Relacioni i PLOTE i policisë: Prokuroria të pezullojë hetimet për organizatorët e protestës më 21 janar
Zbulohet relacioni i Policisë së Tiranës që kërkonte pezullimin e hetimeve për organizimin e demonstratës së 21 janarit. Në datën 11 korrik 2011, policia i sugjeronte Prokurorisë që të pezullonte hetimin ndaj demonstruesve dhe deputetëve të PS-së, pasi nuk kishte prova që kishin nxitur protestuesit për të qëlluar godinën kryeministrore. Gazeta Shqip ka siguruar një kopje të kësaj kërkesë të policisë. Dokumenti i është dërguar edhe Parlamentit, bashkëlidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetëve Besnik Bare, Taulant Balla dhe Tom Doshi. Më poshtë është dokumenti i plotë:
Zhvillimi i protestës
Në datë 21.01.2011, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, pranë Kryeministrisë, është zhvilluar një protestë e dhunshme, ku si pasojë e dhunës së ushtruar nga një grup protestuesish janë dëmtuar një numër i madh punonjësish policie të planëzuar me shërbim për mbarëvajtjen e kësaj proteste si dhe janë djegur katër makina policie, janë dëmtuar disa të tjera si dhe është dëmtuar fasada e Kryeministrisë etj. Për zhvillimin e kësaj proteste është kërkuar leje nga Partia Socialiste e Shqipërisë në datën 19 janar 2011, ku citoheshin edhe kërkesat. Protesta ishte paqësore dhe arsyeja ishte demonstrimi para Kryeministrisë për disa probleme të qeverisjes. Citoheshin vendgrumbullimet në të gjithë Tiranën dhe marshimi drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Kërkesa u firmos nga deputeti Besnik Bare. Policia i ka kthyer përgjigje dhe angazhohet për garantimin e zhvillimit normal të tubimit. Më pas, Policia e Tiranës ka hartuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të protestës së datës 21 janar 2011, ora 14:00, në Tiranë.
Policia ka pasur të dhëna/informacione se persona me precedentë kriminalë do të ishin pjesë e protestës së datës 21 janar 2011 dhe se mund të kryenin edhe veprime të dhunshme. Duke u nisur nga ky fakt, për menaxhimin e kësaj situate si dhe për mbajtjen në kontroll të elementëve me precedentë kriminalë për të cilët kishte të dhëna/informacione se do të ishin dhe objekt i dhunës dhe të vjedhjeve të pasurisë në qytetin e Tiranës, gjatë protestës nga ana e Policisë së Shtetit janë planëzuar me shërbim edhe disa punonjës policie të ardhur nga drejtoritë e policive në qarqe si Korça, Vlora, Shkodra, Peshkopia, Kukësi, Durrësi, Elbasani, Fieri etj. Menjëherë me grumbullimin e protestuesve në bulevardin Dëshmorët e Kombit, para dhe në krah të Kryeministrisë, një pjesë e tyre fillimisht kanë provokuar kordonin e policisë dhe më pas kanë qëlluar në drejtim të tyre me sende të forta si shkopinj, gurë, çadra dhe sende të tjera. Me gjithë paralajmërimet e bëra nga ana e policisë se do të ndërhynte me forcë për të shpërndarë turmën nëse vazhdonin të ushtronin dhunë ndaj policisë, turma jo vetëm që nuk është ndaluar, por është acaruar edhe më tej duke shtuar dhunën ndaj policisë. Ndërkohë, policia ka ndërhyrë duke përdorur në fillim ujë dhe më pas gaz lotsjellës. Me gjithë mjetet e përdorura nga policia, dhuna ka vazhduar duke u shpërndarë në të gjithë zonën përreth Kryeministrisë, deri në atë masë sa është hapur me dhunë porta kryesore e Kryeministrisë, u dogjën pemët në murin rrethues të saj, u thyen xhamat e fasadës si dhe u dogjën dhe u dëmtuan një numër i konsiderueshëm makinash policie dhe makina civile. Me qëllim gjetjen e provave dhe të fakteve, nga ana e policisë janë sekuestruar CD me pamje filmike të marra nga protesta e datës 21 janar 2011, ku dallohet qartë dhuna e ushtruar nga një numër i madh personash si Gjin Ndreu, Lin Ndreu, Bledar Tusha, Rakip Tosku, Feta Mataj, Jetmir Prenga, Liman Derti, Ferdisi Hasa, Lavdim Balla, Pashko Curri, Jak Margjonaj, Ardian Kriri, Brahim Elezaj etj., një pjesë e të cilëve ende të paidentifikuar, mjetet që ata kanë përdorur etj. Gjithashtu, nga ana e policisë janë administruar raporte shërbimi të përpiluara nga punonjësit e policisë, të planëzuar me shërbim fillimisht nëpër pikat e grumbullimit të protestuesve dhe më pas në vendin e zhvillimit të protestës, ku pasqyrohet dhuna e ushtruar nga persona të ndryshëm si dhe lidhjet e tyre me disa politikanë. Në të gjitha pikat e grumbullimit të protestuesve është vërejtur prania e deputetëve të Partisë Socialiste dhe protestuesit kanë ardhur pothuajse nga të gjitha rrethet e Shqipërisë.
Detyrat e policisë
Në bazë të materialit të dërguar nga policia, Prokuroria ka regjistruar procedimin penal nr.285 të vitit 2011. Më datë 17.02.2011, nga ana e prokurorëve të çështjes, z.Ervin Karanxha, Olsi Dado dhe Bujar Hoxha, dosja hetimore nr.285 i është deleguar Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku janë lënë detyrat si me poshtë: Të administrohen në dosjen hetimore pamjet filmike dhe video të pjesëmarrësve në miting. Të ekzaminohen fotot dhe pamjet filmike. Të evidentohen personat që kanë organizuar mitingun; të përcaktohen personat që kanë goditur me sende të forta forcat e rendit dhe kanë djegur makinat në datën 21 janar 2011; të pyetet çdo person apo shtetas pa kufizim, që ka qenë në vendin e ngjarjes dhe jep të dhëna të rëndësishme për hetimin; të pyeten personat të cilët, në bazë të pamjeve filmike ose videove, rezultojnë se kanë qenë në vendin e ngjarjes. Nga policia gjyqësore e shërbimeve të policisë në gjashtë komisariatet e Tiranës si dhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë janë arrestuar shumë protestues në datë 21 janar 2011. Të merren akte nga dosjet hetimore në ngarkim të këtyre protestuesve, me qëllim për të hetuar në drejtim të organizatorëve, personave që kanë djegur automjetet si dhe kanë goditur me gurë në drejtim të forcave të rendit dhe sigurisë. Pasi të evidentohen personat që kanë kryer vepër penale, të kryhet ekspertim i fotove dhe videove me qëllim për të përcaktuar nëse janë këta persona që kanë kryer vepër penale e cila dokumentohet nga videot dhe pamjet filmike; të bëhet çdo veprim tjetër i nevojshëm, që çmohet i nevojshëm nga policia gjyqësore për zbardhjen e çështjes si dhe pyetje dëshmitarësh, personash që kanë qenë të pranishëm në miting ose persona të dëmtuar, sekuestrim dokumentesh ose prova shkresore, dhe çdo veprim tjetër që do të dalë nga dinamika e hetimit. Të administrohen në dosjen hetimore çdo dokument që çmohet i nevojshëm nga policia për zbardhjen e rrethanave të hetimit. Çdo ditë të hënë, ora 09:00, të merret kontakt me grupin e prokurorëve me qëllim për të parë ecurinë e veprimeve hetimore si dhe për të parë se çfarë veprimesh të tjera do të kryhen, veç atyre që përcaktohen në urdhrin e delegimit të veprimeve hetimore; për çdo problem gjatë hetimit të komunikohet me prokurorët e çështjes dhe në përfundim të afatit, të mbahet relacion nga oficerët e policisë gjyqësore mbi mënyrën e përfundimit të hetimeve të procedimit penal nr.285 të vitit 2011. Këto veprime hetimore do të kryhen nga oficerët e policisë gjyqësore, Dorian Muça dhe oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, deri në datë 31.03.2011.
<