Kryeprokurori britanik: Të shqetësuar për sulmet ndaj institucioneve. Po cënohet demokracia
Pas takimeve të zhvilluara me përfaqësues të drejtësisë shqiptare, kryeprokurori britanik, Keir Starmer, ka mbajtur një konferencë për shtyp, duke thënë se pavarësia dhe integriteti i institucioneve të drejtësisë, janë domosdoshmëri. Ai është shprehur i shqetësuar mbi sulmet ndaj institucioneve të pavarura në shqipëri, duke nënkuptuar sulmet ndaj prokurorisë. Ai tha se po cënohet demokracia.
Drejtësia dhe sundimi i ligjit duhet të jenë përparësi për vendin tuaj. Sundimi i ligjit është baza e kritereve për integrimin e Shqipërisë në BE. Integriteti dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë është domosdoshmëri për Shqipërinë, ka thënë ai gjatë fjalës së tij.
Si drejtues i një organi të pavarur, unë jam i shqetësuar nga sulmet personale dhe publike mbi integritetin e institucioneve të pavarura dhe të individëve në to. Këto sulme cënojnë, jo vetëm individët e targetuar por elementët demokratikë të sistemit. Nëse ka shqetësime reale, apo prova të shkeljeve, atëherë ato pretendime duhen ndjekur nëpërmjet kanaleve të duhura dhe jo të thuhen kot, apo të përdoren për të ushtruar presion mbi individët, u shpreh më tej ai.
I pyetur nëse është e drejtë apo ngritja e njëashme e komisionit parlamentar për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, kryeprokurori Starmer ka theksuar se investigimi duhet të zhvillohet nga prokuroria. Dua të jem i qartë. Është me rëndësi që të ketë një investigim të plotë i cili të jetë efektiv dhe të japë drejtësi, dhe ky investigim duhet të drejtohet nga prokuroria në mënyrë të pavarur. Unë do ta insistoja për këtë në vendin tim ka shtuar më tej kryeprokurori britanik.
Ambasadorja britanike, Fiona Mcllwham, e pranishme në konferencën e shtypit, është shprehur se, vizita e kryeprokurorit tone është sinjal për rëndësinë që ne i japim drejtësisë.