Islami: Kartat, po rrezikohen zgjedhjet
Partia Socialiste shprehu dje shqetësimin për ritmet e ngadalta të aplikimit të qytetarëve për kartat e identitetit, të nevojshme për procesin zgjedhor më 28 qershor. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami tha gjatë një konference për shtyp nga selia rozë se, “sot, më 10 mars nuk është mbajtur premtimi që në të gjithë Shqipërinë të fillojë aplikimi në të gjithë njësitë e gjendjeve civile, pasi nga 331 njësi të gjendjes civile, ka filluar aplikimi në 118 prej tyre”. Sipas tij, “janë bërë rreth 24 mijë aplikime, por duhet të kujtoj se kjo shifër është kaq edhe për shkak të aplikimeve në Tiranë, ku një pjesë e mirë e votuesve janë me pasaportë”. Duke u ndalur te ngadalësia e këtij procesi, Islami u shpreh se, “kjo vjen si rezultat i mungesës së energjisë elektrike, shfaqjes herë pas here të operatorëve që kanë nevojë për trajnim, por gjithashtu edhe nga mosrespektimi i orarit”. Në këtë kuadër, Islami deklaroi se Partia Socialiste shpreh shqetësimin e saj për rrezikim të zgjedhjeve të qershorit.