E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edukimi, një sfidë apo një slogan

Prof. As. Dr Jetmir Aliçka 

Kur Linkolni shprehej se,“E shoh edukimin si subjektin më të rëndësishëm, me të cilin ne si njerëz duhet
të merremi”, kjo kurrsesi nuk mund të ishte vetëm një slogan, kurrsesi nuk mund të ishte hipokrizi për atë kohë, ajo ishte më shumë se një domosdoshmëri. Por, kur ka kaluar më shumë se një shekull, ky përkushtim i Linkolnit është kthyer në një lajtmotiv për çdo popull e komb të qytetëruar, për çdo qeveri. Aktualisht, sot në botë janë të rralla ato qeveri që nuk kanë kryefjalë të programeve të tyre edukimin. Për një arsye të thjeshtë: sado e përkryer të jetë një qeveri, sado program të përkryer të ketë ajo, kurrsesi nuk mund të arrijë suksesin pa një shoqëri të arsimuar e civilizuar.
Në këtë kontekst, kur fushata elektorale po ndez motorët, partitë politike po i japin dorën e fundit programeve të tyre, përfshi edhe programet në fushën e edukimit. Deri tani, nuk është vështirë të konstatosh, që premtimet propagandistike mbizotërojnë mbi politikat e strategjitë e mirëfillta në fushën edukimit. Nuk është vështirë të konstatosh se rrjedhojë e mosnjohjes së problemeve të vërteta të shkollës sonë, rrjedhojë e mungesës së vizioneve të qarta për tendencat e zhvillimeve arsimore në Shqipëri, rrjedhojë e mungesës së misioneve të qarta e të besueshme, ndodh që të rrekemi pas disa premtimeve të karakterit shifror, të cilat nuk thonë asgjë e nuk prekin e sensibilizojnë askënd. Nuk sensibilizojnë askënd, sepse me shifrat gjithmonë është manipuluar, sepse ato pa ndonjë ndryshim të dukshëm, riciklohen çdo 4 vjet, sepse edhe nëse ato kanë ndonjë rritje, nuk janë veçse produkt i një zhvillimi normal, rutinë të çdo qeverisje.
Gjithsesi, në këtë marramendje shifrash, premtimesh, deklaratash e kundërdeklaratash, akuzash për vjedhje programesh e idesh, nuk mund të mos dallosh diçka të veçantë tek LSI. Një program për edukimin, i qartë, i saktë, bindës, i cili mbështet programin tërësor të qeverisjes së LSI për 4 vitet e ardhshme. Një orientim dhe fokusim i programit të edukimit, krahas të tjerave, për të mbështetur dy kolonat e programit tërësor: minimizimin e  varfërisë dhe rritjen e punësimit. Pra, një edukim në funksion të dy sfidave, zgjidhja e të cilave ose e afron, ose e largon së tepërmi Shqipërinë nga bashkësia evropiane. Duke e konsideruar këtë program të LSI për edukimin si një risi, do të duhet të respektoj detyrimin për të evidentuar atë se çfarë ka të veçantë, ndryshe nga të tjerët ky program.
LSI konstaton, se krahas ndonjë impakti pozitiv të disa ndryshimeve të arritura këto vitet e fundit, shkolla gjatë viteve të tranzicionit ka pësuar një tronditje jo të vogël, që po vazhdon ta përjetojë gjatë. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, që në shkollat tona po ndjehet ashtu lehtë-lehtë aroma e drogës, alkoolit, duhanit. Jemi të ndërgjegjshëm që në vend të etikës, rregullit, disiplinës, po ka gjithnjë e më shumë sjellje rrugaçërie, akte vagabondazhi, thyerje të rregullave e disiplinës elementare; në vend të një mjedisi ku ngjizet edukata, qytetaria, ku lind e rritet dashuria për diturinë, shkencën, artin, kulturën po kthehet në një mjedis ku vaniteti, kotësia, indiferenca, banaliteti, po krijojnë shtratin e tyre. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që niveli i teksteve e programeve mësimorë po bie; që ngarkesa e nxënësve nuk është ulur; që shkolla nuk është një institucion i dashur dhe i ngrohtë për nxënësit, por një institucion i ftohtë që krijon stres; që jo pak orë mësimi nuk zhvillohen, jo pak nxënës largohen nga orët e mësimit, jo pak rregulla nuk zbatohen; që formimi shkencor e qytetar dhe aftësitë e fituara nga nxënësit po bien nga viti në vit. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, që në shkollë është prishur ekuilibri apo çelësi i artë i ekzistencës së një sistemi edukimi, ai midis të drejtave e lirive dhe detyrave e përgjegjësive. 
Dhe ne të gjithë shtrojmë të njëjtën pyetje: Çfarë po ndodh me edukimin, me shkollën? Kush po gabon, kush është fajtori? Pse po gabojmë dhe pse kaq gjatë? Nuk mundet të përjashtohet askush nga përgjegjësia, por padyshim përgjegjësinë më të madhe e mbajnë qeveritë. Reforma të dështuara; reforma të premtuara vetëm për qëllime elektorale e propagandistike; reforma të lëna përgjysmë; reforma që projektohen nga të njëjtët njerëz, të cilët hedhin poshtë atë që kanë projektuar vetë më parë, por që i hartojnë e prishin këto reforma sipas orekseve, interesave e preferencave partiake; reforma që udhëhiqen nga misione të dyshimta, ku fitimi abuziv predominon; reforma me impakte minimale, të kontestuara në pjesën më të madhe nga grupet e interesit etj.
LSI ndryshe nga gjithë të tjerët ka perceptuar dhe do të miratojë një reformë gjithëpërfshirëse me një konsensus mbarëkombëtar, mbarëshoqëror dhe mbarëpartiak. Ajo do të ketë si mision të veçantë faktin që arsimi duhet t’i shërbejë punësimit dhe t’i paraprijë zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Kjo do të jetë reforma e parë në historinë e këtyre 18 viteve të fundit, me një linjë kombëtare të definuar saktë, nga e cila ndryshimet do të preken shumë shpejt e nga të gjithë.
LSI synon një reformë me në qendër nxënësin dhe për nxënësin. Pra, për herë të parë do të kemi ata, që në të gjitha reformat e mëparshme kanë munguar. Çka do të thotë që ne do të realizojmë një ndryshim e konceptim bashkëkohor në nxënie e mësimdhënie. Një nxënie e mësimdhënie ku sasia e informacionit që merr nxënësi është i rëndësishëm, por më i rëndësishëm është fakti se sa aftësi ka fituar ai për ta përdorur këtë informacion, ku do ta përdorë e si do ta përdorë. Çka do të thotë që kjo nxënie e mësimdhënie të lerë mbresa, të ngacmojë, të shqetësojë, të intrigojë, të bëjë të shfletosh, të kërkosh, të diskutosh e debatosh. Që do të thotë, që në formimin e nxënësit, në formimin e tij të predominojnë aftësitë logjike, interpretuese, hulumtuese e kërkuese.
LSI do të promovojë një arsim profesional tepër fleksibël, për shkak të kërkesave e specifikave që ka një vend i vogël si Shqipëria; për shkak të ndryshimit permanent të tregut; për shkak të ndryshimeve të shpejta të teknologjisë; për shkak të pamundësive financiare. Shkolla të vogla 1-2-vjeçare, me afate të kufizuara, sipas kërkesave dhe nevojave lokale, projekte 3-5-vjeçare në bashkëpunim me komunitetin e biznesit pranë gjimnazeve, kolegjet profesionale për përgatitjen e punëtorëve tepër të specializuar dhe teknikëve etj., do të jenë shtyllat mbi të cilat LSI do të orientojë politikat e saj dhe përmbysjen e raporteve të përçudnuara midis nxënësve që mbarojnë gjimnaze dhe nuk kanë asnjë profesion dhe nxënësve që mbarojnë shkolla profesionale, apo edhe gjimnaze, por që kanë fituar një profesion. Përmirësimi i këtij raporti do të mbështesë fuqishëm pikërisht dy sfidat e qeverisë së ardhshme të LSI, atë të luftës kundër varfërisë dhe rritjes së punësimit. Për herë të parë, ndoshta pas 20–25 vitesh, LSI do të synojë përgatitjen e nxënësve që mbarojnë arsimin e mesëm jo vetëm për të përballuar shkollën e lartë, por edhe për t’ju përgjigjur tregut të punës të diplomuar apo licencuar profesionalisht.
LSI do të vlerësojë si asnjëherë tjetër figurën e nderuar, e respektuar të mësuesit si eminenca e të gjitha kohërave. Ne nuk do të konsiderojmë shtesën e pagave të mësuesve si një lëmoshë, që lançohet me mburrje vend e pa vend nga politikanët e qeveritarët, por si një detyrim shtetëror, moral e qytetar, si një borxh që e gjithë shoqëria ka ndaj këtyre monumenteve të gjalla të historisë së çdo kombi, për të cilët për 18 vjet me radhë askush nuk është kujtuar t’u japë qoftë edhe një dekoratë. Ndryshe nga të tjerët, mësuesin nuk do ta shohim siç është parë deri tani, si fajtorin për dështimet në fushën e edukimit, por si partnerin dinjitoz në çdo vendimmarrje e ndryshim; do ta shohim si një partner që do t’i rikthehen të drejtat e liritë e kufizuara, pasi i është imponuar skematizmi në përgatitjen e tij, bunkerizimi i orës së mësimit; do t’i rikthehen hapësirat që i kanë mohuar iniciativën, krijimtarinë e alternativën. Ata sot përballen me akte normative nga më paprecedentët, ku u janë  kufizuar të drejtat e liritë elementare akademike. LSI do të promovojë për herë të parë sisteme trajnimi e kualifikimi të mësuesve me projekte njëvjeçare, ku nuk do të krenohemi se në testimin përfundimtar të një trajnimi një herë në pesë vjet, 5 apo 10% e mësuesve i rrëzuam dhe nuk ua rritëm pagën, apo i ulëm në një kategori më poshtë (nuk është kjo detyra e shtetit), por do të krenohemi për formimin më të plotë shkencor e pedagogjik të tyre, për të implementuar informacionin e ri me teknologjitë më të reja, të cilat ata do t’i marrin nëpërmjet programeve njëvjeçare çdo vit, mbi bazën e nevojave permanente për kualifikim. Ne të gjithëve na duhet një mësues i kualifikuar dhe jo i ndëshkuar. Dhe këtë do ta realizojë për herë të parë LSI.
LSI do të synojë hapjen e shkollës. Shkolla i përket të gjithëve. Shkolla do të jetë pronë e nxënësve, mësuesve, prindërve, komuniteteve e përfaqësuesve më ekselentë të shkencës, artit, kulturës, biznesit, politikës. Shkolla ka nevojë për të gjithë dhe të gjithë kanë nevojë për shkollën. Ajo do të kthehet në një institucion që ofron shërbime jo vetëm arsimore, por shërbime që të përgatisin për jetën, të aftësojnë e edukojnë me botëkuptim qytetar. Shkollat domosdoshmërisht, si në të gjitha vendet e zhvilluara do të kthehen në qendra të integruara për shërbime komunitare. Ato duhet të kthehen në mjedise e institucione tërheqëse për nxënësit, të cilët kanë premisa për t’u larguar, për ta braktisur atë. LSI do të ndryshojë ligjin ekzistues të detyrimit shkollor, me synimin për t’i dhënë përparësi masave për parandalimin e fenomenit, në raport me masat ndëshkimore, duke minimizuar braktisjen, e cila sot është rreth 3%.
LSI, ndryshe nga të tjerët, do të krijojë modelet për çdo komponent të shkollës, në përputhje me standardet më të mira evropiane e botërore. Do të krijohen, promovohen e stimulohen modelet e nxënësit më të mirë, të mësuesit më të mirë, të drejtuesit më të mirë dhe të shkollës më të mirë, dhe ata do të jenë simbolet që do të na udhëheqin.
LSI ndryshe nga të tjerët nuk do t’i lejojë vetes gabime e dështime, të cilat i kushtojnë shumë shkollës sonë. Nxënësit e klasave të pesta e të nënta këtë vit po përjetojnë vështirësi nga më të paparashikuarat, për faktin e thjeshtë se MASH ndërmori një ndryshim të pamenduar mirë e të pajustifikuar në kohë. Impaktet e deritanishme në këto klasa janë tepër negative dhe krijojnë precedentët më të shëmtuar të një ndryshimi të pretenduar.
Matura shtetërore, me gjithë impaktin pozitiv në cilësinë e pranimeve në shkollat e larta, nuk e përmbushi dhe nuk po e përmbush misionin për të cilin u krijua. Në shkollën e mesme standardi i krijuar i maturës u përdor dhe po përdoret vetëm si mjet presioni ndaj mësuesit dhe nxënësit. Por detyra e një qeverie nuk është të ushtrojë presion, të seleksionojë e selektojë më të mirët, të listojë tregues, por të zgjidhë problemin kryesor, atë të forcimit të cilësisë në shkollën e mesme. Pikërisht LSI do të përdorë Maturën Shtetërore dhe rezultatet e saj për të evidentuar e definuar detyrat që i dalin instancave shtetërore për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies; për përmirësimin e cilësisë së përgatitjes e kualifikimit të mësuesve, për nivelin e kërkesës dhe ngarkesës së nxënësve, për rishikimin e kurrikulave etj. Matura Shtetërore do të konsiderohet nga LSI jo si fundi i një procesi, por si fillim i tij.
LSI nuk do të bëjë gabimin që po bëhet aktualisht për reformën kurrikulare. Reforma kurrikulare, reforma më e rëndësishme në fushën e edukimit, po hartohet këtë vit me një nxitim të paparë, duke anashkaluar çdo princip të formatimit të një reforme. Ende nuk janë kristalizuar planet mësimore, ende nuk kanë përfunduar programet, ende nuk kanë filluar tekstet, ende nuk është menduar asgjë për trajnimin e kualifikimin e mësuesve për këtë kurrikul të ri, pra asgjë gati, për këtë shtator, megjithatë MASH do ta konsiderojë edhe këtë reformë të përfunduar, që sigurisht do të thellonte më tej gabimet e deritanishme.
LSI në politikat e saj për edukimin do të shmangë një prej fenomeneve më të rrezikshme që po bren reformat në edukim gjatë kësaj periudhe tranzicioni, atë që mund ta titullojmë: Rreziku i lavdërimit të asaj që nuk ka ndodhur. Dhe të lavdërosh atë që nuk ka ndodhur apo ka ndodhur pjesërisht, do të thotë, që ajo që duhet të ndodhë në të vërtetë, nuk do të ndodhë kurrë.
Reforma e LSI-së bëhet edhe më e besueshme, kur konstaton se i gjithë lidershipi i saj është tejet i angazhuar me reformën e edukimit, kur në Konventën e LSI-së për edukimin, nuk u dëgjua monologu i një lideri, siç po ndodh në partitë e tjera, por zëri i të gjithë përfaqësuesve të grupeve të interesit; kur lideri i saj Ilir Meta në bashkëpunim me personalitetet më të shquara në fushën e edukimit, të cilët militojnë në këtë parti, po këmbëngul për të realizuar jo ndryshime kozmetike të sistemit të edukimit, por ndryshime rrënjësore, fondamentale, të cilat do të mund ta klasifikojnë këtë sistem në nivelet e sistemeve evropiane.
Pra, LSI po i kthehet bindshëm edukimit, pasi sipas Linkolnit dhe përvojave më të mira botërore, është ai që i sjell ndryshimet më të shpejta një vendi. Tek LSI, edukimi duket se nuk do të mbetet vetëm një slogan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›