E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimi i Madh

Edi Lesi 

Nuk është krejt e gabuar të thuhet që turi elektoral i Edi Ramës dhe retorika e tij, mund të përmblidhen në një ide, ose më saktë në një thirrje që ai po u bën qytetarëve; lërini partitë, lini ndarjet majtas-djathtas braktisni gjithçka, hajdeni pas meje. Kjo thirrje nuk kursen as normalitetin e gjërave. Natyrshëm njerëzit janë të ndarë në parti, në të majtë, në të djathtë.
Eshtë një dialektikë legjitime e zhvillimeve në një vend.
Kur fton për të bërë ndryshimin e madh, e bën në pozicionin ex-nihilo, pra sikur nuk ka asgjë, çdo gjë është hiç, ky është viti zero dhe me Ramën nis gjithçka.
Edhe revolucionet kanë qenë më të përmbajtur. Në thelb këto ndryshime dramatike dhe të shpejta kanë pranuar ekzistencën dhe formën e një statukuoje, dhe kanë mëtuar përmbysjen e saj.
Me këto premtime, Rama bën që të duket mediokër vetë Prometeu që solli dritën mbi tokë.
Megjithatë, nuk mund të mohohet se kjo është një qasje populiste që i ngacmon zemrat e qytetarëve. Dhe në pamje të parë nga ana e PR (marrëdhënieje publike) duket mjaft interesante.
Mirëpo, a janë gati njerëzit për një revolucion, dhe a është Rama, Mesia që ata duhet të ndjekin?
Në ditët që po jetojmë nuk haset ai entuziazëm apo frymëzim i qytetarëve për të bërë ndryshime të mëdha. Pakënaqësi dhe kontestim mund të gjesh ngado, por pak dëshirë për t’u angazhuar në projekte të këtilla ambicioze që kërkon udhëheqësi i opozitës. Një nga gjërat që parashikohet më lehtë për zgjedhjet e ardhshme është për fat të keq abstenimi. Një sjellje për shkak të mërzisë që kanë njerëzit në përgjithësi nga politika, ku proporcionalisht ka pjesën e tij dhe Rama.

Kur thotë lërini partitë, me gjasë kjo thirrje u drejtohet më së shumti socialistëve. Eshtë e qartë që ai nuk i ka përzemër strukturat tradicionale. Dhe është fakt që asnjëherë më parë kampi i majtë nuk ka qenë kaq i copëzuar. Tashmë është zyrtare që prej PS-së mëmë, ka emigruar edhe një grup tjetër nën logon PSV-’91, parti që firmosi marrëveshje elektorale me Metën.
Këto zhvillime, të paktën publikisht, kryetarit të socialistëve pak i bëjnë përshtypje. Ai synon më shumë të jetë shefi i gjithë popullit opozitar, dhe jo vetëm i një partie. Kjo tingëllon bukur. Mirëpo, kësisoj, në pushtet të sjell vetëm një plebishit i pastër, gjë të cilën shumë vetë e shohin të pamundur të ndodhë më, pas zgjedhjeve të vitit 1992.
Zgjedhjet që po vijnë i nënshtrohen fort llogarive matematikore. 2 plus 2 nuk mund të bëjnë 5, edhe sikur këtë ta kërkojë Rama.
Një votë më shumë i nxjerr partitë ose koalicionet fituese.
Nga ana tjetër, sado ta shtrydhësh turin dhe fushatën e Ramës, në fund të mbetet në mendje vetëm një fjali; Ndryshimi i Madh.
Jo pak qytetarë mund të kenë drojë dhe frikë nga kjo thirrje. Ata me të drejtë mund të pretendojnë të qeveriset më mirë. Eshtë luftuar korrupsioni, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë të luftohet më shumë. Janë bërë rrugë, mund të bëhen më shumë. Ka përpjekje për të zgjidhur çështjen e pronës, kjo mund të arrihet më mirë dhe më shpejt.
Po hyjmë në NATO, a mund të afrohemi më shumë edhe me BE-në.
Janë rritur të ardhurat në disa sektorë, si mund të shkojnë ato në standarde edhe më të larta. Ka papunësi, si mund të reduktohet ajo etj.
Më pak fjalë, qytetarët kanë prirjen të afrohen me një projekt që synon përmirësimin e gjendjes, rritjen e cilësisë së jetës. Ndryshimet e mëdha dhe për më tepër kur ato janë vetëm në mendjen e një njeriu, mund të ndezin adrenalinën për një hop, diku, por jo arsyen. Aq më shumë nëse dikush thotë që këtë e bëri Obama, pse jo dhe Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›