Dyshimet për ndalimin e Ruçit
Policia ka sekuestruar si provë makinën e Gramoz Ruçit, drejtues i lartë në PS, pasi në të u gjendën 1.5 gram kanabis. Makina po drejtohej nga i biri i tij, Ledio, kur u ndalua katër ditë më parë në Durrës. Policia citoi si shkak gjetjen e një arme sportive në makinë, e cila ishte në pronësi të njërit prej miqve të Ledio Ruçit. Por gjykata e ka quajtur të pavlefshëm aksionin e policisë, pasi arma ishte e pajisur me leje të rregullt. Por tre ditë pas këtij incidenti, në makinën e Ruçit policia gjeti 1.5 gram kanabis. Vetë deputeti socialist mësohet se ka shprehur dyshime për këtë veprim të policisë. Siç raporton Shekulli, në momentin që makina është ndaluar herën e parë dhe është dërguar në komisariat, i është bërë një kontroll oficerë të krimeve dhe agjentë të antidrogës. Ndërkohë, tre ditë më pas, policia e zbuloi lëndën narkotike, e cila ndodhej në xhepin e derës së makinës, një vend lehtësisht i dukshëm dhe që kontrollohet i pari në këto raste. Dyshimet janë se po përdoret e kaluara e Ledio Ruçit për të krijuar një skandal për të tërhequr vëmendjen nga situata kritike ku ndodhet qeveria dhe vendi.