E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyqanet: Do të rrisim çmimet për shkak të vendosjes së TVSH-së

Bizneset e vogla në Korçë kërcënojnë me rritjen e çmimeve. Kjo sipas tyre pritet të ndodhë në rast të kalimit të bizneseve të vogla në të mëdha, sipas paketës së re fiskale. Bizneset në Korçë e kanë kontestuar këtë kalim për faktin se duhet të paguajnë 30-40% më shumë taksa të klasifikuara si biznese të mëdha. Në kushtet e krizës ekonomike, vetë subjektet e vogla deklarojnë se me aplikimin e kësaj pakete të re, pritet ose falimentimi i një pjese të madhe prej tyre, ose në të kundërt rritja e çmimeve për të përballuar kostot. Sipas shoqatës së biznesit të vogël në Korçë, 40% e këtyre njësive preken nga kalimi në biznese të mëdha, ndërsa pasojat financiare mbi subjektet e vogla do të jenë fatale deri në mbylljen e tyre për shkak të pagesave të larta ndaj shtetit. Kështu është shprehur kryetari i shoqatës së biznesit të vogël në Korçë, Albert Nasto, sipas të cilit çdo biznes do të paguaj 30-40% më shumë taksa, duke u përballur edhe me problemet e menaxhimit të subjekteve. "Janë 7000 biznese të vogla që po jetojnë në këtë amulli, pasi nuk është e qartë se cilat prej tyre do të kalojnë në biznese të mëdha. Për shkak se duhet të funksionojnë tashmë si biznese të mëdha, do të përballen me probleme të shumta financiare, duke paguar 30 deri në 40% më shumë për taksat. Kjo do të thotë se ky biznes është para dy zgjidhjeve, ose të rritë çmimet për të përballuar kostot si biznes i madh ose të shkojë drejt falimentit", thotë Albert Nasto. Nga të dhënat pranë tatimeve të Bashkisë së Korçës bëhet fjalë për të paktën 300 biznese që do të përfshihen në këtë kalim. Sipas drejtorit të të ardhurave pranë bashkisë, Petrika Tollkuci, kjo lëvizje ka një efekt financiar prej 35 milionë lekësh më pak që i ikin si të ardhura pushtetit lokal. "Me kalimin e të paktën 300 bizneseve të vogla në biznese të mëdha, reduktohen pagesat nga taksat për njësitë vendore. Nga përllogaritjet tona rezulton se ka një humbje prej 35 milionë lekësh, ndërkohë që vetë bizneset do të paguajnë shumë herë më shumë për llogari të degës së tatimeve. Vetëm për një periudhë njëvjeçare në Korçë u mbyllën si pasojë e mungesës së aktivitetit dhe të fitimit 280 biznese të vogla. Kjo tregon se biznesi i vogël nuk ka mundësi financiare për të kaluar në biznes të madh dhe do të kenë efekte negative", thotë Petrika Tollkuci. Paketa e re fiskale kontestohet nga dhjetëra biznese, të cilat nuk janë në gjendje të përcaktojnë në rast se do të preken apo jo nga ky proces që sipas tyre do të jetë selektiv dhe me pasoja të rënda në kushtet e kësaj krize. Grupet e interesit nuk janë marrë në konsideratë për këtë ndryshim dhe sipas bizneseve korçare, paketa e re do të shkaktojë një amulli të plotë. Njësitë tregtare kanë depozituar tashmë ankesa për këtë sistem, pasi sipas tyre nuk kanë të ardhura të mjaftueshme dhe mundësitë për t‘u trajtuar si biznese të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›