Dyshimi, polici iku nga borxhi
BERAT- Policia e Beratit po heton ende zhdukjen në rrethana misterioze të një efektivi të paraburgimit. Foto Buhali, baba i dy fëmijëve, është zhdukur pesë ditë më parë, por që prej asaj dite ai nuk është kthyer në shtëpi. Pas hetimeve të kryera, ka rezultuar se 50-vjeçari luante në kumar. Madje ditën e zhdukjes së tij, ai kishte humbur në lojë 300 mijë lekë të vjetra. Pikërisht ky dyshohet të jetë edhe shkaku i zhdukjes së tij. Burime të policisë bënë të ditur se po hetohet në disa pista. Dyshimi kryesor ka të bëjë me faktin se ai mund të jetë larguar për t’iu shpëtuar borxhlinjve. Por nuk përjashtohet as pista tjetër që atë mund ta kenë marrë peng apo zhdukur personat që u ka mbetur borxh. Ditën e zhdukjes, Buhali është nisur si zakonisht për të marrë turnin e punës. Ai ka pasur me vete edhe armën e shërbimit. Por pasi është vonuar, kolegët e kanë zëvendësuar, ndërsa mungesa e gjatë e tij në shtëpi ka bërë që familjarët t’i drejtohen policisë për ndihmë. Sipas tyre ai ishte larguar për në punë, por prej atij momenti ata nuk kishin arritur të kontaktonin me të me telefon. Pas kësaj ata kryen denoncimin tek kolegët e tij. d.xh