E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshime kërcënim, blindohet Rama

01/02/2011  Garda e Republikës i ndryshon rojet personale Kryeprokurores. Nuk dihet shkaqet e urdhrit

Kryeprokurorja merr masa vetjake, bllokon me grila pamjen e dritares së zyrës së saj

TIRANE- Demonstrata e 21 janarit para godinës së Kryeministrisë ka sjellë jo vetëm tensionimin e marrëdhënieve mes institucioneve qeveritare, por dhe luftën e heshtur mes drejtuesve të këtyre institucioneve, ku secili prej tyre duket se ka marrë kërcënime nga segmente të caktuara politike, por në disa raste ato kanë qenë dhe kriminale. Pa u “lagur” nga kjo legjendë e sigurimit të shtetit, nuk ka dalë dhe Kryeprokurorja Ina Rama, për të cilën ka dyshime se ka marrë kërcënime me jetë nëpërmjet telefonit. Një fakt i tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga zyra e Prokurorisë së Përgjithshme, por nga i njëjti institucion thuhet nën zë se Kryeprokurorja është kërcënuar dhe për pasojë Garda e Republikës ka vendosur të ndryshojë rojet e sigurimit, duke lënë të rrethuar Ina Ramë me 4 truproja mes tyre dhe një femër. Mësohet se kjo e fundit nuk ka ndryshuar, duke i qëndruar prapa shpinës besnike Kryeprokurores Ina Rama. Urdhri për ndryshimin e rojeve të sigurisë fizike është dhënë nga komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi, ndaj të cilit Ina Rama ka lëshuar një urdhër-ndalimi, pasi dyshohet se ka dhënë urdhër për vrasjen e tre personave në demonstratën e 21 janarit para godinës së Kryeministrisë. Nuk dihet me saktësi nëse rojet janë ndryshuar në shenjë hakmarrje apo këto ndryshime bazohen mbi informacionet që u ka servirur SHIK-u Gardës së Republikës për një kërcënim të mundshëm të Kryeprokurores. Përveç këtyre masave të ndërmarra nga drejtuesit e Gardës nga ana tjetër Kryeprokurorja Rama ka ndërmarrë masa të tjera personale duke blinduar zyrën e saj. Gjatë fundjavës së kaluar në zyrën e Kryeprokurores janë vënë re dy punëtorë që vendosnin grila në dritaren e zyrës së Ina Ramës. Zënia e pamjes së dritares që ndodhet në katin e dytë është bërë pikërisht në kulmin e akuzave të ndërsjellta mes mazhorancës dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Mbulimi i dritares me grila përforcon akoma më tepër dyshimet për një kërcënim të mundshëm ndaj Kryeprokurores Ina Rama, e cila ka zgjedhur të mbulojë pamjen e dritares, duke mos i dhënë mundësi keqbërësve të monitorojnë lëvizjet e saj brenda në zyrë. Po kështu mendohet se mbrojtje kanë marrë dhe dy vajzat e Kryeprokurores Ina Rama, për të cilat mësohet se janë parë të shkojnë në shkollë nën mbikëqyrjen e oficerëve të Gardës së Republikës. Që prej emërimit të saj në detyrën e Kryeprokurores Garda, s’kishte kryer asnjë ndryshim në trupën e sigurisë. Një gjë e tillë ndodhi një javë pas trazirave që ndodhën në demonstratën e 21 janarit, ku humbën jetën tre demonstruesit Zyvër Veizi nga Gjirokastra, Faik Myrto nga Fieri dhe Hekuran Deda nga Dibra.

Diskutohet për hetimin e demonstratës së 21 janarit

Ina Rama, takim me zv/ambasadoren Xhons

Në pritje të mbërritjes së ekspertëve amerikanë për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, Kryeprokurorja Ina Rama është takuar me zëvendësambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Deborah Xhons. Burime zyrtare nga organi i akuzës pohojnë se takimi është bërë në ambientet e Prokurorisë rreth orës 11: 30 dhe se ka zgjatur 20 minuta. Në qendër të bisedës ka qenë demonstrata e 21 janarit, si dhe zhvillimet që pasuan atë, që nga vrasjet e plagosjet, e deri tek mos ekzekutimi i 6 urdhër-ndalimeve për gardistët e akuzuar. Zv/ambasadorja amerikane i ka shprehur gatishmërinë e saj Kryeprokurores Ina Rama, për t’i dhënë asistencën që i nevojitet për hetimin e ngjarjes së 21 janarit. Nga ana tjetër kryeprokurorja ka falënderuar mbështetjen që ambasada amerikane po i bën institucionit të saj, për hetimin dhe zbardhjen e shkaqeve që sollën vrasjen e tre personave, si dhe plagosjen e shumë të tjerëve në demonstratën e organizuar nga Partia Socialiste. Aktualisht organi i akuzës është në pritje të ekspertëve amerikanë, të cilët do të kryejnë ekspertimin balistik të armëve, si dhe një sërë veprimesh të tjera hetimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›