Serbia reagon pas pengimit të Bogdanoviç në Kosovë
Kryeministri i Serbisë Mirko Cvetkoviç ka thirrur mbrëmjen e së mërkurës në mënyrë urgjente ambasadorët e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për t'u shprehur protestën e tij për pengimin e ministrit për Kosovën Goran Bogdanoviç për të vizituar territorin e komunës së Shtërpcës. Cvetkoviç ka theksuar se është e palejueshme që në këtë mënyrë të mohohen të drejtat e njeriut dhe liria e lëvizjes në krahinën tonë jugore, siç e ka cilësuar ai Kosovën. Kryeministri serb ka kërkuar mbështetjen e këtyre vendeve për dënimin e sjelljes së EULEX-it dhe KFOR-it dhe sigurimit të kushteve civilizuese të jetës në Kosovë. Policia e Kosovës ndaloi të mërkurën në Shtërpcë ministrin për Kosovën në qeverinë së Serbisë, Goran Bogdanoviç, teksa ai po zhvillonte aktivitete politike. Policia e Kosovës e ka ndaluar ministrin serb dhe e ka shoqëruar deri në pikën kufitare të Merdarit, ku iu është dorëzuar autoriteteve serbe. Burimi nga Policia e Kosovës thanë se Bogdanoviç kishte hyrë në territorin e Kosovë para tre ditësh, në mënyrë private, pasi ai është banor i Kosovës. Ndërkohë që qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me këtë rast, duke thënë se për vizita të tilla zyrtare, duhet kërkuar më parë leje nga ky institucion.