E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet në Fier, kërkohej për drogë

 

Një person i shumëkërkuar për trafik ndërkombëtar droge u arrestua dje në Fier. Sokol Gjenica, i dënuar me 23 vjet heqje lirie nga Gjykata e Milanos në Itali, u prangos në fshatin Dërmënas, pasi drejtësia e shtetit fqinj solli dosjen në ngarkim të tij. Sipas policisë së Fierit, 47-vjeçari është ndaluar nga uniformat blu të komisariatit, pas një operacioni të mirorganizuar. Kanë qenë autoritetet italiane ato që kanë kërkuar kapjen dhe ndalimin e këtij shtetasi për arsye se Gjykata e Milanos e ka dënuar me 23 vite burg për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”. Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Fierit, në bashkëpunim edhe me forcat speciale kanë bërë të mundur që në grykëderdhjen e lumit Seman të arrestojnë 47-vjeçarin. Ndaj tij ishte dhënë vendimi me masën kapitale rreth 6 vjet më parë, duke e shpallur Gjenicën në kërkim ndërkombëtar droge. Në informacionin zyrtar të dhënë nga policia e Fierit pasditen e djeshme, pohohet se gjatë kësaj kohe, 47-vjeçari banonte në fshatin Dërmënas, por për arsye hetimi nuk bëhen të ditura detajet e operacionit për kapjen e babait të 3 fëmijëve. Mësohet se aktiviteti që e ka implikuar Gjenicën në trafikun e drogës është kryer para vitit 2000. Pritet që të arrestuarit t’i komunikohet masa e arrestit, në bazë të dosjes penale të mbërritur nga Italia. Mbi këtë vendim, i ndaluari do të japë dëshminë e tij, të cilën nuk e ka bërë më parë për shkak të hetimit dhe gjykimit në mungesë.
Arrestimi i Sokol Gjenicës është i dyti për trafik ndërkombëtar droge brenda 1 muaji në Fier. Më 18 shtator, Vullnet Hoxha u vu në pranga, me të njëjtën akuzë, i dënuar me 24 vjet heqje lirie. Edhe ndaj Hoxhës vendimi ishte dhënë nga Gjykata e Milanos, rreth 5 vite më parë dhe me mbërritjen e dosjes për të u krye dhe arrestimi në lagjen “Apollonia” të qytetit të Fierit. Nga autoritetet policore të Fierit nuk bëhet e ditur nëse mes Hoxhës dhe Gjenicës ka një lidhje në veprimtarinë ilegale për të cilën kanë marrë dënimet nga e njëjta gjykatë. Në të dy rastet nuk janë dhënë shumë fakte mbi këtë aktivitet, duke ia lënë vendin masave të dënimeve që janë dhënë për ta nga pala italiane. Pas njohjeve të dënimeve të marra në Gjykatën e Fierit, pritet të mësohet dhe dëshmia e Gjenicës në lidhje me akuzën, e cila i ka dhënë një dënim prej plot 23 vitesh heqje lirie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›