E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullorja e re, si do funksionojë skema e siguracionit të makinave

 Ened Janina

Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare ka përpiluar një rregullore të re për siguracionet ndaj palëve të treta të makinave. Përmes rregullores përcaktohen rregullat dhe procedurat e trajtimit të dëmeve, që mbulohen nga kontrata e sigurimit për dëmet që u shkaktohen pasagjerëve nga aksidentet në transportin publik, për përgjegjësitë e pronarit ose të përdoruesit të mjetit motorik, për dëme shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti si dhe për aksidentet në avionë dhe anije. Që në fillim të rregullores përcaktohet e drejta e të dëmtuarve për dëmshpërblim, qoftë ky pasuror ose jo pasuror. Në dëmet pasurore përfshihen dëmi me pasojë vdekjen, dëmtime shëndetësore të përkohshme dhe të përhershme si dhe dëmi material të lidhur me dëmtimin apo shkatërrimin e pronës. Ndërsa në dëmin jo pasuror përfshihen dëmi biologjik, moral dhe ekzistencial.

Një nga ndryshimet thelbësore e kësaj rregulloreje është procedura përmes të cilës një i dëmtuar këtkon dëmshpërblimin. Nëse më parë i dëmtuari kërkonte dëmshpërblimin tek kompania e mjetit fajtor në aksident dhe përfshihej në një zinxhir të gjatë burokracish, me rregulloren e re mund të kërkohet dëmshpërblimi edhe tek kompania ku ti je i siguruar. Më pas dy kompanitë e zgjidhin me njëra-tjetrën çështjen e dëmshpërblimit. Pala e dëmtuar ka të drejtë të paraqesë kërkesën për dëmshpërblim tek siguruesi i drejtpërdrejtë, në rast aksidenti të të dyja mjeteve motorike të identifikuara dhe të siguruara me kontratë sigurimi të detyrueshëm për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, në rast se midis shoqërive të sigurimit është lidhur një marrëveshje,- thuhet në nenin 3 të rregullores. Një tjetër ndryshim përfshin rastet kur makina fajtore për aksidentin nuk është e siguruar. Në këtë rast dëmshpërblimi mund të kërkohet tek shoqëritë e sigurimit të autorizuara si trajtues dëmesh. Paraqitja e kërkesës për dëmshpërblim bëhet brenda një periudhe prej 2 vjetësh nga data e ndodhjes së aksidentit, me përjashtim të sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarëve të avionëve për dëme të shkaktuara palëve të treta. Pala e dëmtuar nuk është e detyruar të përsërisë kërkesën për dëmshpërblim në rast se identifikohet shoqëria e sigurimit të mjetit shkaktar të aksidentit. Në këtë rast shoqëria e sigurimit që disponon kërkesën për dëmshpërblim e dërgon atë te shoqëria e sigurimit të mjetit shkaktar të dëmit, brenda 3 ditëve kalendarike nga data e identifikimit të shoqërisë së sigurimit përgjegjëse. Kjo e fundit njofton palën e dëmtuar për marrjen e kërkesës për dëmshpërblim.

Pas këtyre procedurave shoqëria e sigurimit bën regjistrimin e kërkesës për dëmshpërblim nga pala e dëmtuar dhe hap dosjen e dëmit. Në këtë rast shqëria është e detyruar të pajisë palën e dëmtuar me numrin e regjistrimit të kërkesës për dëmshpërblim. Në rastin e refuzimit të kërkesës për dëmshpërblim, shoqëria e sigurimit është e detyruar të njoftojë me shkrim palën e dëmtuar për refuzimin dhe shkaqet ligjore që çojnë në këtë refuzim. Pavarësisht se kërkesa për dëmshpërblim është refuzuar, shoqëria e sigurimit fillon procedurën e trajtimit të dëmit, nëse pala e dëmtuar paraqet prova të reja të kërkuara nga shoqëria e sigurimit përpara përfundimit të afatit të parashkrimit parashikuar në Kodin Civil.

Si llogaritet dëmshpërblimi në raste vdekjesh

Përllogaritja e dëmit shëndetësor me pasojë vdekjen e një personi kryhet sipas një formule të përcaktuar në këtë rregullore, e cila vihet në zbatim nga ekspertët e sigurimeve. Një ndër komponentët kryesorë të kësaj formule janë të ardhurat personale të të ndjerit. P.sh: Në rast se i ndjeri ka qenë në marrëdhënie punë, do të merret mesatarja e të ardhurave neto të tri viteve të fundit para ditës së aksidentit, të lëshuara nga punëdhënësi dhe të konfirmuara nga organet e sigurimeve shoqërore ose tatim-taksave. Në rast se i ndjeri ka qenë pronar aktiviteti privat, do të merret deklarimi i të ardhurave neto të konfirmuara nga organet e tatim-taksave/sigurimeve shoqërore, e llogaritur si mesatare për tri vitet më të fundit të punës. Përveç kësaj, në formulë përfshihen edhe të dhëna të tjera si koeficienti i të ardhurave për vetë nevojat e personit; koeficienti i shumës së kapitalizuar; koeficienti i moshës së daljes në pension, vetë mosha e viktimës etj.

Shpenzimet e kurimit jashtë vendit do paguhen nga kompanitë e sigurimit

Për të gjitha rastet kur të dëmtuarit në aksident me makinë, anije apo avion kanë nevojë për kurim jashtë shtetit, shpenzimet do të paguhen nga kompania e sigurimeve të mjetit që është përcaktuar fajtor në aksident. Por për të përfituar nga paketa e kurimit jashtë vendit duhet më parë të merret miratimi i Komisionit Mjekësor Zyrtar të ngritur për këtë qëllim nga Ministria e Shëndetësisë. Madje ky komision rekomandon edhe klinikën ku do të kryhet kurimi i të dëmtuarit.

Për çdo të dëmtuar, shoqëria e sigurimit duhet të bjerë dakord rast pas rasti me klinikën që merr përsipër kurimin, për çmimin për çdo ditë qëndrimi të të dëmtuarit dhe shoqëruesin e tij, llojin e ndërhyrjeve, numrin e tyre, çmimin për çdo ndërhyrje dhe afatin e kurimit. Klinika kuruese do të paguhet nga shoqëria që ka siguruar mjetin shkaktar të dëmit, sipas faturave të paraqitura. Këto shpenzime konsiderohen dëmshpërblim për të dëmtuarin- thuhet në nenin 20 të rregullores. Sipas tij, nëse i dëmtuari edhe pas kurimit jashtë vendit rezulton me paaftësi të përhershme për punë, për dëmshpërblim të mëtejshëm të tij do të veprohet sipas rregullave mbi Llogaritjen e dëmshpërblimit me pasojë paaftësi e përhershme për punë. Përjashtim konsiderohen rastet, vetëm kur personi i dëmtuar për shkaqe shëndetësore urgjente që rrezikon jetën e tij, duhet të kurohet jashtë vendit.

Si do riparojnë kompanitë e sigurimeve makinat e aksidentuara

Rregullorja e re përcakton në mënyrë të detajuar procedurat që ndiqen për rastet e dëmit pasuror gjatë aksidenteve me makinë. Ajo i kategorizon mjetet bazuar në vitin e prodhimit dhe më pas bën vlerësimin. Në grupin e parë të mjeteve përfshihen ato që kanë katër vjet në qarkullim, në grupin e dytë mjetet që kanë gjashtë vjet dhe në grupin e tretë mjetet që kanë më shumë se gjashtë vjet në qarkullim.

Mënyra e llogaritjes së vlerës së dëmshpërblimit do të zgjidhet në funksion të amortizimit të mjetit motorik, vlerës aktuale dhe gjendjes teknike të tij, mundësisë për sigurimin e pjesëve të këmbimit, nivelit të kërkesave për riparim etj,- thuhet në rregullore. Në formularin e dëmit duhen shënuar në mënyrë të detajuar dëmtimet e mjetit si dhe shënohen pjesët për ndërrim, pjesët për riparim etj. Si në rastin e dëmtimit pjesor apo shkatërrimit total të pronës, dëmshpërblimi material në asnjë rast nuk duhet të tejkalojë vlerën aktuale të pronës së dëmtuar. Në vlerën e dëmshpërblimit duhet të përfshihen dhe shpenzimet për transportin e mjetit motorik, shpenzime ruajtjeje dhe shpenzime gjyqësore apo noteriale. Pas kësaj shoqëria e sigurimit është e detyruar ti ofrojë palës së dëmtuar dëmshpërblim në vlerë monetare ose riparim të mjetit në servis. Zgjedhjen përfundimtare e bën pronari i mjetit të dëmtuar.

Rregullorja e re përcakton që për dëmtime, për të cilat nuk ekzistojnë mundësitë teknike për një riparim cilësor dhe ekonomik, do të kryhet ndërrimi i pjesëve ose i strukturës së mjetit motorik. Nëse mjeti nuk ka dëmtime të mëdha, ndërrohen pjesët e dëmtuara, të cilat ndikojnë në sigurinë e automjetit, pjesët e dëmtuara, të cilat me riparimin e tyre, nuk mund të kthehen në gjendjen e mëparshme nga ana estetike dhe struktura të pjesshme, të cilat duhen të jenë në harmoni me udhëzimet e prodhuesit.

Nëse, si rezultat

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›