E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maks Haxhia, heq dorë nga mbrojtja e Delijorgjit

01/02/2011  Shtyhet për të 20 herë dosja “Gërdeci”

TIRANE- Ka dështuar sërish seanca gjyqësorë në ngarkim të 29 të pandehurve të procesit “Gërdeci”. Shkak këtë herë janë mbrojtësit e të pandehurit Mihal Delijorgji, të cilët kanë dhënë dorëheqjen, duke mos pranuar që të jenë më avokatët e tij. Sipas avokatit Maks Haxhia, arsyeja e dorëheqjes është rrëzimi nga ana e togave të zeza i të gjithë kërkesave. “Gjykata ka rrëzuar të gjithë kërkesat që ne kemi bërë. Nuk kam sesi të mbroj më Mihal Delijorgji, në momentin kur gjykata nuk pranon asnjë kërkesë timen dhe hedh poshtë dhe vendimin e Gjykatës së Lartë. Vendimi i kësaj gjykate është antikushtetues dhe për këtë arsye kam vendosur të heq dorë nga mbrojtja e të pandehurit Mihal Delijorgji”, është shprehur mbrojtësi Maks Haxhia. Krahas tij ka dhënë dorëheqjen edhe avokatia Ilira Kokona, njëkohësisht mbrojtëse e Mihal Delijorgit. Ndërsa nga ana e togave të zeza është zgjedhur një mbrojtës nga lista e avokatëve kryesisht Gëzim Veleshnja, i cili ka kërkuar kohë për të njohur me dosjen. Ndërkohë që ka dështuar seanca e 20 e procesit “Gërdeci”, i cili është bllokuar prej disa muajsh nga mosprania e mbrojtësve. Ndonëse vetëm para pak javësh inspektorë të Këshillit të Lartë mbërritën në dyert e gjykatës duke nisur inspektimet për këtë çështje, sërish gjyqi nuk zhvillohet për mungesë mbrojtësish. “Kemi vendosur që në seancat në vijimi do të merren masa për caktimin e avokatëve kryesisht në rast të mosparaqitjes së avokatëve të zgjedhur nga vetë të pandehurit”, janë shprehur togat e zeza. Zvarritja në kohë e procesit “Gërdeci” është kthyer në një problem mjaft shqetësues, ndërsa nga ana e përfaqësuesve të akuzës është kërkuar marrja e masave. Ndërsa pritet që në seancën e radhës gjyqësore të jenë të pranishëm edhe mbrojtës kryesisht të zgjedhur nga vetë gjykata, të cilët do të zëvendësojnë mbrojtësit që do të mungojnë. Seanca gjyqësore është shtyrë për javën e ardhshme, ndërsa procesi gjyqësor është ende në fazën e provave shkresore të akuzës. Shtyrja maratonë e seancave gjyqësore ka marrë nismën që nga periudha e arrestimit të avokatit Hysni Beti, i cili në procesin “Gërdeci” mbronte interesat e të pandehurit Shkëlzen Madani. Fill pas këtij arrestimi, gjyqi më i madh në drejtësinë shqiptare ka hyrë në kolaps, ku prej rreth 3 muaj nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore. Zvarritja e procesit sjell dhe rrezikun e lirimit të katër të pandehurve që mbahen në burg nga Prokuroria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›