E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dyshime për vetëmbytjen e vrasësit të njerkës e plagosësit të motrës

08/05/2005  Gjenden në anë të rezervuarit rrobat dhe atletet e Ermal Dokaj

BERAT - Autori i vrasjes së njerkës së tij dhe plagosjes së motrës 16-vjeçare, dyshohet të jetë mbytur në rezervuarin e fshatit të tij. Policia e Beratit dhe familjarët e tij janë vënë në kërkim të Ermal Dokaj, 22 vjeç, që pak ditë më parë vrau me sëpatë njerkën Dhurata Dokaj dhe plagosi motrën e tij. Sipas policisë, banorë të fshatit Paraspuar, të komunës Tërpan, në rrethin e Beratit, kanë gjetur veshjet e Ermalit në anë të një rezervuari të fshatit, çka kanë hedhur dyshimet se djali është vetëmbytur.

Që prej disa ditësh, dhjetëra forca policie së bashku me familjarët kanë nisur kërkimet në rezervuar, por nuk kanë mundur të gjejnë trupin e 22-vjeçarit.

Nuk mund të bëhet ende e ditur asgjë në lidhje me vetëmbytjen, bëjnë të ditur burime nga komisariati pa u gjetur trupi i tij apo ndonjë shenjë tjetër prej tij.

Banorë të këtij fshati mësohet të kenë gjetur vetëm një palë atlete dhe disa rroba të tjera, që mendohet se i përkisnin djalit, por, sipas policisë, kjo gjë nuk mund të vërtetojë faktin se djali është vetëmbytur.

Ndërkohë mësohet se Dokaj nuk është parë nga askush që prej dy javësh nga ngjarja e rëndë kur vrau me sëpatë njerëkën dhe të motrën.

Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e tij pak orë pas ngjarjes, por ende autori rezulton i zhdukur. Kërkimet e policisë kanë përfshirë gjithë zonën në fshatin periferik në kufi me Tepelenën dhe ditët e fundit ato janë përqëndruar kryesisht edhe nëpër puse dhe rezervuare.

Ngjarja e rëndë e vrasjes së gruas 45-vjeçare Dhurata Dokaj ndodhi dy javë më parë, kur 22-vjeçari nuk kurseu as goditjet me sëpatë për të motrën e tij 16-vjeçare, pasi vrau njerkën. Pas ngjarjes 22-vjeçari rezultoi të ketë qenë i sëmurë mendorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›