numër më të lartë pranimesh për vitin 2008-2009?

Këtë vit ne presim 2750 studentë të rinj. Nga këta pjesa më e madhe do të shkojë te Fakulteti i Shkencave Teknike. Ky numër është dyfishi i pranimeve të vjetshme. Në Universitetin e Vlorës nuk do të këtë më “part time”.

A do të hapen degë të reja në universitetin tuaj? Nëse po, cilat janë?
Diplomat e reja në universitetin tonë do të jenë: Inxhinieria mekanike, Shkencat Kompjuterike dhe Matematika. Këto degë u shtohen degëve ekzistuese të Fakultetit si Matematikë-Fizika, Inxhinieri Navale, Teknologji Informacioni, Navigacion dhe Peshkim Detar.

Një ndër pikat më të rëndësishme është cilësia e mësimdhënies. A i keni kapacitetet e duhura për ta realizuar këtë proces sipas standardeve?
Jo. Ne nuk kemi një numër të mjaftueshëm pedagogësh për të siguruar një mësimdhënie normale. Numri i stafit pedagogjik në Universitetin e Vlorës është 115. Ky numër është i ulët për një universitet i cili po shkon drejt shifrës 15 000 studentë. Ne na duhen menjëherë 70 - 80 pedagogë të tjerë. Problemi tjetër është se ambientet tona janë tepër të pamjaftueshme. Ne kemi një nevojë urgjente për ambiente shtesë. Këto dy kushte janë të domosdoshme për mbarëvajtjen e mësimit.

Shumë nga të rinjtë që mbarojnë studimet universitare nuk i kanë njohuritë e domosdoshme për t’u përballur me tregun e punës. A mendoni se kjo është një e metë e fakulteteve? A keni ndërmarrë ndonjë hap për njohjen dhe ekuivalentimin e diplomës së universitetit tuaj në shtete të tjera?

Natyrisht që është një e metë e madhe e universiteteve tona. Ne po përpiqemi të bëjmë diçka në këtë drejtim; kemi ndërtuar programet më bashkëkohore në gjithë Shqipërinë; kemi krijuar katalogun e studentit, i cili është një dokument me 300 faqe në gjuhën shqipe dhe anglisht; kemi krijuar një faqe të plotë interneti, ku informacioni është edhe në shqip, edhe në anglisht. Marrëdhëniet tona me universitetet perëndimore kanë marrë një hop shume të madh.
Hapi tjetër që ne mendojmë të marrim në muajt e ardhshëm është ftesa e një agjencie të huaj akreditimi për universitetin tonë. Unë personalisht kam kontaktuar me disa prej këtyre agjencive në Europë dhe në Amerikën e Veriut. Disa nga këto agjenci akreditojnë me mijëra universitete nëpër botë. Synimi i universitetit “Ismail Qemali” është që ky proces të fillojë në shkurt të vitit 2009 dhe brenda qershorit të 2009-s ne të jemi akredituar në një ose më shumë prej këtyre agjencive. Kjo do t’i bëj diplomat tona të vlefshme në botë.

Prej kohësh ka nisur një debat për cilësinë e arsimit të lartë në universitetet publike në Shqipëri. Çfarë hapash keni ndërmarrë për rritjen e standardeve në universitetin tuaj?
Cilësia lidhet direkt me dy çështje: Programet dhe stafin pedagogjik. Mendoj se kemi bërë një punë mjaft të mirë me programet; me ndonjë përjashtim të vogël, por kemi ende për të bërë me kualifikimin e pedagogëve.
Para dy javësh unë kam nënshkruar një marrëveshje paraprake me “Oakland University” për kualifikimin e pedagogëve tanë në Miçigan. Nga çdo departament ne kemi mbledhur dosjet dhe aplikimet e pedagogëve tanë, të cilët mendojnë se mund të përfitojnë nga ana shkencore nga një vizitë disa javore në Miçigan. Mendoj se gjatë vitin akademik 2008-2009 ne do të krijojmë mundësinë që 40-50 nga pedagogët tanë të vizitojnë Oakland University për periudha nga disa javë në disa muaj. Këta pedagogë do të ulen në leksione, do të marrin pjesë në laboratorë, do të shohin bibliotekën, do të bisedojnë me kolegë për mundësi projektesh të përbashkëta shkencore. Financimi do të bëhet nga Universiteti i Vlorës dhe nga Oakland University. Ne mendojmë se në të ardhmen bashkëpunimi me Oakland të shtrihet deri në diploma të përbashkëta dhe me tej. Oakland ka një nga programet më të mira në Amerikë për infermierinë; ka programe të shkëlqyera në shkenca dhe inxhinieri dhe ne do të përpiqemi të përfitojmë nga eksperienca e tyre.
Natyrisht, vizitat në Amerikë nuk do të zgjidhin gjithçka. Ne po përpiqemi të marrim një staf të kualifikuar dhe të diplomuar në universitete perëndimore. Gjatë javëve të fundit kemi marrë në punë Ron Ferguson (University of British Columbia), Stefan Kohl (Shtutgart) në Departamentin e Matematikes, Eustrat Zhupa (Universita di Bari) në Shkencat Kompjuterike dhe mjaft të tjerë. Numri i stafit pedagogjik me doktoratura në universitetit tonë është rritur ndjeshëm. Departamenti i Matematikës te ne është më aktivi në të gjithë Shqipërinë; stafi ynë pedagogjik po merr pjesë në konferenca ndërkombëtare në Poloni, Spanjë etj. Vetëm këtë vit numri i artikujve në revista shkencore ndërkombëtare nga Departamenti i Matematikës do të kalojë mbi 15 të tillë. Ky është një ndryshim rrënjësor nga universitetet e tjera shqiptare. Megjithatë, faktet e mësipërme janë sporadike dhe jo pjesë e jetës së përditshme universitare. Rezultatet nuk vijnë menjëherë; ne duhet të vazhdojmë të ngulmojmë për vite me radhë në praktika të tilla. Vetëm atëherë do të shohim një ndryshim cilësor që do të transmetohet tek të gjithë pedagogët, studentët dhe gjithë universiteti.

Sa të pavarura janë realisht universitetet shqiptare në bazë të legjislacionit që është për Autonominë e Universiteteve?

Universitet tona nuk janë të pavarura. Këtë ne duhet të kemi guximin ta themi hapur. Duhet kuptuar se pavarësia është diçka që nuk varet vetëm nga qeveria, por edhe nga ne vetë; nga opinioni që na rrethon. Ne vetë jemi fajtorët më të mëdhenj për mungesën e pavarësisë. Ndodh shpesh që pedagogët dhe stafi pedagogjik do të kontaktojnë persona në qeveri për të zgjidhur problemet që mund të kenë. Duke mos respektuar institucionin ku bën pjesë, nuk mund të presësh që ky institucion të respektohet nga të tjerët.
Problemi me shqetësues për mua është mungesa e pavarësisë në çështjet akademike. Unë e quaj diçka absurde që programet mësimore, degët e reja, drejtimi akademik i universiteteve të varet nga Ministria. Ne ende vazhdojnë sagën e masterave dhe programeve pasuniversitare për të cilat kemi aplikuar. Kemi aplikuar për këto programe që në 15 prill dhe ende nuk dimë se ç’do të bëhet me to. Për mua, kjo është alarmante. Ne si universitete, dhe vetëm ne, duhet të vendosim për çështjet akademike, kur ato nuk kanë ndonjë kosto financiare. Qeveria mund të ketë mekanizma ku të kontrollojë këto programe; të mos akreditojë, të presë fondet, por asnjëherë nuk duhet të marrë përgjegjësinë e kontrollit akademik të këtyre programeve.
Nuk është e keqja më e madhe nëse programet që ne do të krijojmë, nuk janë të gjitha të nivelit të kënaqshëm. Koha do t’i seleksionojë këto programe dhe ato të dobëtat nuk do të mbijetojnë. Por, duke kaluar çdo program nga një dorë e vetme, siç është Ministria e Arsimit, ne krijojmë rrezikun më të madh; mungesën e diversitetit dhe konkurrencës në fushën akademike. Unë shpresoj që universiteteve t’u lihet dorë e lirë në këtë drejtim; në të kundërt, kostoja në arsimin universitar do të jetë e madhe. Do të jetë në të mirën e të gjithëve që universitetet të luajnë rolin e tyre dhe jo gjithë barra t’i bjerë Ministrisë.

Vitet e fundit janë hapur shumë universitete private. Si i vlerësoni standardet e tyre. Sa ka ndikuar kjo në rritjen e cilësisë së mësimdhënies në universitetet publike? A do të lejoni që pedagogët tuaj të punojnë edhe në universitetet private?

Unë nuk njoh saktësisht nivelin e asnjë universiteti privat. Kemi dëgjuar në media dhe biseda të përditshme fjalë të këqija dhe fjalë të mira për këto universitete. Nuk është në natyrën time të komentoj për ato gjëra për të cilat nuk kam informacion të saktë. Në parim unë jam pro universiteteve private sepse kjo ndihmon konkurrencën. Është detyra e qeverisë që të sheshojë fushën e lojës dhe t’u krijojë mundësi për universitetet shtetërore të konkurrojnë me ato private. Është gjithashtu detyra e qeverisë që të mos ketë dallime midis universiteteve shtetërore.
Përsa u përket pedagogeve, detyra ime si rektor i Universitetit është që pedagogët tanë të jenë në mësim ose në zyrë gjatë kohës 8:00-17:00, që ata të kryejnë punime shkencore; që çdo artikull i botuar, të mbajë vetëm emrin e universitetit tonë dhe asnjë institucioni tjetër. Nëse një pedagog jep mësim në një universitet tjetër (privat ose shtetëror) kjo do të thotë se zemra e tij nuk është në Universitetit e Vlorës. Pra, ai person nuk po jep maksimumin për ne, kjo mjafton që ne të rishikojmë rolin e këtyre personave në lidhje me Universitetin e Vlorës.

Së fundi, Universiteti i Vlorës a do të ketë sërish emrin “Ismail Qemali”, pasi ende mbetet enigmatike se kush ishte shkaku kryesor i këtij debati, cilët persona e iniciuam dhe se çfarë kërkohej të arrihej përmes një nisme të tillë për ndërrimin e emrit?

Universiteti i Vlorës do të ketë emrin “Ismail Qemali”. Asnjëherë nuk ka pasur një vendim të Senatit për heqjen e emrit të universitetit. Asnjëherë nuk është dërguar në Ministrinë e Arsimit një propozim për heqjen e emrit të Universitetit. Ishte thjesht një diskutim në senat dhe vetëm kaq!
Mua me vjen keq që media dhe gjithë opinioni u manipuluan hapur, që artikujt filluan të shkruhen pa u kontrolluar mirë faktet. E vërteta ishte se brenda 2-3 ditësh artikujt dhe diskutimi kaloi nga “Ismail Qemali” te rektori. Sulmet u bënë personale shumë shpejt. Të gjithë ata që prekën në një mënyrë apo në një tjetër nga ç’po ndodh në universitetin tonë, u mobilizuan. Synimi ishte i hapur: Largimi i rektorit nga universiteti!
Personalisht për mua ka rëndësi puna që po bëhet në universitetin tonë. Ne i kemi vendosur disa objektiva vetes dhe shumica dërrmuese e pedagogëve në Vlorë janë të përkushtuar që ne ta shndërrojmë universitetin tonë në krenarinë e Vlorës; në një universitet modern bashkëkohor. Përfitoj nga rasti t’u uroj pedagogëve e Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë një vit të mbarë akademik.

Intervistoi: Albert Gjoka

9 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›