Kriza financiare, qeveria do të përdorë si masë mbrojtëse paratë e privatizimeve
Ervin Koçi
Qeveria shqiptare duket mjaft e frikësuar për prekjen nga kriza ekonomike vitin që vjen, për të cilën ka nisur seriozisht dhe marrjen e masave emergjente. Ministri i Financave zbuloi dje një detaj të ri në kuadër të masave që parashikon qeveria për një krizë të mundshme ekonomike gjatë vitit 2009. Bode e bëri të ditur strategjinë se si qeveria do të reagojë ndaj krizës nëse ajo prek edhe Shqipërinë. “Ne nuk do të marrim borxh suplementar, por do të zëvendësojmë borxhin që kishim planifikuar për të marrë nga bankat tona me kredi ndërkombëtare, duke i dhënë mundësi sistemit bankar t’i destinojë të gjitha lekët për kreditimin e biznesit dhe ekonomisë. Nga ana tjetër do të mbështesim konsumin përmes buxhetit”, - u shpreh ministri Bode. Kriza e mundshme mund të vijë në Shqipëri nëpërmjet rënies masive të çmimeve në tregun global, çka sipas të gjitha hipotezave mund të demotivojë prodhimin. Në këtë pikë, qeveria paralajmëroi një masë ekstreme, të paprovuar ndonjëherë më parë, që është vendosja e çmimeve referencë në sitë. Sipas ministrit Bode, “ne do të jemi aktivë me politikat tona fiskale, pasi deflacioni mund të sjellë pasoja mjaft të rënda. Shqipëria e provoi një herë në vitin 2002”. Kjo strategji e menduar nga qeveria është testuar edhe më parë ndonëse jo në të gjithë tregun. Për herë të parë gjatë këtij viti, qeveria aplikoi çmime reference për disa artikuj por edhe në pagat e sektorit privat.
Paratë e strategjikëve
Ndër masat që qeveria ka marrë për krizën e mundshme ekonomike, që besohet se do të godasë vendin gjatë vitit 2009, është dhe mundësia që ajo të përdorë paratë e privatizimeve të sektorëve të rëndësishëm për të mbuluar krizën. “Paratë e privatizimeve do të përdoren për krizën që mund të prekë vendin gjatë vitit 2009. Janë siguruar rreth 300 milionë dollarë që do të përdoren për krizën”, - tha Bode gjatë konferencës së fundit për shtyp të këtij viti ku ai prezantoi realizimet dhe mosrealizimet gjatë vitit 2008. Bëhet fjalë për rreth 300 milionë dollarë të siguruara nga shitja e “OSSH”-së, “INSIG”-ut dhe “ARMO”-s që qeveria do t’i përdorë për përballimin e situatave emergjente në rastet e krizës. Sipas ministrit të Financave, qeveria do të veprojë me politikat e saj për nxitjen e ekonomisë që të mos ndihet kriza në vend. Bode garantoi se sistemi bankar në Shqipëri është i sigurt, po ashtu edhe depozitat e qytetarëve në llojin monetar ose bono thesari.
Ekonomia shqiptare
Sipas kreut të Financave, ekonomia shqiptare performon pozitivisht përballë krizës globale. Sipas tij, “ana financiare është ajo më e sigurta pasi vetë sistemi bankar dhe manovrimi i Bankës së Shqipërisë ka bërë që në tregun financiar të mos ketë asnjë rrezik”. Ai ka vijuar më tej duke thënë se, “paratë janë më të sigurta në bankë sesa poshtë jastëkut të njerëzve dhe se ndihma më e mirë që mund të japë shoqëria shqiptare është që të mos bllokojë qarkullimin e parasë në vend”. Gjithashtu, ministri Bode ka përmendur edhe fondin që është parashikuar në buxhet për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes dhe privatizimin e tij. Rreth 1.3 miliardë do të jepen për këtë institucion në formën e subvencionit që shteti do të paguajë për Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve. Përveç këtyre, ministri Ridvan Bode bëri një përmbledhje të rezultateve të vitit 2008, duke thënë se niveli më i arritur është rritja e buxhetit nëpërmjet realizimit të taksave në një kohë kur ato janë përgjysmuar. Ai gjithashtu tha: “Shqipëria zë një ndër vendet e para në botë përsa u përket reformave të bëra në sistemin financiar”.
Fondi i kontigjencës, qeveria ka gati edhe 200 milionë dollarë për krizën
Ministri i Financave, Ridvan Bode, bëri të ditur dje gjatë një konference për shtyp se për çdo eventualitet qeveria ka gati 2 për qind të PBB-së si fond kontigjencë, ose rreth 200 milionë dollarë. Ai tha se edhe alokimet e kësaj kontigjence do të bëhen nëpërmjet vendimeve të qeverisë në ata sektorë që mund të prekemi nga kriza. "Janë një tërësi masash nga ana e sigurisë që vetë buxheti të jetë faktor nxitës për ekonominë dhe nga ana tjetër po ndiqet një politikë për të mbajtur të lartë kërkesën konsumatore në treg dhe kjo me anë të një politike pagash që po ndiqet nga viti në vit nëpërmejt rritjes së pagave", - deklaroi ministri Bode. Ndërkohë, zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, tha se Shqipëria është e paprekur nga kriza, por e rëndësishme është që kontigjenca të mbahet në nivele të larta. Qeveria synon të përdorë edhe paratë e privatizimeve të sektorëve të rëndësishëm për të mbuluar krizën. "Janë siguruar rreth 300 milionë dollarë që do të përdoren për krizën", - tha Bode.
25 Dhjetor 2008