NATO, detyrë Shqipërisë për reformën zgjedhore dhe drejtësinë
Krerët e NATO-s kanë kërkuar reforma të tjera nga Shqipëria në mënyrë që ajo të përfitojë anëtarësimin e plotë së shpejti. Detyrat kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi, dy reforma që kanë nisur, por akoma nuk janë miratuar në Kuvend. Këto detyra janë dhënë në selinë e NATO-s në Bruksel, gjatë takimit të djeshëm të Komitetit të Lartë të NATO-s me Shqipërinë. Formati i takimit ishte 26+1, pra vendet anëtare dëgjonin Shqipërinë në prezantimin e ciklit të 10-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë MPJ-së, në këtë takim vendet aleate vlerësuan përparimin e dukshëm që ka bërë Shqipëria në drejtim të reformave dhe vunë theksin në finalizimin e reformës zgjedhore dhe në drejtësi. Aleatët shprehën bindjen se në samitin e ardhshëm të NATO-s, në prill 2009, Shqipëria do të marrë pjesë si anëtare me të drejta të plota. Takimi u drejtua nga ndihmëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, z. Martin Erdmann. Delegacioni shqiptar i përbërë nga përfaqësues të institucioneve, kryesohej nga koordinatori kombëtar për integrim në NATO, z. Glori Husi. Në fjalën e tij z. Husi paraqiti arritjet më të rëndësishme të ciklit të fundit, si dhe objektivat për vitin në vijim në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit, reformën zgjedhore, në drejtësi, ekonomi, ushtri dhe çështje të sigurisë së informacionit të klasifikuar. Në takim përfaqësuesit shqiptarë shprehën gatishmërinë për të përmbushur detyrimet e anëtarësimit. Gjithashtu u falënderuan përzemërsisht ato vende që e kanë ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit dhe ato vende që i kanë nisur tashmë këto procedura.