E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dhimitër Xhuvani, surealizmi postkomunist

08/05/2005  Romani i ri i Dhimitër Xhuvanit “Letra e Sonjës”, nga botimet “Ombra GVG”, në një kuptim është cilësuar si kronikë e dhimbjes njerëzore, mjerimit dhe e halleve të përditshme. Ndërsa aftësia vëzhguese e shkrimtarit i kalon caqet e realizmit, duke hyrë në ndjesi të paperceptueshme, ekzistenciale përmes tablove surealiste. “Janë karaktere që i sheh përditë, në dyqanin e ushqimeve, në ceremonialin e varrezave, në pallatin e drejtësisë dhe në sallën e parlamentit. Është një kohë e pakohë, kur njerëzit vriten, vetëvriten, vdesin dhe shkojnë drejt arkivoleve të tyre aq lehtësisht dhe natyrshëm, sikur të hanë mëngjesin, të lexojnë gazetën apo të shkojnë në kishë, për të ndezur qiririn e fundit të jetës së tyre”, shkruan Arshin Xhezo, për librin e Xhuvanit.

Realizmi tronditës që shkon veprën e Xhuvanit, ngulet te tharmi i shpirtit njerëzor, ku derdhen gëzimet dhe gazepet, kontrastet e ëndrrave, romantizmi njerëzor shpesh në iluzione idealizmi, duke përfunduar tek tokësorja vdekja dhe ndjekur përjetësinë. Për kritikun Dalan Shpallo, “Dhimitër Xhuvani është një autor që i ka ndjekur kurdoherë dukuritë bashkëkohore në këndin e vet social-psikologjik, me një prirje drejt analizave të brendshme, drejt shkaqeve dhe motiveve psikologjike që çojnë në një situatë të caktuar, që përcaktojnë gjendjen shpirtërore dhe rrugën e personazhit”. Në këtë rast, sipas Shpallos, shkrimtari kërkon seriozisht në bukuritë aktuale dhe arrin rezultate artistike në vepra të shkruara me shpirt dhe me mjeshtëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›