E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një emigrant nga Xarra humbet jetën në Greqi

08/05/2005  Bie nga 30 metra lartësi

SARANDË - Një emigrant nga Xarra humbet jetën në Greqi. Ngjarja mësohet se ka qenë krejtësisht aksidentale. Dy ditë më parë, ka humbur jetën në shtetin fqinj banori i komunës së Xarrës, Spiro Jani. Ai është aksidentuar gjatë punës në një ndërtesë shumëkatëshe në ishullin e Kretës. Sipas të afërmve të viktimës, Jani është rrëzuar nga një lartësi 30 metra nga skelat e ndërtesës në periferi të Kretës, duke marrë plagë të rënda në trup. Ai është dërguar menjëherë nga shokët e tij të punës në spital për të marrë ndihmën e duhur mjekësore, por çdo ndërhyrje e bluzave të bardha ka rezultuar e padobishme. 20-vjeçari Spiro Jani, sipas shokëve të tij, që kanë qenë dëshmitarë në vendngjarje, ka ndërruar jetë në spitalin e ishullit helen, 3 orë pas aksidentit tragjik të kryer në vendin e punës, ku ishte së bashku me tre bashkëkombas të tij.

Trupi i viktimës është kthyer në vendlindje dje, paradite, dhe po dje është bërë përcjellja e tij për në banesën e fundit. Ky nuk është rasti i parë ku një punëkërkues shqiptar aksidentohet në vendin ku punon në shtetin fqinj.

Jeta e vështirë prej emigranti dhe nevoja për dy para me shumë i detyrojnë shumë të rinj shqiptarë që të shkojnë në vendet fqinje dhe të bëjnë punë mjaft të vështira. Jo pak të rinj kanë ikur me “këmbët e tyre” e janë kthyer me arkivolë pranë familjarëve, për shkak të aksidenteve të punës, apo të aksidenteve rrugore, në të cilën të rinjtë përfshihen jo rrallë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›