Rama në Marqinet: Do shërojmë plagët e Gërdecit
Kreu socialist Edi Rama ishte dje në Marqinet në Vorës me Vullnetarët e bashkimit të ri për ndryshim, ku u takua me banorë të kësaj zone. Rama premtoi se plagët e tragjedisë do të zhduken pas 28 qershorit, kur e majta të vijë në pushtet. “Me qeverisjen e dalë nga vota e 28 qershorit do të shërohen plagët fizike e shpirtërore të krimit shtetëror të Gërdecit”, tha Rama. Gjatë takimeve me banorët e fshatit më të goditur nga shpërthimi i 15 marsit 2008, Rama është njohur me indiferencën e qeverisë ndaj viktimave të korrupsionit shtetëror, siç e cilësoi ai këtë tragjedi. Banorët që kanë takuar kreun e PS-së janë shprehur se sorollaten nëpër zyrat shtetërore dhe një pjesë e tyre ka ngelur pa shtëpi. Një nga banorët është shprehur se “kam 1 vit që vuaj cep e më cep, askush nuk na jep asnjë përgjigje. Vijnë këtu inxhinierët, e shohin dhe thonë kjo shtëpi është duke rënë. Jetojmë katër familje në këtë shtëpi me mure të çara, ndërtesa mund të bjerë nga çasti në çast. Si dëmshpërblim kam marrë 350 mijë lekë të vjetra”. Kreu socialist u bëri apel banorëve të dalin në protestën e së dielës në përkujtim të viktimave dhe tragjedisë së një viti më parë.