Ambasadori serb: Të ndryshohen tekstet e historisë për marrëdhëniet me fqinjët
Ljubomir Zaric ka pohuar gjatë një vizite në Fier se në disa tekste mësimore marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje nuk trajtohen në mënyrë objektive
FIER Ambasadori i republikës së Serbisë në Shqipëri, Ljubomir Zaric, ka kërkuar ndryshim të teksteve që lidhen, sipas tij, me jetën dhe historinë e popujve që jetojnë afër Shqipërisë. Deklarata e tij është dhënë gjatë vizitës që ai kreu në Libofshë të rrethit Fier, fshat në të cilin është çelur një shkollë ku zhvillohet mësimi i gjuhës serbe.
“Fatkeqësisht, në disa tekste mësimore nuk trajtohen në mënyrë objektive, as jeta dhe as historia e popujve që jetojnë afër me Shqipërinë” deklaroi ambasadori.
Ambasadori
Deklarata ka ardhur në vijim të një përgjigjeje të tij, lidhur me pyetjen e bërë për tekstet mësimore në gjuhën shqipe të ardhura nga Shqipëria dhe Kosova, që nuk u janë lejuar nxënësve në Luginën e Preshevës dhe Bujanovc.
Fillimisht ambasadori Zaric do të niste përgjigjen e tij me fjalët se “Pyetja nuk shkonte fillimisht me gjendjen festive të njëvjetorit të çeljes së kursit për mësimin e gjuhës serbe në Libofshë, ku jeton një pjesë e komunitetit serb. Kjo tregon lidhjet dhe miqësinë mes dy vendeve. Nxënësit në Shqipëri mësojnë me tekste të miratuara nga ana e Ministrisë së Arsimit shqiptar. Po kështu edhe në Serbi. Por do të vijë dita që dhe këta nxënës të pakicave në Shqipëri, do të mësojnë gjuhën e prejardhjes së tyre nëpërmjet teksteve të miratuara nga Ministria e Arsimit shqiptar, në shkollat shqipe”. Ndërsa shtoi se të gjitha mosmarrëveshjet edhe më të rëndësishme se kjo e teksteve e ngritur prej mediave, do të zgjidheshin në kuadrin e integrimit të përbashkët në BE.
Takimi
Ambasadori takoi më pas drejtuesit e këtij kursi mësimor si dhe rreth 80 fëmijë të komunitetit të prejardhur nga Novi pazari në Serbi, që jetojnë në rrethin Libofshë. Kursi zhvillohet në një nga dhomat e banesës, pronë e kreut të shoqatës “Moracna Rozafa”, Eqerem Dulevic. Ky i fundit tha se u duhet dhënë fund, sipas tij, spekulimeve dhe debateve në lidhje me prejardhjen e tyre. “Ne jemi serbë të ardhur këtu në këtë zonë në vitet e para të shekullit të kaluar, nga Novi Pazari. Unë jam 100% serb nga nëna dhe babai” deklaroi ai. “Është njerëzore dhe njëkohësisht europiane të mësosh gjuhën e nënës tënde, prejardhjen dhe historinë tënde-Ne nuk jemi boshnjakë, natyrshëm që nuk kam asgjë me këtë vend, por jemi serbë të ardhur nga Novi Pazari. Mësojmë fëmijët të flasin gjuhën e prejardhjes së tyre dhe jetojmë në harmoni të plotë në këtë zonë si shtetas shqiptarë. Falënderoj pikërisht shtetin shqiptar që na ka dhënë këtë mundësi të hapim këtë kurs të mësimit të gjuhës serbe dhe shpresojmë që në të ardhmen të çelim edhe një shkollë”. Ambasadori serb Zaric u kërkoi fëmijëve, duke u folur në serbisht, që të mësojnë këtë gjuhë dhe traditat e historinë e Serbisë. “Mësoni dhe silluni si qytetarë europianë. Mësoni nga të parët tuaj, prindërit tuaj, që jetojnë në harmoni dhe në paqe me bashkëqytetarët e tjerë në zonën e tyre, bëhuni njerëz të mirë dhe shtetas të mirë të këtij shteti”, përfundoi fjalën e tij ambasadori serb. Sipas statistikave të paraqitura nga zoti Qerem Dulevic, komuniteti serb përbëhet nga rreth 432 shtetas që banojnë në këtë komunë, ndërsa pjesë të tjera të tij jetojnë në qytetin Fier, në komunën Qendër, Dërmënas në këtë rreth.