E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimet e para për vrasjen e Arjan Selimit

Nga Express më 01 tetor 2011 në ora 15:00

Për më shumë se një orë e 30 minuta, prokurorë dhe ekspertë të policisë, qëndruan ‘kokë më kokë’ për të analizuar çdo detaj lidhur me ekzekutimin mafioz të Arjan Selimit, të akuzuarit si anëtar i një rrjeti të trafikut të heroinës dhe kokainës.

Mbledhja u zhvillua në ambientet e prokurorisë së Tiranës, në duart e të cilës ndodhet dhe dosja “Selimi”.

“Po hetojmë në disa pista për të bërë të mundur identifikimin e autorëve të ekzekutimit të Arjan Selimit. Më kryesja është ajo e përplasjeve për shkak të aktivitetit të paligjshëm të trafikut të drogës. Megjithatë nuk mund të lëmë pa marrë në konsideratë dhe pista të tjera”, tha një burim nga prokuroria, duke mos dhënë detaje të mëtejshme lidhur me vrasjen.

Por burime të rezervuara thanë se dyshimet për ekzekutimin e Arjan Selimit bien mbi një grup rival në trafikun e narkotikëve, grup i cili kohët e fundit ka humbur një pjesëtar aktiv të tij, që është ekzekutuar pak kohë më parë në Tiranë.

Hetuesit dyshojnë se vrasja e Selimit është bërë në shenjë hakmarrje pikërisht nga ky grup rival, që konsiderohet si mjaft i fuqishëm në trafikun e drogës.

Arjan Selimi u ekzekutua mbrëmjen e së hënës në rrugicën para pallatit të tij, që ndodhet në rrugën “Stavri Themeli”, tek ish-parku i Autobusëve në Tiranë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›