E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikantët ikin nga duart Policisë, bllokohen 42 kg marijuanë



GJIROKASTËR – Tre trafikantë droge kanë arritur t’i largohen policisë, pasi kanë konstatuar se janë në ndjekje, ndërkohë që forcat e rendit kanë bllokuar një sasi prej 71 kilogramësh marijuanë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se pas mesnatës, rreth orës 00:30, në drejtin të kufirit të gjelbër midis Tre Urave dhe Leskovikut, u organizuan vëzhgimet në aksin rrugor Gjirokastër-Përmet pasi ishte konstatuar se tre persona po transportonin në krahë një sasi lënde narkotike. Nga agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar u bë ndjekja e këtyre personave, të cilët në momentin që konstatuan policinë lëshuan çantat në tokë dhe duke përfituar nga terreni mjaft i vështirë malor dhe errësira mundën të largoheshin. Në vendngjarje u konstatuan 3 çanta shpine të mbushura me pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban të tejdukshëm dhe ngjyrë kafe, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë. Këta persona do të bënin transportin e kësaj lënde narkotike deri në tokën greke. Sasia e lëndës së sekuestruar rezultoi të ishte 71 kilogramë. Policia tha se po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe kapjen e autorëve. Policia ka sekuestruar lëndën narkotike në cilësinë e provës materiale, e cila dyshohet të jetë prodhuar në komunën e Lazaratit dhe kishte destinacion Greqinë. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”. Gjashtë ditë më parë policia e Gjirokastrës organizoi operacionin e koduar me emrin “Skai” dhe prangosi katër shtetas me banim në Tiranë. Ata tentuan të kalonin drejt Greqisë një sasi prej 71 kilogramësh lëndë narkotike, e llojit marijuanë, por u ndaluan në pikën e Tri Urave. Edhe në këtë rast, si në ngjarjen e djeshme, trafikantët u ndaluan në aksin rrugor Përmet-Leskovik. Policia vuri në pranga shtetasit Leonard Luzi 26 vjeç, Oljon Muçollari dhe vëllezërit Jetmir dhe Shkëlzen Madani, lindur në Tropojë dhe banues në periferi të Tiranës. Nga ana e policisë u bë sekuestrimi i drogës dhe mjeteve tip “Opel”, me targa të huaja BS 055 JE, që drejtohej nga Jetmir Madani dhe Benzit me targa TR 6928 J, që drejtohej nga Olion Muçollari. Gjatë tre muajve të fundit janë regjistruar disa raste të tentativave të trafikut të lëndëve narkotike drejt Greqisë. Në Sarandë u arrestuan pesë shtetas nga Delvina, pasi iu gjetën dhe sekuestruan 286 kg Cannabis sattiva. Po ashtu, janë ndaluar edhe disa shtetas të tjerë në pikën kufitare të Tri Urave dhe në Kakavijë.

25 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›