E Shtunë, 31 Tetor 2026

Efektivët e policisë: Paguhemi vetëm për gjysmën e punës tonë

 

BURREL - Punonjësit e policisë së komisariatit të Burrelit punojnë të paktën 80 orë në javë, por paguhen vetëm për 40 orë, ashtu siç është përcaktuar në Kodin e Punës. Shqetësimi i tyre është bërë prezent prej disa muajsh por ende nuk kanë marrë  përgjigje nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër. “Jemi ankuar disa ditë më parë te drejtuesit lokal të komisariatit të policisë, dhe kemi paraqitur shqetësimin tonë. Kemi argumentuar se punojmë afro 80 orë në javë dhe paguhemi për 40 orë. Ne jo vetëm nuk paguhemi për punën e vështirë që kryejmë, por njëkohësisht ky volum i madh pune është i papërballueshëm për ne. Kemi komunikuar me kolegët në rrethet e tjera të vendit. Edhe pse ata mund të mos kenë kaq ngarkesë në punë, kur punojnë jashtë orarit zyrtar paguhen për punën e kryer”, pohuan efektivë të policisë, të cilët nuk duan të identifikohen pasi i frikësohen ndonjë mase ndëshkimore. Burime nga Drejtoria e Policisë në Dibër bënë të ditur se shkak i gjendjes së krijuar është dërgimi i disa efektivave në kurset e trajnimit në Tiranë. Puna e tyre mbulohet nga efektivat e këtij komisariati.             h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›