E Diel, 1 Nëntor 2026

Identifikohen autorët e tritolit në banesën e shefit të krimeve

 

BERAT- Një ditë pas vënies së sasisë prej 200 gramë tritoli në tarracën e banesës së shefit të Krimeve të Beratit, policia bën të ditur se janë identifikuar autorët. Burime në policinë e Beratit pohuan se janë tre persona të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje, që tronditi qytetin mesnatën e së shtunës. Të njëjtat burime bënë të ditur se shumë shpejt ata do të vihen në pranga. Për efekt të ndonjë dekonspirimi të mundshëm, blutë nuk japin detaje me emra apo edhe shkakun e kësaj ngjarjeje. Një fakt të tillë e pohoi edhe kreu i policisë së Beratit, Benard Caushi. Sipas tij, autorët tashmë janë të izoluar brenda qytetit dhe është çështje kohe arrestimi i tyre. Në ditën e ngjarjes, policia, por edhe vetë shefi i krimeve, Përparim Dyrma, bënë të ditur se pista kryesore në të cilën do të hetohet është hakmarrja për shkak të detyrës. Madje Dyrma mohoi të kishte probleme personale, duke sqaruar se gjithçka mund të ketë ndodhur vetëm për shkak të detyrës së tij si shef krimesh. Ngjarja ndodhi rreth orës 24:30 të së shtunës, kur në banesën e Dyrmës, personat vendosën rreth 200 gramë tritol. Për fat të mirë, shpërthimi nuk shkaktoi viktima, por vetëm dëme materiale. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›