E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati plani rregullues për Tiranën

 

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë hapësira të gjelbërta, trafik të reduktuar dhe integrim të zonave informale. Tok me këto ndryshime, do të kemi një kryeqytet policentrik e shumëfunksional. Do të jetë kjo Tirana e së ardhmes. Viti 2020 parashikohet ta zgjerojë kryeqytetin me 1800 hektarë dhe me rreth 400 mijë banorë. Në këtë mënyrë do të mundësohet hapja e 200 mijë vendeve të reja pune. Sipas planit të ri rregullues, Tiranës i shtohen 340 zona industriale dhe 187 ha zona tregtare. Ky plan do ta shndërrojë Tiranën në një kryeqytet policentrik e multifunksional. Këtë përcakton plani i ri rregullues i Tiranës, i vetmi në të gjithë vendin pas rënies së regjimit komunist. Kryebashkiaku Edi Rama, me një panel specialistësh prezantoi dje para qytetarëve këtë plan, për të vijuar më tej me institucionet. Drafti shpaloset pas 6 vitesh konsultimi me ekspertë të njohur evropianë. “Plani Rregullues është një tërësi instrumentesh, që synojnë të nxisin zhvillimin e kryeqytetit në dekadat e ardhshme, një rregullator që mundëson bashkëveprimin mes interesit publik dhe atij privat”, tha Rama. Ai shtoi se në sajë të këtij plani do të ketë bashkëveprim në fusha të ndryshme të jetës, si mjedis, ekonomi, arsim, transport, habitat.
Hapësirat e gjelbërta
Duket disi absurde që në Tiranën e ngërthyer nga ndërtesat e mëdha të shtohen hapësirat e gjelbërta, por me planin e ri ato do të jenë jo pak. Parashikohet që të shtohen 175 ha gjelbërim. Sipas Ramës, gjelbërimi në kryeqytet nga vitit 2000 është rritur ndjeshëm. “Në vitin 2000 kishte 3.1 metër katror gjelbërim për person dhe sot ka 4.3 metër katror gjelbërim për person”, theksoi kryebashkiaku. Madje, në këtë drejtim zili na kanë edhe fqinjët tanë në Greqi. Kjo pasi sipas të dhënave, rezulton se në Athinë raporti hapësirë e gjelbërt për person është 1 individ për 1.9 metër katror. Plani sjell një risi, duke krijuar zona zhvillimi mikse, ku ndërthuren funksione të ndryshme si strehim, punësim, argëtim dhe shërbime sociale si dhe lehtësira publike.
Trafiku
Prioritet në Tiranën e vitit 2020 do t’i jepet transportit publik. Nga sa përcakton plani, synohet organizimi i një transporti të integruar, që do të thotë, stacione të reja treni, krijim i korsive të dedikuara për transportin publik apo biçikletat, si dhe parkimet publike. “Tërësia e tyre mendohet të sjellë uljen e lëvizjes së mjeteve motorike private dhe rrjedhimisht aksesimin e menjëhershëm të qendrave të qytetit, nga çdo grupmoshë si dhe uljen e rëndesës së trafikut dhe ndotjes së ajrit”, sqaroi kryebashkiaku Rama. Ndërkaq, plani ka për qëllim të mbrojë burimet natyrore të zonave delikate, si lumenjtë e liqenet, zonat kodrinore, duke kufizuar ndërtimet në to. Synohet  përmirësimi i gjendjes ekzistuese të strukturës urbane, nëpërmjet krijimit të hapësirave publike, parqe, lulishte duke krijuar akses në zonat tashmë të formuara, me hapjen e rrugëve të reja.  “Orientimi i zhvillimeve të reja do të jetë drejt krijimit të poliqendrave dhe transformimin e zonave ish–industriale, të degraduara apo pa identitet urban, në vende shkëmbimi të kulturave dhe të mirave materiale”, u bë me dije gjatë prezantimit të djeshëm.
Zonat informale
“Zonat informale në këtë plan nuk janë parë si pengesë, por si një shteg mundësish për një cilësi jete. Në të gjitha zonat informale vërtet ka rrugë të ngushta, por ka oborre të gjera dhe të gjitha ato oborre të gjera janë potencial për rritjen e përmasës së gjelbër”, u shpreh Rama. Ai theksoi se një nga sfidat kryesore të qytetit është integrimi i të gjitha zonave të ashtuquajtura informale, në kryeqytetin e së ardhmes. Kjo duke respektuar logjikën e patjetërsueshme të procesit të legalizimit dhe njëkohësisht, duke konsideruar nevojën e domosdoshme të të gjithë atyre familjeve, që sot jetojnë në këto zona, për të pasur një infrastrukturë e cila t’i plotësojë të gjitha nevojat e tyre Sipas planit, zona e Bregut të Lumit do të shndërrohet në park publik linear.

Plani rregullues i Tiranës

Çfarë synon të sjellë Plani për Qytetin?
• Të akomodojë rritje të popullsisë prej 400.000 banorësh, për dekadën e ardhshme
• Të promovojë zhvillimin ekonomik që të sigurojë 200.000 vende të reja pune
• Të shtojë sipërfaqet e gjelbërta me 175 hektarë gjelbërim
• Në pjesën verilindore parashikohet ngritja e një kampusi universitar
• Tiranës do t’i shtohen 340 zona industriale dhe 187 ha zona tregtare.

Studimet  plotësuese
• Studimi i transportit të integruar
• Studimi ekonomik – hapësinor
• Strategjia për mjedisin
• Rikualifikimet urbane
• Projekte zbatimi të rrugëve, si ai i Unazës së Madhe, Unazës së Vogël etj.

Kornizat 
• Plani Rregullues jo vetëm si studim /plan parashikon vendosjen e:
• Një kornize rregullash konkrete, instrumentesh, që e bëjnë atë të zbatueshëm,
• Fazash konkrete veprimi,
• Investime përkatëse në infrastrukturë,
• Studime të detajuara për zonat e para prioritare të ndërhyrjes.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›