E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet presidenti i ekipit të Elbasanit, Arben Laze, dyshohet për trafik heroine



Rikthehen “traumat” në radhët e drejtuesve të klubeve sportive shqiptare. Arben Laze, president i ekipit të futbollit të Elbasanit, u arrestua dje në lokalin e tij dhe bashkë me të është arrestuar edhe vëllai i tij, Fatjon Laze, pasi akuzohen për trafik ndërkombëtar droge. Arrestimet janë kryer nga Drejtoria e Antikrimit dhe operacioni është kryer në tre qytete të vendit, Elbasan, Lushnjë dhe Fier. Së bashku me dy vëllezërit Laze janë arrestuar edhe dy persona të tjerë nga Fieri. Ata janë Arben Prifti dhe Shkëlqim Hyzma. Të arrestuarit akuzohen për një organizatë kriminale dhe për trafik ndërkombëtar droge. Nga ana e policisë bëhet e ditur se të arrestuarit ishin nën hetim prej saj që prej 5 muajve. Gjithashtu bëhet e ditur se arrestimet janë kryer pas kapjes së Shkëlqim Hyzmës, i cili është kapur i pari me 1 kilogram drogë të tipi heroinë ditën e djeshme, në kthesën e Divjakës. Të dhënat paraprake të ofruara nga forcat e rendit flasin për një operacion, i cili ka pasur si qëllim goditjen e një linje të tërë të trafikimit të heroinës me origjinë Turqinë. Dje, burimet policore kanë qenë tejet të rezervuara në dhënien e informacioneve lidhur me këtë arrestim, aq sa lajmi është bërë i ditur fillimisht nga dëshmitarë okularë që ishin ulur në lokalin në pronësi të Lazes, ku u krye dhe arrestimi mbrëmjen e djeshme.
Atentati
Hijet e frikës ranë dhe dy vite më parë mbi presidentin e SK Elbasanit, kur një shpërthim i fuqishëm hodhi dyshimet se atë donin ta “eliminonin familjarisht”. Presidenti i Elbasanit, Arben Laze, u kthye në qendër të vëmendjes publike edhe dy vite më parë, kur në shtëpinë e tij shpërtheu një sasi eksplozivi. Arben Laze, njëherësh dhe një nga biznesmenët më të suksesshëm në qytetin e Elbasanit. Arben Laze ishte njeriu që mundi të sjellë për herë të dytë në Elbasan titullin kampion në sezonin 2005-2006, pas atij të fituar para 22 vitesh, në sezonin 1983-1984. Nga shpërthimi i eksplozivit dy vite më parë nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale në banesën e Lazes, ku u dëmtua dera e blinduar e banesës si dhe në banesat pranë të katit të katërt të pallatit 5-katësh në lagjen "Visarion Xhuvani". Fatmirësisht familja Laze nuk ndodhej në apartament në momentin e shpërthimit, duke i shpëtuar kështu një atentati që edhe mund t’i kishte pasur të tjera pasoja fatale për presidentin e ekipit verdheblu.
Dritëhijet
Presidentët e futbollit kanë qenë shpesh objekt i akuzave për krime dhe trafiqe të ndryshme dhe i arrestimeve. Më 25 prill 2004 u ndalua nga policia brenda në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", ish-presidenti i Dinamos, Mihal Delijorgji. Ai u akuzua për mospagim të detyrimeve në shtet e mashtrime në doganë, dhe u detyrua të paguante 1 milion dollarë që të fitonte hetimin në liri. Edhe dy ish-presidentë të tjerë, në rolin e sponsorëve të klubeve të futbollit, u akuzuan nga shteti shqiptar në kohën e piramidave financiare. Pëllumb Xhaferri (Lushnja) dhe Vehbi Alimuça (Partizani, Besa). Jashtë problemeve nuk ka qenë edhe ish-presidenti i Tiranës, biznesmeni egjiptian El Sayed, që ka pasur gjithashtu probleme me shtetin shqiptar, përkatësisht me Bashkinë e Tiranës gjatë vitit 2003.

Historiku, tre presidentë klubesh sportive janë ekzekutuar

Ekzekutimi prej profesionisti i ish-presidentit të Tomorit të Beratit, Edmond Malollari, më 14 dhjetor 2005, iu shtua një liste të gjatë të ngjarjeve kriminale që lidhen me futbollin. Njeriu që sponsorizonte klubin beratas të futbollit u bë i dyti president i Tomorit që gjen vdekjen nga plumbat. Përpara tij, më 14 maj 2000, u vra ish-presidenti Adrian Çobo, 32 vjeç, thuajse në të njëjtin vend në Tiranë, në një nga ish-lokalet pranë stadiumit "Selman Stermasi", te Tirana e Re, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Partizani-Tomori, të fituar nga skuadra beratase. Bashkë me Çobon, që arriti ta bëjë Tomorin një finalist në duelin me Tiranën për të fituar titullin e sezonit 1999-2000, u vranë në atentat edhe ish-gjyqtari i FIFA-s, Luan Zylfo si dhe u plagos në këmbë gjyqtari ndërkombëtar, Albano Janku. Një tjetër vrasje e bujshme është ajo e ish-presidentit të Vllaznisë së Shkodrës, Myftar Çela, 46 vjeç, që mundi t’i dhuronte titullin e fundit kampion Vllaznisë, në edicionin 2000-2001, pas atij të sezonit 1996-1997, gjeti vdekjen nga plumbat më 14 qershor 2002, në Tuz të Malit të Zi. Njeriu i akuzuar për këtë vrasje ishte Bajram Cunmulaj, ndërsa si motiv u deklaruan mosmarrëveshje në biznes. Çela fillimisht u afrua te Vllaznia si zv.president në krah të Azem Hajdarit, që gjithashtu është ekzekutuar më 12 shtator të vitit 1998. Në tjetër president i vrarë është edhe ai i Federatës Shqiptare të Boksit, Vajdin Lamaj, që u ekzekutua në ashensorin e pallatit të tij gjatë një atentati me eksploziv C4, të komanduar përmes celularit, më 1 mars 2005, pasi i kishte shpëtuar më parë një tjetër atentati, më 15 tetor 2004.

Atentatet, sponsorizimi i futbollit është jashtë kontrollit

Në fakt, motivet edhe në precedentët e mëparshëm për të cilat janë ekzekutuar, arrestuar apo dhe u janë bërë atentate, nuk kanë pasur aspak të bëjnë me futbollin. Në rastin e ish-presidentit të vrarë të Tomorit, Adrian Çobo, shkak ishte kontrolli i drogës dhe trafikimi i qenieve njerëzore, ndërsa në rastin e Malollarit ishin borxhet e vlerësuara në rreth 3 milionë dollarë, që sollën edhe vdekjen e tij në atentatin e para tetë muajve. Për të njëjtat motive financiare humbi jetën në Mal të Zi edhe ish-presidenti i Vllaznisë, Myftar Çela.
Shumë nga burimet financiare me të cilat presidentët sponsorizojnë klubet e tyre mbeten ende anonime dhe me burime të panjohura, ndërkohë që pagesat ekstreme të tyre ndaj futbollistëve cilësorë figurojnë në bilancet e shoqërive në shuma minore.

Vrasjet dhe arrestimet e presidentëve të klubeve

14 maj 2000: Adrian Çobo, ish-president i Tomorit të Beratit, ekzekutohet në një lokal pranë stadiumit "Selman Stermasi", në kryeqytet

14 qershor 2002: Myftar Çela, ish-president i Vllaznisë së Shkodrës, ekzekutohet në Tuz të Malit të Zi nga një ish-ortak i tij

25 prill 2004: Arrestimi i Mihal Delijorgjit, ish-presidentit të Dinamos, për mospagim taksash në shtet

14 dhjetor 2005: Edmond Malollari, ish-president i Tomorit të Beratit, ekzekutohet afër shtëpisë së tij, pranë stadiumit "Selman Stermasi" në kryeqytet

1 mars 2005: Vajdin Lamaj, që u ekzekutua në ashensorin e pallatit të tij gjatë një atentati me eksploziv C4, të komanduar përmes celularit, më 1 mars 2005.

11 gusht 2006: I vihet eksploziv shtëpisë së presidentit të Klubit të Futbollit të Elbasanit, Arben Laze.

25 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›