E Shtunë, 31 Tetor 2026

U filmua me Pangon, vajza ikën në Greqi

 

Vajza e parë që takoi ish-ministrin e Kulturës Ylli Pango, duke kërkuar punë në dikasterin e drejtuar prej tij, është larguar nga Shqipëria në rrethana ende të paqarta. Mësohet se protagonistja e videos së parë të publikuar nga emisioni “Fiks Fare”, nuk ndodhet në Shqipëri prej mesit të muajit shkurt të këtij viti. Ajo ishte dëshmitarja e parë që Prokuroria kishte planifikuar ta merrte në pyetje lidhur me hetimet që po zhvillohen, pas publikimit të materialeve që hedhin dyshime mbi ish-ministrin e Kulturës Ylli Pango. Ende pa zyrtarizuar një fletë-thirrje për paraqitjen e saj në prokurori, grupi i hetimit ka bërë verifikimet paraprake për vajzën, duke mësuar se ajo është larguar në drejtim të Greqisë, brenda tri ditëve nga momenti i regjistrimit të bisedave të saj me deputetin e PD-së, Ylli Pango. Shkaqet e largimit të vajzës në drejtim të Greqisë, mbeten ende të panjohura. Ajo ka ikur në një kohë kur imazhet filmike nuk ishin bërë publike, madje për skandalin kishte dijeni vetëm një rreth i ngushtë personash. Hetuesit përjashtuan në këtë mënyrë ndonjë kërcënim apo presion, si shkak për largimin e vajzës, duke pohuar se ajo mund të ketë udhëtuar për shkaqe personale. Gazeta mësoi të dhëna mbi identitetin e vajzës por për arsye etike dhe për shkak të hetimeve që janë në proces, emri i saj nuk mund të publikohet. Në transkriptimin që Prokuroria i ka bërë regjistrimeve filmike është saktësuar se vajza në fjalë ka shtyrë një takim me ish-ministrin në Institutin e tij privat, duke pretenduar se kishte mbetur në trafik në autostradën Tiranë-Durrës.
Ikja e vajzës
Megjithatë, sipas burimeve të konfirmuara në organin e akuzës, mësohet se vajza në fjalë, ishte vënë në dijeni të faktit se regjistrimet filmike dhe biseda në telefon me ish-ministrin Pango, do të bëheshin publike në kuadër të investigimit që po zhvillohej. Hetuesit thanë se vajza në fjalë, ka qenë e para që ka marrë kontakt me ish-ministrin me të cilin ka biseduar më 11 shkurt 2009, pasi kërkonte të punësohej në ministri. Indicia për nisjen e investigimit për kërkim favoresh seksuale nga ish-ministri, kanë qenë pikërisht veprimet dhe bisedat që deputeti i PD-së ka zhvilluar me vajzën e larguar në Greqi. Pango ka shkëmbyer numrin e telefonit me vajzën, më pas ka lënë disa takime me të, duke e ftuar në Institutin e tij privat të studimeve Psikologjike. Biseda telefonike me vajzën, ku është bërë ftesa e ish-ministrit për t’u takuar në Institut, është mes materialeve të para që u publikuan nga emisioni “Fiks-Fare” në Top-Channel. Sjellja e ish-kreut të Ministrisë së Kulturës me vajzën në fjalë, u bë shkak më pas për takimin e Pangos me gazetaren në banesën e deputetit te Qyteti Studenti, ku u konsumuan edhe veprimet që po hetohen si vepër penale nga Prokuroria.                                              tr.so 

Akuza: Videot janë autentike

TIRANE – “Pamjet filmike të transmetuara nga emisioni “Fiks Fare” janë autentike dhe plotësisht të vërtetueshme”. Ky është përfundimi në të cilin kanë arritur hetuesit e Prokurorisë, pasi kanë ekspertuar kasetat filmike të marra nga studiot e emisionit që publikoi skandalin. Sipas hetuesve të Prokurorisë dhe ekspertëve të thirrur në ndihmë të zbardhjes së çështjes, pjesa e regjistrimeve të bëra publike nga “Fiks Fare”, është nxjerrë në mënyrë korrekte dhe pa ndërhyrje nga kasetat që përmbajnë materialin bruto. Prokuroria konfirmoi pamjet e shfaqura pasi verifikoi materialet bruto të regjistruara gjatë investigimit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›