E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkonte më shumë respekt, tenton vetëvrasjen adoleshentja

Mania e persekucionit ka çuar ne vetëvrasje një 16-vjeçare me inicialet E.Ç., nga komuna Shëmri, në rrethin e Kukësit. Në një letër të lënë për prindërit, ajo ka shënuar se ndjehej e parespektuar dhe për këtë po vriste veten me pushkë. Ngjarja ka ndodhur të hënën më mbrëmje në shtëpinë e vet, ku adoleshentja, në kushte depresioni mendor, ka shkrehur pushkën kundër vetes, duke u plagosur tepër rëndë në bark. Ende nuk janë zbardhur zyrtarisht shkaqet që çuan adoleshenten të ndërmarrë veprimin fatal, por nga burime të mirinformuara mësohet se në sendet e saj personale është gjetur një letër, të cilën 16-vjeçarja E.Ç., e kishte shkruar para se të qëllonte veten me armë. Përmbajtja e letrës, e mësuar nga një burim i policisë së Kukësit, shpjegon pak a shumë arsyet e /////////////////////////vetëvrasjes së saj/////, ku thuhet se gjimnazistja në vitin e tretë kërkonte më shumë respekt nga njerëzit e familjes dhe të afërmit. "Unë po largohem nga kjo botë dhe nga të gjithë njerëzit që i dua, prej të cilëve desha më shumë respekt, desha të isha kuptuar më mirë nga të gjithë, por kjo nuk ndodhi". Me këto fjalë, pak a shumë në formën e një testamenti për familjarët dhe të afërmit e saj, 16-vjeçarja E.Ç., nga fshati Shëmri i Kukësit, ka tentuar t‘i japë fund jetës, duke qëlluar veten me një pushkë automatike, e cila, sipas burimeve, mbahej në banesë pa leje. Burime të spitalit civil në Kukës thanë se vajzën e vetëplagosur e kishin transportuar në orët e vona njerëzit e shtëpisë dhe ndodhet në reanimacion në gjendje kritike për jetën. Sipas mjekëve, plumbi i ka dëmtuar një pjesë të stomakut dhe veshkën e djathtë. Për shpëtimin e jetës së saj, mjekëve u është dashur ndërhyrje kirurgjikale prej disa orësh, ndërsa aktualisht ndodhet në reanimacion ende në gjendje kritike për jetën. Akti vetëvrasës i vajzës ka tronditur familjen si dhe të afërmit. Prindërit S. dhe N. për shumë kohë janë parë të shkulin flokët në dyert e spitalit në dhimbje të thellë dhe gjendje tepër të rëndë shpirtërore. Nga burime konfidenciale mësohet se viktima edhe më herët kishte pasur probleme të ekuilibrit mendor, për të cilin, siç thuhet, kishte marrë mjekime. Grupi hetimor i ngritur për çështjen ka këqyrur vendin e ngjarjes, ku ka siguruar si provë materiale një gëzhojë të pushkës automatike model 56, si dhe disa dëshmi nga familjarët. Por, pavarësisht fakteve të mësipërme, grupi hetimor po punon intensivisht për zbardhjen e ngjarjes dhe akoma nuk ka dhënë një version zyrtar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›