Dyshohet se vrau gruan, rinis gjyqi
KRUJE - Gjykata e Krujës rinisi dje gjykimin ndaj Sefedin Doçit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Fitnete Doçi më 13 gusht 2007. Pas një ndërprerjeje prej katër muajsh për plotësim hetimesh, si dhe lirimit nga detyra të prokurorit të kësaj çështjeje, Bujar Çiçi, tashmë hetimet e kësaj dosjeje i janë lënë në kompetencë prokurores Sonila Domi. Ndërprerjen e gjykimit e kërkoi kryeprokurori i Krujës, Florian Bonjaku, me argumentin që dosja në ngarkim të Sefedin Doçit kishte nevojë për plotësim të hetimeve. Kjo solli marrjen në hetim edhe të Ramadan Doçit, vëllait të të pandehurit si dhe mjekut të fshatit Tapizë, Laim Bushi. Ata do të gjykohen të ndarë nga gjyqi i Sefedin Doçit, me akuzën e “fshehjes së të vërtetës”. Në seancën e djeshme mjeku i fshatit nuk u paraqit. Vdekja e Fitnete Doçit u deklarua si vetëhelmim nga bashkëshorti dhe familjarët e tij. Por, familjarët e Fitnetes hodhën dyshime, pasi ata kishin vënë re shenja dhune tek viktima. Më pas, ekspertiza e mjekësisë ligjore vërtetoi se viktima nuk ishte vetëhelmuar. Bashkëshorti i viktimës, nuk e ka pranuar akuzën. Në seancën e ardhshme do të deklarojnë edhe mjekët e mjekësisë ligjore të Tiranës. r.n