Dyshimi: Ruçit, drogë në makinë pas kontrollit

Ruçi dhe deputetë të PS duke protestuar me gojën e mbyllur në Kuvend, ndaj penalizimit të deputetëve Balla e Tahiri, në prill 2010
Denis Dedej
Vendimi i Gjykatës së Durrësit dhe akt-kontrolli i makinës Tuareg me targa Z, kanë hedhur dje hije të forta dyshimi mbi vërtetësinë e fakteve që renditen në komunikatën e policisë për ndalimin e Ledio Ruçit, djalit të Gramoz Ruçit. Komunikata e policisë durrsake thotë se sasia e kanabisit (rreth 1 gram e gjysëm) u gjend në makinën e Ledio Ruçit, pas një rikontrolli (makina kishte tri ditë, e ndaluar dhe ishte kontrolluar njëherë me proces-verbal). Rrethanat e ngjarjes duken të dyshimta dhe kanë ngjallur reagime të forta ditën e djeshme nga personat e prekur, ndërkohë që vetë kreu i deputetëve socialistë Ruçi ka patur komunikime në PS me deputetët lidhur me rastin. Kur Tuaregu është ndaluar tri ditë më parë, është mbajtur një proces- verbal për ato që janë gjendur në makinë.
Në këtë dokument ndodhet edhe firma e dy policëve antidrogë pjesëmarrës në aksion dhe në kontroll. Procesverbali nuk flet për asnjë sasi droge në makinë, por vetëm për një armë sportive, në pronësi të një prej bashkëudhëtarëve të Ledio Ruçit. Pas gjetjes së kësaj arme, është përpiluar akt kontrolli dhe çështja ka shkuar në Gjykatë. Gjykata e ka shpallur të hënën ndalimin e policisë të paligjshëm sepse arma sportive ka rezultuar e pajisur me dokumentacion të rregullt ligjor.
Por në përfundim të seancës gjyqësore, ku Ledio Ruçi ka marrë pjesë si dëgjues, disa policë i janë afruar dhe i kanë kërkuar të shkonte me ta në komisariat për të lëvizur makinën e bllokuar sepse ishte parkuar keq dhe kishte zënë rrugën. Sipas rindërtimit të fakteve, Ledio Ruçi ka shkuar me ta dhe sapo ka hapur makinën, policët shoqërues kanë shpallur rikontrollin e saj dhe në pak sekonda kanë nxjerrë sasinë prej 1.5 gram kanabis. Sasia, sipas tyre ndodhej në xhepin e derës së makinës nga krahu i shoferit.
Ky vend është shumë i dukshëm, ndaj duket e habitshme që kanabisi ti ketë shpëtuar kontrollit të parë të specializuar të makinës, ku merrnin pjesë, sipas procesverbalit, edhe oficerët antidrogë. Priten zhvillime të reja rreth kësaj ngjarje, ndërkohë që është hera e tretë, brenda pak javëve që djali i kryedeputetit socialist, vihet nga policia në qendër të vëmendjes së opinionit publik.
Ndalimi i djalit, Ruçi para deputetëve të PS
Rrethanat e ndalimit të djalit të tij dhe titujt e mëdhenj të shtypit të djeshëm lidhur me këtë ngjarje, kanë shtyrë Gramoz Ruçin të flasë me deputetët e PS dje në selinë rozë. Përpara deputetëve, Ruçi ka sqaruar për rreth 15 minuta të gjithë historinë në të cilën është përfshirë djali i tij. Burime nga ky takim bëjnë të ditur për gazetën Shekulli se Ruçi ka shfaqur dyshime të forta mbi rrethanat e ngjarjes së prezantuar nga policia dhe veprimet e policisë me djalin e tij.
Ruçi ka konfirmuar se makina Tuareg me targa Z është ndaluar nga policia tri ditë më parë dhe në të është gjetur një armë sportive, e cila gjatë shqyrtimit të çështjes në gjykatë ka dalë e rregullt dhe me leje. Në këtë kontroll fizik kanë marrë pjesë ekspertë, oficerë policie, agjentë krimesh dhe agjent të antidrogës dhe nuk u gjet asnjë lëndë narkotike në makinë, – deklaroi z.Ruçi. Ai ka sqaruar se tri ditë më pas, në përfundim të seancës gjyqësore, ku ndalimi është shpallur i paligjshëm, djali i tij është thirrur nga forcat blu të qytetit bregdetar për të lëvizur makinën e tij pasi kishte zënë rrugën e një makine tjetër.
Në momentin që Ledio Ruçi ka shkuar për të lëvizur makinën, policët kanë shpallur një kontroll të dytë dhe në pak sekonda kanë deklaruar se kanë gjetur drogë në derën në krahun e shoferit. Duke hedhur dyshime të forta mbi rrethanat e kësaj ngjarje, kryetari i grupit parlamentar socialist ka deklaruar dje se do ketë një deklaratë zyrtare, në përfundim të dhënies së vendimit nga Gjykata.
Të pyetur nga Shekulli lidhur me akt-kontrollin, zyrtarë të policisë së Durrësit thanë dje se nuk kanë komente dhe se gjithçka mund të thonë për këtë ngjarje, ndodhet në komunikatën për shtyp.
Njoftimi për shtyp i policisë së Durrësit:
Më datë 30.01.2012, ora 18:10, u bë ndalimi i shtetasit Ledian Ruçi, 28 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë për arsye se gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që disponohej nga ky shtetas tip Volswagen Tuareg me targa TR 0141 Z, rreth orës 14:10, në xhepin e derës së automjetit iu gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 1.50 gramë lëndë narkotike e dyshuar si Canabis Sativa. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti që dispononte. Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.