E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburgu i kërkon informacion shtetit shqiptar për Delijorgjin



Laureta Rryçi

Mihal Delijorgji, i dyshuari kryesor për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, i drejtohet Strasburgut me pretendimin se i janë shkelur të drejtat. Në një kohë që ai së bashku me Ylli Pinarin dhe Minxollin po mbushin 10 muaj në qelitë e paraburgimit, pronat dhe pasuritë e tij e kanë shtyrë t’i drejtohet një gjykate tjetër, asaj të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Kjo e fundit, pasi është njohur me kërkesën e tij, i ka kërkuar informacion shtetit shqiptar mbi procedurat që janë ndjekur për sekuestrot që ndaj biznesmenit të arrestuar.
Kërkesa
Burime të sigurta konfirmuan se Delijorgji i është drejtuar vetëm pak kohë më parë Gjykatës së Strasburgut. Kërkesa e tij duket se është në fazën kur kjo gjykatë i kërkon informacion shtetit që pretendohet se ka shkelur të drejtat e ankuesit. Kërkesa nga gjykata e Strasburgut ka mbërritur vetëm pak ditë më parë ku kërkohet informacion nëse sekuestrot e vendosura mbi pasuritë e tij janë të paarsyeshme pasi nuk është marrë parasysh gjendja e familjarëve të tij. Mirëpo mësohet se dokumentet që po grumbullohen nga përfaqësuesit e shtetit tonë shpjegojnë se shoqëritë që janë në emër të Delijorgjit bëjnë një xhiro në muaj rreth 600-700 milionë lekë dhe fitimet nuk i janë nënshtruar sekuestros kështu që punëtorët vazhdojnë të jenë të punësuar si dhe firmat vazhdojnë të paguajnë taksat. Kësisoj, përfaqësuesit tanë po përgatisin materialin me argumentet se Delijorgjit nuk i është shkelur ndonjë e drejtë që pretendon.
Hetimet
Paralelisht me hetimet që po zhvillohen ende për Gërdecin, nga pronat e Delijorgjit që i janë nënshtruar sekuestros konservative bëjnë pjesë pasuri të patundshme, apartamente dhe llogari bankare. Si llogari bankare në emër të Delijorgjit janë 900 mijë euro, ndërsa prokuroria ka kërkuar edhe sekuestron e 18 mijë metrave katrorë truall përfshi edhe ndërtimin në Shkozet, në afërsi të Durrësit, si dhe rreth 11 mijë metra katrorë sipërfaqe të tjera toke dhe pallate banimi në zonën e ish-uzinës Enver në Tiranë. Dy drejtuesit e kompanisë ‘Alba Demil’ u arrestuan pas ngjarjes së ndodhur në Gërdec, në mesin e muajit të kaluar. Fabrika që demontonte municione luftarake, pronë e kompanisë ‘Alba Demil‘, u përfshi nga një shpërthim i fuqishëm. Si pasojë e kësaj ngjarjeje humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Shpërthimi shkaktoi dhe dëme në shumë banesa dhe biznese. Pas kësaj ngjarjeje, forcat e policisë me urdhër të Prokurorisë së Tiranës arrestuan administratorin e firmës “Alba Demil”, Mihal Delijorgji, drejtorin teknik të kësaj firme Dritan Minxolli si dhe drejtorin e kompanisë “Meico”, Ylli Pinari, me akuzën e “shkeljes së rregullave të sigurisë për lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive”. Më pas, akuza për ta ndryshoi duke rënduar pozicionin e tyre me akuzën “vrasje e më shumë se dy personave për shkak të cilësive të veçanta”.

Gjykata e Strasburgut

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut është themeluar në Strasburg të Francës më 1959-n me qëllim marrjen në shqyrtim të pretendimeve për shkeljen e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut të vitit 1950. Prej 1 nëntorit 1998, ajo funksionon si gjykatë e përhershme, e përbërë nga një numër gjyqtarësh të barabartë me numrin e shteteve palë të konventës. Gjykata shqyrton pranueshmërinë dhe themelin e ankesave të paraqitura para saj. Ajo është organizuar në dhoma prej 7 gjyqtarësh ose, në raste të jashtëzakonshme, në një dhomë të madhe të përbërë nga 17 gjyqtarë. Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës është organi që kontrollon zbatimin e vendimeve përfundimtare të gjykatës.

25 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›