Legalizohen trojet në përdorim
Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për kalimin në pronësi të trojeve në përdorim. Kryeministri Sali Berisha pohoi se ky vendim është hap i rëndësishëm në reformën e pronësisë, duke bërë të mundur që mijëra qytetarë të disponojnë troje në përdorim, t’i ligjërojnë ato plotësisht. “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do t'u regjistrojë pronarëve oborrin dhe truallin e tyre mbi bazën e dokumenteve të pronësisë që disponojnë, sikundër do t'u japë kundrejt një vlere të caktuar edhe oborrin që ata kanë marrë nga trojet publike, vite më parë”, - tha Berisha. Vendimi në fjalë do të bëjë të mundur që qytetarët autoktonë në qytete, të legalizojnë trojet e tyre në shtëpitë private. Gjatë diktaturës komuniste, oborret e tyre të shtëpive u cilësuan si troje në përdorim, duke bërë që ato prona të mos i gëzonin më ligjërisht. “Ky është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të reformës së pronësisë, sepse ka qenë një standard absurd që merr fund me shpejtësi. Që të jemi realistë, kjo u ka interesuar kryesisht banorëve autoktonë më shumë sesa të tjerëve që janë shpërngulur, sepse të gjitha banesat që kanë përbërë qytetin, pa shtesat dhe pallatet e ndërtuara më vonë, kanë qenë private, të pronarëve dhe që në paranojën e zhdukjes së pronës private, ajo pronë u quajt si pronë në përdorim”, - tha Kryeministri. Sipas tij, ky vendim do të hapë një rrugë të re në treg. “Ky vendim është një hap shumë i drejtë, shumë i rëndësishëm dhe u krijon atyre një mundësi e madhe. Pra, tregu merr një hap të ri të rëndësishëm, sikundër edhe kolaterali, sepse ata do të konsiderohen pronarë siç janë, pronarë të truallit dhe oborrit të tyre”, - tha Kryeministri. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri kujtoi se një deputet i ka kërkuar interpelancë për çështjet e pronësisë. “Një deputet më ka kërkuar në interpelancë dhe më thotë të vish të raportosh në Parlament për realizimet e programit elektoral të vitit 2005. Por, po të shkoj tani, unë pas një muaji do të kem edhe realizime të tjera. Megjithatë, unë do të bëj një pakt me të, se si Kryeministër jam i detyruar të paraqitem në Parlament, por do të jetë mirë të më jepet kohë, që të shfrytëzoj edhe këto 140 ditë të këtij mandati, në mënyrë që mandatin tjetër ta nis me një vrull të ri”, - u shpreh Kryeministri Berisha.
Vendimi
I. Autoriteti shtetëror i autorizuar për tjetërsimin e oborreve në përdorim.
1. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ngarkohet të tjetërsojë në pronësi të pronarëve të ndërtimeve, oborret në përdorim sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara në këtë vendim.
2. Për efekte të zbatimit të këtij vendimi, me termin “oborr në përdorim” kuptohet sipërfaqja e tokës, në pronësi shtetërore në funksion të një ndërtimi të ligjshëm, në posedim të qetë dhe pa ndërprerje të pronarit të ndërtimit. Kjo sipërfaqe toke përfshin tokën nën ndërtim dhe sipas rastit, tokën rreth saj. Kjo sipërfaqe toke duhet të rezultojë fizikisht e lirë dhe e pazënë nga ndërtime të lejuara, sipas kuadrit ligjor përkatës.
II. Kushtet për tjetërsim
1. Oborret në përdorim tjetërsohen sipas këtij vendimi nëse:
a) brenda tyre ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim:
i. i regjistruar në regjistrat e ZRPP-së, në pronësi të kërkuesit;
ii. i ngritur para datës 10.08.1991.
b) janë në pronësi të shtetit, ndonëse të paregjistruara si të tilla, por të patransferuara në inventarin e organeve të qeverisjes vendore në bazë të ligjit nr. 8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar;
2. Oborret në përdorim tjetërsohen sipas këtij vendimi:
i. pa kundërshpërblim, në rastin kur e drejta e pronësisë mbi këto sipërfaqe është hequr për shkak të ligjeve të kohës pa kompensim;
ii. me kundërshpërblim, në rastet e tjera. Në këto raste çmimi do të jetë sipas aneksit 1 bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Oborret në përdorim që do të tjetërsohen sipas këtij vendimi nuk duhet të kenë qenë më parë objekt kthimi nga AKKP-ja ose ish–komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave.
4. Oborret në përdorim, brenda të cilave ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim informal nuk janë objekt shqyrtimi nga AKKP-ja sipas këtij vendimi, por trajtohen sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.
III. Paraqitja e kërkesës dhe e akteve provuese
1. Kërkesa plotësohet sipas modelit standard të miratuar nga ministri i Drejtësisë.
2. Ajo paraqitet nga kërkuesi pranë zyrës rajonale të AKKP-së, në juridiksionin territorial të së cilës ndodhet oborri në përdorim që kërkohet për t’u tjetërsuar. Kërkesa mund të paraqitet në zyrën rajonale të AKKP-së edhe nëpërmjet postës.
3. Bashkë me kërkesën duhet të paraqiten:
i. dokumenti mbi të drejtën e pronësisë së kërkuesit mbi ndërtimin, që gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, i lëshuar nga ZRPP-ja;
ii. gen plani i oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i hartuar nga një topograf i licencuar;
iii. dokumenti me të dhënat mbi gjendjen juridike të oborrit në përdorim që kërkohet të tjetërsohet, i lëshuar nga ZRPP-ja.
iv. dokumentet që provojnë faktin se ndërtimi që gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim që kërkohet të tjetërsohet, është kryer përpara datës 10/08/1991. Këto dokumente mund të jenë leje ndërtimi e lëshuar nga organi përgjegjës i kohës, akt zyrtar i lëshuar nga Arkivi Teknik i Ndërtimit, akt i nxjerrë nga Arkivi Qendror Shtetëror, vendim gjyqësor mbi vërtetimin e faktit të ndërtimit dhe të kohës së tij, akt-njoftunia përkatëse ose dokumente zyrtare të lëshuara nga organet e pushtetit (lagjja ose rrethi) brenda kompetencave të tyre;
v. dokumentin që provon pronësinë e mëparshme mbi oborrin në përdorim, që për shkak të ligjeve të kohës i ka kaluar në përdorim pa kundërshpërblim, nëse kërkuesi aplikon për tjetërsimin e tij pa kundërshpërblim.
4. Me paraqitjen e kërkesës paguhet edhe tarifa e shërbimit, niveli i të cilës përcaktohet sipas parashikimit të nenit 11 pika 2 të ligjit nr. 9975, datë 28/07/2008 “Për taksat kombëtare”.
IV. Procedura e shqyrtimit të kërkesës
1. Zyra rajonale e AKKP-së shqyrton kërkesën e paraqitur brenda 30 ditëve nga regjistrimi i saj. Ajo verifikon dhe konfirmon nëse kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues përmbushin kushtet e përcaktuara në pikën II të këtij vendimi, si dhe saktëson kufijtë e oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet.
2. Verifikimi i kushteve bëhet mbi bazën e dokumentacionit provues të paraqitur nga kërkuesi dhe nëpërmjet inspektimit në terren nga ana e punonjësve të zyrës rajonale. Në rast se nga inspektimi në terren lindin dyshime për vërtetësinë e dokumenteve zyrtare që shoqërojnë kërkesën, zyra rajonale u kërkon organeve që kanë lëshuar dokumentet të konfirmojnë vërtetësinë e tyre. Korrespondenca bëhet pjesë e dosjes.
3. Saktësimi i kufijve kryhet nëpërmjet matjeve në terren, nëse dokumentacioni teknik ligjor i paraqitur nga kërkuesi nuk përmban kufijtë ose nëse nga krahasimi i dokumentacionit të paraqitur me rezultatet e inspektimit në terren ka mospërputhje. Në këtë rast, zyra rajonale i referohet masave të sipërfaqeve të aneksit nr. 2 bashkëlidhur këtij vendimi, por gjithmonë duke respektuar kufijtë natyralë ekzistues.
4. Në përfundim të shqyrtimit dhe gjithmonë brenda afatit 30 ditor, zyra rajonale ia përcjell dosjen zyrës qendrore të AKKP-së, së bashku me vlerësimin ligjor.
5. Vlerësimi ligjor duhet të përmbajë:
i) të dhënat identifikuese të kërkuesit dhe të oborrit në përdorim të pretenduar;
ii) analizën mbi përmbushjen ose jo të secilit prej kushteve për tjetërsim të përcaktuara në pikën II të këtij vendimi, dokumentet mbi të cilat bazohet kjo analizë, si dhe veprimet procedurale hetimore dhe verifikuese të kryera;
iii) arsyet për të cilat janë të papranueshme dokumentet e kundërta;
iv) të dhënat e sakta për kufijtë dhe masën në metra katrorë të oborrit të përdorim;
v) masën e çmimit nëse tjetërsimi duhet kryer me kundërshpërblim, duke iu referuar aneksit 2 bashkëlidhur këtij vendimi;
vi) propozimin për pranimin ose jo të kërkesës, duke treguar referencën në ligj dhe aktet nënligjore;
Vlerësimi ligjor shoqërohet në çdo rast me planvendosjen përkatëse.
6. Zyra Qendrore e AKKP në qendër, brenda 10 ditëve nga mbërritja e dosjes, verifikon zbatimin e përpiktë të kërkesave të këtij vendimi nga ana e zyrës së AKKP-së në qark bazuar në aktet e mbledhura në dosje dhe pa kryer vetë veprime verifikuese. Në përfundim, zyra qendrore njofton kërkuesin, sipas rastit për:
i. të drejtën e tjetërsimit me shpërblim dhe detyrimin për të paguar brenda 30 ditëve, për llogari të AKKP, për fondin e kompensimit financiar, çmimin e tjetërsimit, duke i treguar edhe numrin e llogarisë. Ky njoftim përmban një paraqitje të kufijve, masës dhe vendndodhjes së oborrit në përdorim, i shoqëruar me planimetrinë përkatëse.
ii. të drejtën e tjetërsimit pa kundërshpërblim, duke i treguar kërkuesit kufijtë, masën dhe vendndodhjen e oborrit në përdorim, shoqëruar me planvendosjen përkatëse.
iii. mospranimin e kërkesës për tjetërsim, duke i arsyetuar me shkrim në mënyrë të detajuar kushtet e pikës II të këtij vendimi që nuk plotësohen apo provohen.
7. Nëse zyra qendrore e AKKP-së nuk është dakord me vlerësimin ligjor të propozuar nga zyra rajonale dhe çmon se kërkesa e paraqitur duhet zgjidhur ndryshe, paraqet me shkrim dhe në mënyrë të argumentuar arsyet e mospranimit të propozimit të dhënë në vlerësimin ligjor, duke përcaktuar zgjidhjen përfundimtare të kërkesës bazuar vetëm në aktet e mbledhura në dosje nga zyra rajonale.
8. Kërkuesi, me marrjen e njoftimit për të drejtën e tjetërsimit me shpërblim, paguan në numrin e llogarisë së caktuar nga AKKP-ja, për llogari të Fondit të Kompensimit të Pronave, të krijuar sipas pikës 1, nenit 23 të Ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, kundërvleftën në lekë, të sipërfaqeve që do të tjetërsohen në pronësi të tij. Kjo pagesë bëhet jo më vonë se 30 ditë nga marrja e njoftimit prej AKKP –së. Shkelja e këtij afati përbën shkak për mospranimin e kërkesës për tjetërsim nga AKKP.
V. Vendimi i tjetërsimit
1. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos kalimin e pronësisë së oborrit në përdorim brenda 10 ditëve nga mbërritja e mandatit që vërteton pagimin e çmimit, në rastin e tjetërsimit me kundërshpërblim.
2. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos kalimin e pronësisë së oborrit në përdorim brenda 10 ditëve nga njoftimi i kërkuesit për të drejtën e tjetërsimit pa kundërshpërblim.
3. Forma e vendimit përcaktohet sipas modeleve në aneksin 3 që i bashkëlidhe këtij vendimi.
3. Vendimi i Drejtorit të Përgjithshëm i njoftohet kërkuesit dhe ZRPP-së për regjistrim.
VI. Dispozita të fundit.
1. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 541 datë 22.8.2007, “Për përcaktimin e procedurave të kalimit në pronësi të trojeve, mbi të cilat janë bërë ndërtime të ligjshme, para datës 10.8.1991 dhe të sipërfaqeve, në dokumentin e pronësisë të cilave është bërë shënimi “oborr në përdorim””, shfuqizohet.
2. Në rastin e kërkesave të paraqitura pranë AKKP-së bazuar në VKM-në nr. 541, datë 22/08/2007 dhe për të cilat AKKP nuk ka dhënë ende vendim deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kërkuesit duhet të konfirmojnë vullnetin e tyre nëpërmjet një kërkese të re për tjetërsim, të shoqëruar me dokumentet që nuk i kanë paraqitur apo nëpërmjet tërheqjes me shkrim të kërkesës së parë. Në rast të tërheqjes së kërkesës, AKKP vendos mospranimin e saj për këtë shkak.
3. Në rast se AKKP ka vendosur mospranimin e kërkesave për tjetërsim bazuar në VKM-në nr. 541, datë 22/08/2007 për shkak të mospagimit të çmimit nga kërkuesit, atëherë kërkuesit mund t’i drejtohen AKKP-së me kërkesë të re sipas këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Masat e sipërfaqeve të ndërtimeve dhe oborreve në përdorim sipas periudhave
PERIUDHA SIPËRFAQJA
(Tokë/truall) në m2 REFERENCA LIGJORE
Deri në datën 16.8.1961 Deri në 500 Neni 4 i VKM 185/1956 dhe neni 1 i UKM 11/1957
Nga data 16.8.1961 deri në 22.7.1978 150-200 Neni 31 i VKM 282/1961
Neni 1 i dekretit 4824/1971
Nga data 22.7.1978 deri në 8.1.1986 - Deri në 200 m2 në fshatrat fushore
- Deri në 300 m2 në fshatrat kodrinore e malore
- 140 - 170 m2 në qytete Neni 10 i dekretit 5747/1978
Nga data 8.1.1986 deri në 10.8.1991 - Deri në 200 m2 në fshatrat fushore
- Deri në 250 m2 në fshatrat kodrinore
- Deri në 300 m2 në fshatrat malore
- Deri në 150 m2 në qytete Neni 6 i dekretit 7011/1985