Berisha: Investitorët e Katarit të vijnë në Shqipëri
Kryeministri Berisha fton investitorët e Katarit të investojnë në Shqipëri. Kreu i qeverisë po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në një prej vendeve të Gjirit Persik, ku u takua me Emirin Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani dhe kryeministrin Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani. “Ne jemi shumë të fokusuar për të inkurajuar investitorët e Katarit për të investuar në Shqipëri”, u shpreh Kryeministri Berisha në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij. “Në takim, të dy personalitetet e larta diskutuan për dy aspekte shumë kryesore përsa i përket krijimit të një baze për investitorët; nënshkrimi i marrëveshjes për lehtësimin e regjimit të vizave dhe nënshkrimi i marrëveshjes për taksimin e dyfishtë. Ata ndanë të njëjtin mendim, se këto dy marrëveshje i hapin rrugë investimeve të Katarit në Shqipëri”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave lidhur me takimin mes dy kryeministrave. Përsa i përket çështjes së turizmit, kryeministri i Katarit theksoi se e gëzonte fakti që Shqipëria tashmë ishte një vend i sigurt, ku turistët mund ta vizitojnë këtë vend të qetë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha theksoi se lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar ka dhënë rezultatet e saj, duke bërë të mundur që vitin që kaloi 2.700.000 turistë të vizitojnë Shqipërinë pa asnjë incident. Nga ana e tij, kryeministri i Katarit u shpreh se do të përkrahte me të gjitha mundësitë e tij investitorët e Katarit për të investuar në fushën e turizmit në Shqipëri. Gjatë takimit me emirin e Katarit, Kryeministri Berisha shprehu interesin e Shqipërisë, veçanërisht për investime në fushën e shfrytëzimit dhe përpunimit të gazit të lëngshëm. Në këtë drejtim, Berisha theksoi se do të ishte tepër e vlefshme shkëmbimi i vizitave në nivel ministrash dhe të ekipeve të ekspertëve për të vlerësuar më mirë projektet në këtë fushë. Gjatë ditës së djeshme kreu i qeverisë shqiptare i kërkoi vendeve të Konferencës Islamike që të njohin pavarësinë e Kosovës. “Njohja e pavarësisë është me rëndësi fondamentale nga kombet arabe dhe vendet anëtare të Konferencës Islamike. Të gjitha këto vende mike në vitin 1994 votuan rezolutën e Kombeve të Bashkuara, ku kërkohej zgjidhja e çështjes së Kosovës”, theksoi kreu i qeverisë gjatë një interviste për televizion “Al Jazeera”.